Pas eksperiencës në Europian, Shqipëria nis rrugëtimin në Nations League, teksa me 7 shtator përballet me Ukrainën, ndërsa 3 ditë më pas sfidon Gjeorgjinë. “Ikona” e Kombëtares, Altin Lala, në një intervistë ekskluzive për News 24, në Sport News, u shpreh se e ardhmja e përfaqësueses tonë është e sigurt. Lala, në bisedën e bërë me gazetaren Trevisa Tufa, tha se ndryshe nga Sylvinho, do të bënte dy ose tre zgjedhje të tjera.

 

Lala, a shton presionin rreth Kombëtares kualifikimi i dytë në Evropian? Është krijuar perceptimi se duhet të fitojmë kundër kujtdo, apo më mirë kështu?

Kjo është thikë me dy presa, pritshmëritë janë rritur ndjeshëm. Ky grup do jetë pothuajse i barabrtë. Pretnedimet do jenë të mëdha. por ne duhet të jemi me këmbë në tokë.

Duket si një “dezhavu” e sajë që ndodhi me De Biasin, me Shqipërinë, pas kualifikimit të parë në “Euro2016”, një trajner që ishte në dyshim, shumë zhurmë etj. A rrezikojmë të përsëritet historia, kjo është ajo që i druhen më shumë tifozët, se jemi dhe pak ballkanas ne, vetëkënaqemi shpejt.

Kjo është shumë e vërtetë kjo puna e ballkanasve. Kemi më shumë përvojë, edhe Federata ka krijuar kushtet e duhura. Trajneri në fund fare merr përgjegjësi, ne do vijojmë të rritemi, edhe pse ndoshta nga vetëm 1 %. Ne kemi mundësi për të zgjedhur lojtarë, ka futbollistë që duan të bëjnë hapa para me kombëtaren. Përshembull Gruda nuk ka vendosur ende të bashkohet me ne, për fatin e keq. Shpresoj që të vijë. E ardhmja kuqezi është e siguruar. Menaxhimi pastaj, është pjesë tjetër.

Në fakt, lista e parë post Evropian, nuk ishte shumë e qartë Lala, disa zgjedhje të linin vend për koment, për debat, ti personalisht si e pe? U lanë jashtë lojtarë si Muçi, Bare, Uzuni gjithashtu, u ftua pas dëmtimit të Brojës, si e vlerëson zgjedhjet e bëra?

Futbolli është i bukur, për këtë arsye. Uzuni duhet të ishte në Europian. Duke parë në letër, janë lënë jashtë disa lojtarë. Ai i ndjek shumë lojtarët (trajneri). Ndoshta unë do bëja dy ose tre zgjedhje ndryshe.

Jo vetëm lojtarët e lënë jashtë, për zgjedhje teknike, por janë edhe lojtarët e tërhequr si Cikalleshi dhe Gjasula, a ndikojnë këto vendime, a i ndryshojnë tani balancat në Kombëtare?

Për Cikalleshin më erdhi keq që nuk luajti në Europian. Kjo ishte një befasi. Gjasula u tërhoq. Këto janë cikle që i ka secili grup apo gjeneratë. Ky nuk është problem i madh, ka lojtarë të rinjë që duan të përformojnë. Ky është proces që ndodh gjithmonë.

Lala, dua të pyes jo vetëm si ish kapiten, si një personazh që e njeh futbollin deri në detajin më të vogël, por edhe si menaxher. Shumë legjionarë ndryshuan skuadër në ditët e fundit të merkato, thuajse të gjithë ishin në treg. A ndikojnë këto lëvizje për këtë rikthim të tyrin në Kombëtare?

Unë e kam thënë që fokusi duhet të jetë te klubi ku secili lojtar aktivizohet. Nëse luan mirë me skuadrën, mund të bësh mirë edhe me kombëtaren. Nëse impenjohesh, mund t’ia dalësh. Kjo është gjëja kryesore.

Një nga lëvizjet më të bujshme ishte Mario Mitaj, të gjithë e prisnim në Serie A apo La Liga, por zgjodhi Arabinë Saudite, është vetëm 21-vjeç. A ishte kjo lëvizja e duhur?

U surprizova. Kjo varet nga prioriteti që ka lojtari. Në Arabi mund të shkosh për para dhe jo për të luajtur. Në përgjithësi ka luajtur mirë edhe për kombëtaren, atij ia uroj gjitha të mirat. Këtu nuk mbaron karriera e tij.

Një problem jo pak shqetësues është krahu i djathtë i mbrojtjes, Hysaj u la jashtë ekipin të Lazios, do qëndrojë në tribunë, të paktën deri janar, kemi vetëm Balliun. Të gjithë flasin për të gjetur një zëvendësues për Jasir Asanin, por kam përshtypje se dhe në këtë krah kemi jo pak probleme, mund të jetë shqetësuese kjo situatë në të ardhmen, të dy lojtarët janë edhe në moshë.

Unë mendoj se Balliu ka cilësi, nga ana fizike duket mirë. Edhe përpara kemi lojtarë të mirë si Hoxha. Pastaj, ka edhe të tjerë, kemi edhe Shpendin. Unë e shikoj shumë pozitive të ardhmen e Kombëtares.

Lala, me Cikalleshin që e mbylli, me Brojën dhe Dakun të dëmtuar, kemi vetëm Rey Manajn në qendër të sulmit, nga hall për të përzgjedhur në Evropian, tani kemi hall për të gjetur titullar, për më tepër që Manaj nuk ka shënuar asnjë gol deri më tani. Mund të jetë një problem faza sulmuese?

Shpresoj që Broja të rikthehet sa më shpejt dhe të luajë me Everton. Ai shkëlqeu kur shkoi në huazim te Vittese apo Southampton. Edhe Shpendin mund ta marrësh.

Për ta mbyllur këtë diskutimin e zgjedhjeve. Në konferencë për shtyp, Sylvinho u ngacmua në lidhje me Brajan Grudën, di ndonjë gjë më shumë, ju e njihni më mirë. A mund të bashkohet me Shqipërinë?

Unë nuk kam lidhje direkte, e kam ndjekur në Gjermani, e kam parë që tek grup-moshat. Shpresoj që të luajë për Shqipërinë, pasi te ne ka për të dhënë më shumë. Te Gjermania është Musiala dhe Ëirtz, vështirë se mund të gjesh hapësirë.

E nisim aventurën në Ligën e Kombeve ndaj Ukrainën në transfertë. Sa e vështirë do të jetë, çfarë ndeshje pret Lala?

Ndeshje të vështira, Liga e Kombeve ka takime dhe rivalë mjaft të balancuar. I shikoj shumë të vështira, që në fillim duhet të jemi të kujdesshëm, Ukraina ka lojtarë tejet të mirë.

Jemi përballur 6 herë Lala, vetëm një herë kemi arritur ti marrin një barazim, nuk duket një rival komod.

Kjo është një statistikë. Ne jemi rritur gjatë kësaj kohe, gjërat kanë ndryshuar. Kemi shanset tona për të marrë rezultate pozitive. Për mua edhe një barazim do ishte pozitiv.

Tre ditë më pas luajmë kundër Gjeorgjisë në “Air Albania”. Nuk besoj se tifozët presin spektakël, në Evropian pamë një skuadër shumë të organizuar.

Edhe unë mbeta i surprizuar. Kanë në sulm lojtarë me cilësi. Sulmuesi i Napolit, që prej disa vitesh, po tregon se mund të bëhet lojtar i madh. Gjithsesi, nuk janë të pathyeshëm. Shpresoj që edhe me tifozët, le të kemi stafiumin plot.

Grupi kompletohet me Çekinë, sa shanse kemi për ta fituar këtë grup?

Unë mendoj se edhe Çekët kanë patur stil futbolli shumë intensiv, luajnë futboll fizik. Unë mendoj se duhet t’i shkojmë ndeshje pas ndeshjes dhe të shikojmë se mund të arrijmë. Shanset? 25% (Qesh).

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb