Shqipëria përballet këtë të premte në orën 20.45 më Pragë ndaj Çekisë, në një ndeshje shumë të rëndësishme të Nations League. Trajneri i njohur, Alban Tafaj, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24 tha se edhe një barazim në këtë sfidë, do të ishte rezultat i pranueshëm. Tafaj, e shikon të vështirë përsëritjen e historisë së kualifikueseve, ku kuqezinjtë i morën 4 pikë këtij rivali.

 

Mund të përsëritet historia Alban, mund të dalim sërish me rezultat pozitiv? Do jetë një tjetër ndeshje u shpreh Bajrami, çfarë ndeshje prisni ju?

Ndeshja nga ndeshja ndryshon. Çekia, në krahasim kur i kemi marrë 4 pikë, ka ndryshuar. Duhet të kemi më kujdes, është një lojë që pritet të jetë e fortë, sidomos në dyluftimet në mesfushë. Jemi me pikë të barabarta, të gjithë ne duam t’i marrim rezultat pozitiv.

Do ishit i kënaqur me një barazim, do firmosnit për një barazim?

Do isha i kënaqur, pasi luajmë në Çeki. Mbase përsëritet historia që i morëm 4 pikë, por do thoja që është mjaft e vështirë.

Sylvinho  vlerësoi shumë forcën fizike të Çekisë, si mund të luajë Shqipëria Alban, ku mund t’i godasim, janë një ekip që pësojnë gola, kanë pësuar 6 gola në 2 ndeshje….

Ngaqë është skuadër që shikon përpara, do lejë hapësira mbrapa. Arma që duhet të përdorim ne është kundërsulmi. Me anësorët tonë, si Bajrami dhe Asani, shpresojmë që të jenë efikasë. Katërshja e mbrojtjes është e konsoliduar, janë në një formë të mirë. Kam dëshirë që Daku të jetë protagonist në këtë takim.  Daku gëzon formë të mirë dhe është mirë për vazhdimësinë e tij, që të realizojë.

E kemi luksin të mendojmë për ndeshjen me Gjeorgjinë, mund të bëjmë llogari, apo do jemi all-in ndaj Çekisë?

Një rezultat negativ do prishte imazhin dhe motivin tonë. Ekipi dëmtohet nga ana psikologjike, nëse pësojmë disfatë sot. Unë firmos edhe për barazim sot. Rezultat pozitiv është një pikë ose fitore.

Shquhesh për parashikime, si del sfida sot?

Mendoj një rezultat 1-2 për ne. Gjithsesi, edhe barazimi do ishte diçka e mirë për skuadrën, pasi na mban gjallë ëndrrën për të shkuar në Botëror.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb