Të rinjtë që kanë mbaruar studimet e larta në nivelin Bachelor, Master Profesional ose Master Shkencor të grupmoshës deri në 28 vjeç, patën mundësi që ta nisin karrierën e tyre me një eksperiencë pune tre mujore në Bashkinë e Tiranës.

Projekti “Fillo me një ide – Fito një intership” synon që të rinjtë të zhvillojnë aftësitë e tyre analitike dhe kërkimore përmes konkurrimit me një projekt-ide ose studim në një nga fushat e veprimtarisë të Bashkisë së Tiranës. Në ceremoninë e certifikimit të 16 të rinjve në përfundim të intership-it, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se shumë prej ideve të propozuara nga ata do të zbatohen në terren.

“Jam shumë i lumtur që patëm një grup fantastik djemsh dhe vajzash që bënë praktikën në Bashkinë e Tiranës. Lajmi i mirë është që disa prej tyre do të fillojnë punë në Bashkinë e Tiranës, por lajmi akoma më i mirë është që disa nga idetë që na erdhën nga të rinjtë dhe studentët që bënë praktikën këtu, janë përkthyer në buxhet, dhe do të kemi ndërhyrje direkte në terren, bazuar mbi këto projekte”, tha ai.

Aplikantët kishin mundësi të përgatisnin dhe të dorëzonin një propozim të plotë teknik dhe financiar të projektit, si dhe të përfundonin studimin gjatë intership-it, duke bashkëpunuar nga afër me stafin e bashkisë. “Disa janë ndërhyrje në infrastrukturë e urbanistikë, të tjera kanë të bëjnë me softëare dhe zhvillim programesh. Kurse disa të tjera kanë të bëjnë me një ndërthurje të punës së infrastrukturës me aplikacione, ose ndërveprime për qytetarët, që u jep atyre më shumë akses në mënyrën sesi funksionon qyteti. Ajo që më pëlqeu më shumë është se për herë të parë nuk pashë vetëm projekte në infrastrukturë, por edhe në çështjet sociale, kryesisht që kanë të bëjnë me bullizmin, emancipimin, vullnetarizmin, me atë që ne themi shpesh është distanca 10 centimetra, nga njëri vesh tek tjetri, ku është gjithë mentaliteti ynë, dhe gjithë vlerat tona në mënyrën sesi e shohim qytetin”, theksoi Veliaj.

Në përfundim të intershipit, 5 prej projekteve dhe studimeve do të zbatohen nga drejtoritë përkatëse, ndërsa disa aplikantë janë në proces konkurrimi për t’u bërë pjesë e stafit të Bashkisë së Tiranës. Thirrja për intership-et e reja në Bashkinë e Tiranës do të hapet sërish pas dy muajsh. “Nëse doni të jeni një prej studentëve të shkëlqyer të Tiranës, jo vetëm në nota, por edhe në aktivitete, në pasionin për të bërë gjëra të bukura në qytet, që do t’i bashkohet skuadrës së Bashkisë së Tiranës në muajin mars, nxitoni të përgatisni rezymenë tuaj, një ide konkrete që Bashkia duhet ta zbatojë, dhe të filloni një rrugëtim bashkë me ne, që ndoshta përfundon si pjesë e stafit tonë, ose si dikush i çmuar në këtë qytet që në bashkëpunim me Bashkinë pas kësaj eksperience zbaton në terren projektin e vet”, u shpreh Veliaj.

Programi i intership-it synon të përzgjedhë një numër të caktuar projekt-idesh dhe studimesh që do të përfshihen në planet vjetore të njësive organizative dhe do të zbatohen prej tyre.

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: