Analisti Ben Andoni, në një intervistë me Skype në News 24, ka komentuar edhe intervistën e dhënë për mediat nga ish-zv kryeministri Arben Ahmetaj, tashmë i shpallur në kërkim nga SPAK.

Andoni tha se sidomos intervista e dytë e Ahmetajt nuk kishte shumë impakt në publik dhe se beson që edhe intervista e tretë nuk do ketë impakt. Për Andonin, Ahmetaj ka përgjegjësi për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria e duhet të kërkojë falje publike.

Ben Andoni u shpreh se Ahmetaj duhet të na tregojë se cili është mekanizmi që përdoret nga zyrtarët e lartë, me anë të së cilit mundësohet që paratë të shkojnë në xhepat e tyre. Për Andonin, Ahmetaj duhet të kërkojë falje të madhe edhe për vendimet e Arbitrazheve kundër Shqipërisë, ku ish-zv kryeministri, sipas tij, ka pasur rol të rëndësishëm.

Ben Andoni: Arben Ahmetaj ka qenë pjesë e ekzekutivit dhe ka përgjegjësitë e tij. Fondet që flet janë shumë më tepër nga se ka Bashkia e Tiranës. Ajo që doja të thosha është që mirë që po ngre zërin, por duhet të kërkonte falje të madhe për pozicionin e tij dhe të tregojë performancën e dobët të Shqipërisë në arbitrazhet ndërkombëtare, ku ka pasur rol të rëndësishëm. Ai duhet të tregojë mekanizmin, që ne nuk e zbulojmë dot, për shkak të boshllëqeve të ligjit, sesi paratë merren nga personazhe të lartë.

Ahmetaj të tregojë sesi shkojnë paratë te njerëzit më të rëndësishëm të shtetit. Kjo është ndihma më e madhe që mund t’i bëjë vetes së vet, shtetit shqiptar. Duket se Ahmetaj do të çimentojë statusin e ri që ka në Zvicër, ka thënë se kur të marr statusin do kthehej e të përballet me drejtësinë në Shqipëri. Intervista e Ahmetaj ka qenë pa impakt. Intervista e tretë do jetë në vazhdën e dy intervistave të dyta. Njerëzit duan të dinë se ku shkojnë paratë, le ta dalë një njeri që do të thotë se ku shkojnë paratë. Duhet thënë se Ahmetaj është përgjegjës edhe vetë për gjendjen ku ndodhet sot Shqipëria.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb