Ambasadori amerikan në ikje, Aleksandër Arvizu, rrëfen për MAPO marrëdhëniet e vështira me Berishën dhe pse mendon, që ai është i njëjti si në vitet ‘91- ‘92. Trajektorja e vështirë e marrëdhënieve me Ramën dhe debati më i nxehtë privat me të në zyrën e PS-së. Vlerësimi dhe këshilla për Bashën dhe pse opozita sipas tij, është në udhëkryq.
E fundit, në “Top Story”. A mendoni se thatë gjëra që nuk duhet t’i kishit thënë, apo nëse intervista do të ribëhej, do të thoshit të njëjtat gjëra?
Duke lënë modestinë mënjanë, mendoj se ishte një ndër intervistat më të mira. Ripashë ato që kisha thënë dhe ajo që më bëri përshtypje ishin komentet që mora unë vetë apo që mori edhe stafi më pas, si dhe disa nga titujt e lajmeve ditën tjetër. Jam i habitur që disa arritën ta kapnin, meqenëse u zhvillua vonë. Ishte interesante sepse disa nga titujt thoshin ose zgjodhën të vinin në pah, “Paralajmërimi i Arvizu për shumicën: arroganca ju çon në opozitë më shpejt nga sa e prisni”. Është interesante se nuk e përdora asnjëherë fjalën ‘arrogancë’ gjatë intervistës, nga sa mbaj mend. Ndaj, është interesante se si zgjodhën ta luanin shumë nga mediat. Titulli ishte disi çorientues, por ajo që doja të vija në dukje dhe që po e bëj përsëri këtu është që më 23 qershor vitin e kaluar, shumicës aktuale iu dha një mandat shumë i fortë, 83 vota dhe tani është 85. Luksi i kësaj është se të jep shumë fleksibilitet me legjislacionin. Por, tregon edhe që pati një dëshirë të fortë për ndryshim, për t’i bërë gjërat ndryshe. Dhe, është detyrë e qeverisë të bëjë pikërisht këtë, të qeverisë me mençuri, të sjellë ndryshim, por ta bëjë këtë në një mënyrë që i bën njerëzit të ndihen rehat dhe që siguron mbështetje mes njerëzve. Përmenda që edhe pse Z. Rama dhe Z. Meta po bënin një punë të mirë, duke projektuar një imazh pozitiv dhe një dëshirë për ndryshim pozitiv, ne viheshim pak në siklet kur dëgjonim nga ndonjë deputet i shumicës të fliste për shkarkim, kur sheh disa prej veprimeve të tyre për të shkarkuar disa nga krerët e këtyre institucioneve të diskutueshme të pavarura. Nuk po them se nuk mund të ketë rrethana kur kjo mund të jetë gjëja e duhur, por është e rëndësishme për qeverinë të ecë në mënyrë të peshuar dhe të menduar mirë. Duhet të jetë rruga e fundit.
Thatë se termi i përdorur nga disa nga gazetat ishte çorientues, sepse përdorën fjalën ‘arrogancë.’ A mendoni se një nga termat që përdorët – thatë ‘SHQUP’ duke iu referuar PD-së – po ashtu ishte pak i fortë dhe çoi në postimin e Z. Berisha në Facebook?
Kam nja dy komente. Ka kohë që kam hequr dorë nga përpjekja për të shpjeguar si apo pse Z. Berisha sillet ashtu siç sillet. Në lidhje me referencën për SHQUP, është e qartë që nuk synonte të tregonte mungesë respekti. Me sa kuptoj, ajo ka qenë ndërtesa e vjetër SHQUP. Kësaj ambasade i referohet shpesh si ‘Rruga e Elbasanit.’ Selia e vjetër e PD ishte ‘Selia Blu,’ më duket. Ma merr mendja, do quhej Selia Blu e Re ose diçka e tillë. Kam dëgjuar t’i referohet si SHQUP dhe ky ka qenë konteksti. Nëse problemi është se e përdor Z. Rama, atëherë me sa duket nuk mund të them asgjë që e thotë edhe Z. Rama.
Pikërisht ky është problemi.
Ndaj, mendoj se është paksa e padrejtë; është pak e tepruar. Por, po i kthehem shkurt komenteve dhe pyetjes tuaj nëse do të kisha ndryshuar ndonjë gjë apo a kishte ndonjë pjesë të padrejtë; shumë njerëz me të cilët kam folur dhe me të cilët ka folur stafi menduan se intervista ishte shumë e balancuar dhe se ishin të habitur që ndoshta ishte aq kritike ndaj qeverisë, çka më tregon mua që ndoshta ka një perceptim se Ambasada ka punuar shumë ngushtë me qeverinë, ndaj nuk më duket se kjo është diçka e keqe që kishte disa pika, këshilla miqësore nga ambasada amerikane që ju mbështesim për reformat, që duam të keni sukses por ndoshta është më mirë të ngadalësoni pak dhe të siguroheni që njerëzit janë pas jush. Shumica e njerëzve seriozë na dhanë komente të mira.
Për mua dhe, dukshëm edhe për shumë njerëz, ju jeni ndoshta ambasadori amerikan më i hapur dhe më i drejtpërdrejtë. Duke qenë kaq i hapur, a mendoni se ju ka vënë në kundërshti me shumë njerëz në politikë? Ndoshta jeni simpatizuar nga njerëzit e zakonshëm, por në kundërshti për shkak të atyre që keni thënë në kohë të ndryshme për politikanë të ndryshëm që nuk i kanë pritur fort mirë komentet tuaja. E keni problem këtë sepse, duke iu kthyer statusit të Z. Berisha, një prej gjërave që shkruante ishte se nuk po largoheshit si mik i popullit shqiptar. Është më mirë të largoheni si mik i popullit shqiptar se sa i politikanëve të ndryshëm? Është kjo një mënyrë për ta përmbledhur qëndrimin tuaj këtu?
Kam dy komente dhe në fillim do merrem me pyetjen tuaj kryesore. Në lidhje me Z. Berisha, përpara se të vija këtu, kisha dëgjuar nga shumë njerëz në Shtetet e Bashkuara, por sigurisht edhe nga njerëz këtu në Shqipëri, lidhur me marrëdhënien e tij, historinë e tij me ambasadorët amerikanë dhe si kushdo që është i ri, isha i vendosur që të ishte ndryshe, që mandati im ishte sigurisht të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara dhe kjo sigurisht përfshin të punosh me qeverinë e zgjedhur të Republikës së Shqipërisë sa të mundesh dhe në atë kohë Z. Berisha ishte Kryeministër. Nuk kemi pse t’i kthehemi gjithë historisë së 2011, por mendoj se mora shumë kritika nga kundërshtarët e Z. Berisha për këtë arsye. Nuk bëra ndonjë shfajësim atëherë dhe sigurisht s’kam ndërmend ta bëj tani. Ua lë njerëzve të vlerësojnë, ndërsa unë largohem, se si do ta karakterizojnë marrëdhënien time me të apo me politikanë të tjerë. Por, mendoj që në fund, njerëzit duhet të pyesin: A ka ndonjë cen të brendshëm në sistemin amerikan që zgjedhin këta ambasadorë që arrijnë me qëllime të caktuara dhe pastaj largohen me një histori të caktuar? A ka ndonjë gjë të gabuar në themel tek këta individë, përfshi edhe mua, apo mos problemi qëndron diku tjetër?
Shumë njerëz vrasin mendjen, ashtu si dhe unë: A ndryshoi Z. Berisha? Ndryshoi sistemi? Ndryshoi ambasadori amerikan, Z. Arvizu? Apo në fillim ishte një marrëdhënie e rregullt dhe pastaj gjërat ndryshuan?
Pak pasi erdha këtu, kishte disa njerëz, shumë pranë Z. Berisha, që thanë se do dëgjosh shumë gjëra për Doktorin, dhe shumë histori. Këta njerëz thoshin se ai ka personalitet shumë të fortë, bindje të forta, por është shumë pro-SHBA, pro-perëndimor. I dëgjon këshillat, kritikat konstruktive etj. Përgjigja ime për këtë në atë kohë ishte, “Mrekulli sepse një miqësi e vërtetë, një partneritet i vërtetë mund të bazohet vetëm tek parimi se hera-herës duhet të biesh dakord të mos jesh dakord.” Shumë herët, pati një test të madh që ishte protesta e 21 janarit dhe gjithçka pasoi atë. E mbani mend që PD në atë kohë kishte planifikuar një kundër-protestë, mendoj ‘paqe dhe miqësi’ ose diçka e tillë, nuk më kujtohet saktë, ishte 24 ose 25 janar. Z. Berisha tha se planifikonte të vepronte sipas planit. I kisha kërkuar ta rimendonte sepse situata ishte shumë e paqëndrueshme në atë kohë; ndoshta ishte më mirë të mos kishte një kundër-protestë. Më dëgjoi me vëmendje, por nuk është se premtoi. Edhe një zyrtar shumë i lartë i Departamentit të Shtetit, Z. Gordon, Ndihmës-Sekretari – paraardhësi i Victoria Nuland – i telefonoi dhe bisedoi me të. Të njëjtën gjë bëri edhe Kongresmeni Engel. Mendoj edhe disa të tjerë. Ai e rimendoi dhe siç e dini, e anuloi protestën. Ne zhvilluam një konferencë shtypi. E përgëzova për këtë dhe pikërisht nga aty doli komenti i famshëm ose famëkeq ‘prej burri shteti.’ Arsyeja që hyj në hollësi është që në këtë ambasadë dhe jashtë saj pati shumë njerëz që thanë mos humb kohën, nuk ndodh që Sali Berisha ta anulojë. Më thoshin, s’ka asnjë mënyrë që ta bëjë. Kur pyesja ‘pse,’ përgjigja ishte, kur Sali Berisha vendos diçka, nuk tërhiqet mbrapsht. Përgjigja ime për këtë ishte, nëse e dëgjon zërin e arsyes dhe më kanë bërë të besoj se do ta bëjë, mendoj se do ta rimendojë. Dhe për meritën e tij, e bëri. Përsëris, ishte diçka e mirë që protesta nuk u zhvillua. Ky ishte fillimi si të thuash. Sigurisht, pasuan shumë ngjarje e histori. Mendoj se shumica e njerëzve e kuptojnë. Vlerësimi im tani, teksa largohem, është që Z. Berisha ka dhënë shumë kontribute për vendin gjatë 24 viteve të shkuara. Ishte një mjek i zoti përpara kësaj, por flasim për karrierën politike. Kur je në majë të pushtetit ose në majë të opozitës për 24 vjet, nuk ndodh që të arrish t’i kënaqësh të gjithë ndaj do jenë ata që i quajmë ‘ata që e urrejnë Berishën’ dhe ‘ata që e adhurojnë Berishën’ si dhe shumë njerëz në mes. Është diçka që vjen prej detyrës. Për sa i përket marrëdhënies sonë, një prej keqardhjeve që kam është se nuk ia dolëm dot të arrinim një marrëdhënie ku të mund të binim dakord për të mos rënë dakord. Nëse unë kam një pjesë të përgjegjësisë për këtë, dhe s’kam dyshim që kam, atëherë e pranoj, por nuk mendoj se përgjegjësia është vetëm e imja, e kësaj zyre. Miqtë, partnerët duhet të jenë të aftë të bien dakord për të mos rënë dakord dhe s’ka pse të personalizohet. Ky është vlerësimi im dhe gjëja e dytë që do shtoja, e fundit, është se kthej vështrimin pas tek disa nga njerëzit që thanë, është tjetër njeri, nuk është Sali Berisha i viteve 1991-1992. Gjatë kohës sime këtu, kam patur mundësinë të lexoj dhe të bisedoj me shumë njerëz dhe mendoj se, për mirë a për keq, në thelb është i njëjti person. Disa njerëz ndryshojnë; në SHBA kemi një term, disa njerëz ‘rishpikin’ veten. Disa njerëz e shohin lehtë këtë, por nëse je në politikë, apo në biznesin e show, në fakt është një element kritik për sukses, aftësia për të rishpikur veten. Sepse nuk ka shumë akte (skenarë) politike apo argëtimi që zgjasin për një periudhë të gjatë kohe. Po përdor Madonën, jo si diçka rastësore, por në mënyrë shumë serioze – për një artiste si ajo, për të patur sukses gjithë këto vite, i është dashur të rishpikë veten shumë herë. Ishte suksesi i saj, krijueshmëria e saj, nisma e saj. Disa politikanë janë të aftë ta bëjnë këtë. Ndërsa atë nuk e fut dot në këtë kategori. Ky është vlerësimi im pasi kam kaluar katër vite këtu. Nuk është se po i vesh ndonjë cilësi pozitive e nuk është se po i vesh një cilësi negative.

Do doja të dëgjoja mendimet tuaja për katër vjet më parë, kur Departamenti i Shtetit ju propozoi idenë për të shërbyer si ambasador në Shqipëri. Cilat ishin mendimet tuaja? Dinit ndonjë gjë për vendin, për njerëzit? Kur dëgjuat për herë të parë ‘Shqipëri’, cili ishte reagimi juaj i parë?

Kur dëgjova për herë të parë, kur m’u tha se po konsiderohesha për dy ambasada, dhe njëra ishte Shqipëria, reagimi i parë ishte i një përulësie, kënaqësie të madhe që po konsiderohesha. Ishte zyrtar i lartë në Departamentin e Shtetit. Kisha pasur një karrierë shumë të suksesshme dhe shpërblyese deri atëherë, por të konsiderohesh për postin e ambasadorit, është vërtetë një nder. Gjithsesi, ishte shumë surprizë për mua sepse pjesa më e madhe e karrierës sime ka qenë kaluar për çështje të Azisë Lindore dhe Paqësorit ndaj kjo doli papritur. Dija shumë pak për Shqipërinë. Dija gjërat bazë; dija sigurisht për vitet e Hoxhës, dija ngjarjet kryesore, prishjen me Titon, pastaj periudha e shkurtër me sovjetikët dhe pastaj ajo me kinezët dhe pastaj dalja më vete, këto i kuptoja. Por nuk kisha dijeni për disa nga konfliktet në vitet ’90. Kjo ngaqë isha i angazhuar me një pjesë komplet tjetër të botës, konfliktin në Ballkan e ndiqja bazuar në ato që lexoja në gazeta, por nuk kisha ndonjë marrëdhënie profesionale me Ballkanin në atë kohë. Kështu, dijet e mia për Shqipërinë ishin thuajse minimale, por një anekdotë interesante këtu është që jemi miq të mirë me Kristofer Hill që ishte i ngarkuar me punë këtu, jo ambasadori i parë, ishte i ngarkuar me punë gjatë asaj periudhës kritike të vitit 1991. E kam njohur Krisin nga viti 1985 kur ishim të dy në Korenë e Jugut dhe kemi mbajtur lidhje gjithë këto vite. Nuk e mbaj mend saktë, por kemi qenë një herë duke parë një ndeshje ose duke kthyer një gotë, ose të dyja bashkë, kur filloi të tregonte disa histori nga Shqipëria. I tregonte me shumë dashamirësi, ishin për të qeshur. Më kishin ngelur në mendje. Kur dëgjova se ndoshta do të propozohesha për në Shqipëri, më shkoi në mend Kris Hill. Fola me të dhe më tha, ‘Patjetër. Do jetë përvoja e jetës.’ Pyeta në Departamentin e Shtetit, sa kohë kisha, nëse mund të bisedoja me time shoqe dhe më thanë, ‘Sigurisht, shko në shtëpi dhe bisedo dhe na kthe përgjigje nesër.’ Bisedova me Anne dhe më tha: si të duash ti. Dhe iu thashë, nëse oferta ka ende vlerë, do doja të konsiderohesha për në Shqipëri dhe më thanë dakord, do të të njoftojmë. Duhen kaluar gjithë proceset e gjata të kontrolleve të historisë dhe verifikimi në Senat, njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, kërkesa për agrement, gjithë hollësitë diplomatike. Ndërkohë, përpiqesha të thithja sa më shumë mundesha për Shqipërinë – ishte fantastike. Ky është historiku.
Kur erdhët këtu për herë të parë, muajt e parë, cilat ishin disa nga gjërat që ishin të çuditshme? Të çuditshme për një diplomat amerikan dhe a janë zbutur tani, i pranoni si normale në këtë vend apo ju habisin ende?

Po them këtë: shumë shqiptarë thonë, duhet të jetë shokuese për ju amerikanët të vini këtu dhe të gjeni një mjedis kaq të polarizuar politik. Përgjigja ime atëherë dhe përgjigja ime tani janë njësoj: po, është shumë zhgënjyese, duket plotësisht e panevojshme, por nuk është se më goditi dhe nuk është se thashë me vete, “Zot, s’kam parë një shoqëri ku politika të jetë kaq e polarizuar.” Ky është avantazhi i qenies një diplomat karriere dhe në rastin tim, kam qenë në Korenë e Jugut gjatë një periudhe shumë të trazuar. Kam shërbyer në Tajlandë dy herë dhe për fat të keq isha atje për dy grushte shteti, kishte dhunë në rrugë. Kam qenë në Kamboxhia, ku ka shumë polarizim. Japonia është vendi që s’ka të ngjashëm; politika atje është mjaft unike. Edhe sot, kur shikoj pas dhe siç thashë, është diçka fatkeqe dhe duket se në rastin e Shqipërisë është tërësisht e panevojshme, por nuk është se pata ndonjë habi të veçantë, nuk më goditi. Është diçka me të cilën duhet të merresh dhe të përpiqesh të përdorësh emrin e mirë që kemi si përfaqësues të Shteteve të Bashkuara në përpjekje për të bërë dy gjëra: njëra, përpjekja për të nxitur palët të kapërcejnë disa prej dallimeve tek e përditshmja, në nivelin taktik. Këtë javë për shembull ishin negociatat për të bërë që PD të kthehej në parlament. Dmth, diçka afatshkurtër – e rëndësishme, por afatshkurtër, e ngushtë. E kam bërë këtë për katër vjet. Por, është edhe interesi afatgjatë, i cili është përpjekja për të promovuar të qenit më të hapur, brenda partive, mes partive, mes aktorëve politikë. Nuk dua të ekzagjeroj suksesin tonë, por e shoh me shumë kënaqësi fushatën e zgjedhjeve në 2013 kur kjo ambasadë, në bashkëpunim me ‘Act Now’, mbështeti dhe organizoi tri seri debatesh rinore, të partive. Kishim një në Shkodër, një në Fier dhe një këtu në Tiranë, ku prezantuam një stil të ndryshëm debati. Ishte diçka e bukur, diçka e re, e ndryshme. Bazohej në modelin amerikan. Nuk aplikohet këtu në Shqipëri, të paktën ende jo, por njerëzit që e panë e pëlqyen. Më vjen mirë që një prej pjesëmarrësve tani është deputete, Kejdi Mehmetaj nga LSI. Një prej pjesëmarrësve të PD, Arbër Kadia, mendoj është ende aktiv në parti, drejton dhe një program në TV. Dy nga vajzat e PS i kam parë në disa aktivitete të partisë dhe mendoj se kanë poste në parti. Na vjen mirë për këtë. Por mendoj se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis çështjeve afatshkurtra, taktike, atyre ditore, dhe kjo është me rëndësi; pjesë e detyrës. Mendoj se çdo ambasador i mirë, çdo ambasadë e mirë përpiqet prapëseprapë të shohë afatgjatën, ndryshimet institucionale apo ndryshime në mënyrën se si njerëzit i shohin gjërat, mënyrën se si votuesit shohin çështjet. Ndaj mendoj se kemi arritur pak sukses në përpjekjen për t’i orientuar njerëzit drejt këmbënguljes që politikanët të merren më shumë me mënyrën se si do merren me këtë çështje shoqërore apo atë sfidë shoqërore, në vend të sharjeve, në vend të të treguarit me gisht të ngjarjeve të së shkuarës, apo familja e kujt bëri këtë apo e kujt bëri atë, pra më shumë fokus tek çështjet.

Siç e dini, MAPO pati një kryeartikull fundjavën e kaluar, lidhur me 7 gjurmët e Arvizu dhe tani që e përmendni, jam dakord që ‘Act Now’ do të kishte qenë gjurma e tetë e Ambasadorit Arvizu. A mendoni se ideja juaj për ‘Act Now’ do të vazhdojë pasi të largoheni? Është politikë e ambasadës amerikane apo me largimin tuaj do të ndalojë?
Së pari, ambasadori i ri ka pasur plot kohë, kohë të gjatë për të menduar për ato që do që të bëjë. Me siguri do të vendosë të vazhdojë disa gjëra. Do zgjedhë të bëjë disa ndryshime. E di që do të jetë shumë mbështetës për shoqërinë civile. Do të jetë shumë mbështetës i organizatave të qytetarëve, të përfshirjes politike. Pra, nuk ka diskutim për këtë. Ajo që jam përpjekur të bëj me ‘Act Now’ ishte që ai mekanizëm të promovonte më shumë aktivizëm të qytetarëve. Shpesh punojmë me OJQ, por nuk ka synuar ndonjëherë si program për të ndihmuar apo ndërmjetësuar për OJQ si të tilla. E para, nuk ka pasur fonde të lidhura me ‘Act Now’. Na u desh të përdornim programe e grante ekzistuese, qoftë nga Marrëdhëniet me Publikun, USAID, Korpusi i Paqes, por u përpoqa t’i orientoja ato aty ku mund të promovonin aktivitetin midis qytetarëve dhe udhëheqësve të tyre të zgjedhur, qoftë në nivel qendror apo nivel vendor.

A mendoni se pikërisht ideja që promovuat, ‘Act Now’, u përdor ose u shfrytëzua për të nxjerrë njerëzit në rrugë kur dolën për të protestuar kundër armëve kimike? A mendoni se ai mjet, në njëfarë mënyre, u përdor kundër jush, kundër interesave amerikane?

Ma kanë bërë edhe më parë këtë pyetje. E kam thënë dikur dhe e përsëris. Ne punuam shumë ngushtë me qeverinë lidhur me çështjen e eliminimit të armëve kimike – në fakt ishin agjentët dhe prekursorët. E vlerësuam atë që bënë në përpjekje për ta bërë realitet dhe nuk funksionoi. Ndaj, edhe pse harxhova shumë orë dhe ditë duke punuar shumë fort për ta realizuar këtë mundësi – dhe nuk do ta kishim bërë nëse nuk do të ishim absolutisht të bindur që mund të bëhej në mënyrë të sigurt, pa rrezik për popullin shqiptar. Mendoj që kjo është e vetëkuptueshme, por them se gjithsesi duhet ta pohoj përsëri. Megjithatë, protestat, mendoj se ato pasqyruan një numër faktorësh: përdorimi i medias sociale; kam dëgjuar për disa ndikime të jashtme; nuk jam në pozitë ta gjykoj këtë. Por, jo, një pjesë e imja e mirëpriti faktin që njerëzit kishin ndjenja të forta për një çështje; do të doja të kishin pasur më shumë informacion, sepse mendoj që nëse do të kishin më shumë informacion dhe informacion më të mirë, ndoshta llogaritjet e tyre do të kishin qenë ndryshe. Por, ky është ujë që ka kaluar nën urë. E rëndësishmja është që protestat ishin paqësore. Qenë organizuar nga grupe qytetarësh të shqetësuar. Kjo nuk është aspak gjë e keqe. Kështu që kam një vlerësim pozitiv për atë periudhë.
Çfarë do t’ju mungojë më shumë nga Shqipëria, kur të jeni në Uashington? Ose çfarë do t’ju mungojë më pak? Ose kush do t’ju mungojë më pak?

Është pak e vështirë kur je ende këtu. Alfred, do jem i sinqertë. Do të më mungojë ngrohtësia e mirëfilltë, mikpritja e njerëzve. Ka një ndjenjë pabesueshmërisht të ngrohtë ndaj amerikanëve dhe njerëzve që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara, qeverinë e SHBA. Mendoj shembulli më i mirë është ai i vizitës së Presidentit Bush këtu. Nuk kam qenë këtu atëherë, por kam parë filmimet; kam folur me shumë njerëz dhe më kanë treguar që nuk ka të dytë. E di nga bisedat me shumë shqiptarë se sa vlerësohet Presidenti Obama dhe e di që do t’i pëlqente të kishte ato përqindje vlerësimi që ka këtu krahasuar me ato që ka në vendin tonë tani. Por ajo që po them është që për shumë amerikanë, do të ishte shumë e vështirë të gjenin njerëz që mbështesin me entuziazëm si George Bush ashtu dhe Barack Obama. Do jenë ose në njërin krah ose në tjetrin, ose tek asnjëri, por 90% e shqiptarëve e duan Barack Obamën dhe e duan edhe George Bushin. Pra, nuk ka të bëjë me politikat, me personalitetet si të tilla, por ngaqë është presidenti i zgjedhur demokratikisht i Shteteve të Bashkuara. Përfaqëson popullin e SHBA. E njëjta është edhe për ambasadorin. Të gjithë jemi njerëz; përpiqemi ta bëjmë punën mirë, por asnjëherë nuk e kam gënjyer veten qoftë për një minutë se ka të bëjë me Alex Arvizu; nuk ka të bëjë me Marcie Ries; nuk ka të bëjë me John Withers apo Jim Jeffrey, apo Joseph Lake apo ndonjë tjetër; ndodh sepse ne jemi përfaqësuesi personal i Presidentit. Jemi ambasadorë amerikanë dhe do të jetë e njëjta gjë edhe për Don Lu dhe për ata që do ta pasojnë atë.

Megjithatë, a gjeni një kontradiktë te kjo që thatë? Jo ajo që thatë, por ajo se shqiptarët duan një vend dhe një sistem, atë amerikan, por pastaj nuk janë të aftë t’i mishërojnë këto parime dhe t’i aplikojnë këtu? Për mua, ka një kontradiktë. Ky është një sistem dhe duhet ta aplikojmë, por është një lloj dashurie e çuditshme që nuk vihet në punë. A është kjo një nga gjërat që ndoshta do ta kritikonit pak, për të shkuar tek pjesa e dytë e pyetjes, se çfarë do t’ju mungojë më pak. Ka diçka të gabuar? Është makineria politike? Janë njerëzit? Janë 50 vitet komunizëm që fajësojmë zakonisht? Keni qenë katër vite këtu dhe ndoshta mund të provoni t’i jepni përgjigje.

Patjetër. Më lejo t’i përgjigjem kësaj si dhe një prej pyetjeve më parë që nuk iu përgjigja plotësisht, por që lidhen mes tyre. Së pari, kur shikon politikën në SHBA, nuk jam i sigurt që ne jemi në nivelin e standardeve tona apo fjalëve tona. Si qytetar amerikan, shkurajohem hera-herës nga mungesa e qytetarisë në disa nga debatet tona politike. Hera-herës lexoj komente nga senatorë të SHBA; kam folur me disa prej tyre. Senati ka një prej këtyre frazave – organi më i madh legjislativ i botës – dhe ka një lloj mitologjie për Senatin, si të thuash. Janë të gjithë and zotërinj ose zonja, por Senatorët, sidomos ata si John Kerry ose Joe Biden që kanë qenë në Senat për shumë kohë, që kanë shkruar dhe folur për mënyrën se si ka ndryshuar. Hera-herës nuk binin dakord, ashpër, me njëri tjetrin në të kaluarën, por gjithmonë kishte një lloj qytetarie, një nivel respekti për personin në krahun tjetër dhe thonë se duket sikur është duke humbur në Shtetet e Bashkuara. Pra, edhe ne vetë duhet të bëjmë një punë më të mirë për të qenë në nivelin e idealeve tona. Në rastin e Shqipërisë, është diçka e mirë që njerëzit janë pasionantë për politikën. Është vend i vogël dhe po të më pyesje mua – çfarë duhet të mbajë në mend ambasadori i ri ose dikush tjetër që vjen këtu – është që ky është vend i vogël, si në përmasa edhe për nga popullsia. Praktikisht, kushdo njeh këdo, ose të paktën familjet. Thjesht duket sikur çdo gjë është e ngarkuar në nivelin turbo këtu – politika, media, kultura, çdo gjë. Është si një familje e madhe dhe si në çdo familje, nëse di tepër për punët e tjetrit, nuk është diçka e mirë. Është më mirë nëse ka më shumë hapësirë dhe në Shqipëri nuk ka hapësirë të mjaftueshme. Flas për politikën, marrëdhëniet personale. Vendi është i vogël. Mendoj që njerëzit kanë shumë pasion dhe ka shumë energji, diçka e mirë kjo, sepse mendoj që është e mundur që në një vend kaq sa juaji, nëse njerëzit do të ishin pasivë dhe jo fort të interesuar, dhe do kalonin mirë, por këtu ka kaq shumë njerëz jashtëzakonisht të zgjuar, energjikë, por nuk ka hapësirë sa duhet dhe përplasen mes tyre, përplasin kokat gjithë kohën. Mendoj se 45 vitet e komunizmit kishin shumë të bënin me këtë, ose sigurisht që ajo periudhë ka qenë kohë e humbur ndërkohë që eksperimenti demokratik i vendit duhet të kishte vazhduar por ajo ishte kohë e humbur dhe, për shkak të politikave të Hoxhës, Shqipëria ishte në një si shtrembërim kohe dhe përvoja komuniste nën Hoxhën ishte shumë e ndryshme nga ajo që provuan njerëzit në Çekosllovaki, Hungari, edhe Rumani e Bullgari, Gjermani Lindore, Poloni; ishte shumë ndryshe. Pra, ka qenë një si sprint për 24 vitet e fundit dhe ka pasur shumë përparim, por 24 vjet është kohë e shkurtër kur e sheh krahasuar me historinë por është edhe kohë e mjaftueshme që njerëzit të duan të shohin ndryshim dhe mendoj njerëzit atë po shohin.
Doja të prekja shumë shkurt atë që the me qenien time shumë i hapur. E kuptova pak pasi erdha këtu që njerëzit, shqiptarët pra, i japin shumë vlerë asaj që thotë ambasadori apo ambasada për një çështje të caktuar. Do kishte qenë e lehtë – për mua personalisht do kishte qenë frustruese – por do kishte qenë shumë e lehtë t’i qëndroja udhëzimeve nga lart, siç themi, ose siç thonë – bla, bla, bla. Mund ta kisha bërë. E para, nuk mendoj se do ma kishte vënë veshin njeri pas tre muajsh. Ndoshta do isha larguar me shumë pak kritika por edhe me shumë pak miq. Do e kishin vlerësuar që ishte ambasadori amerikan, por do thoshin: kush ishte ky? Tha ndonjëherë ndonjë gjë që kishte kuptim ose që pati ndikim? Dhe, mendova me vete: nuk do ta bëj këtë. M’u dha ky nder, ky post, kjo mundësi për t’u përpjekur të përfaqësoj Shtetet e Bashkuara dhe do përpiqem me shpresë të kem ndikim në këtë vend, në kuptimin pozitiv. Po lexoja diçka sot për parimet bazë të diplomacisë publike, mesazhet publike dhe po e përsëris, është e lehtë t’i qëndrosh udhëzimeve. Kam aq përvojë sa ta di që nuk mund ta marrësh lehtë; nuk është se përfaqësoj ndonjë korporatë private; përfaqësoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara dhe çdo gjë që them, që thotë kjo ambasadë, duhet të reflektojë mirë për Shtetet e Bashkuara, e para; dhe e dyta, duhet të jetë konsekuente me politikën e administratës. E kuptoj këtë, por mund të them ndershmërisht që kur hedh sytë në katër vitet e kaluara dhe çdo gjë që kam thënë apo kam bërë, çdo gjë që kjo ambasadë ka thënë apo ka bërë, e kemi bërë duke i kuptuar parimet që përmenda.

Do mendonit ndonjëherë që të shkruanit kujtime për kohën tuaj në Shqipëri?

Mendoj se do ishte më mirë nëse do mblidheshim bashkë me Marisa Lino, Jo Lake, Jim Jeffrey, John Withers, dhe nëse do bënim një vëllim ndoshta unë mund të isha redaktori i kontributeve të tyre dhe mund të shkruaja parathënien ose diçka e tillë. Kështu, do kisha mundësi ta kuadroja vëllimin dhe do kisha më pak punë se sa nëse shkruaja çdo gjë vetë.

Nëse do t’i linit ndonjë këshillë Z. Lu, cila do ishte, lidhur me aktorët politikë, vetë Shqipërinë, njerëzit këtu?
E para, do thosha, “Do kalosh përvojën e jetës tënde,” siç m’u tha mua. Nuk do ketë kuptim kjo deri sa të ketë ardhur dhe të ketë jetuar këtu sepse duhet ta provosh. Do ta kuptojë shumë shpejt këtë. Ai e kupton që përfaqëson Shtetet e Bashkuara ndaj është e panevojshme të them gjë në këtë drejtim. Do thosha që ky është një vend me njerëz që dëgjojnë me shumë vëmendje atë që thua; media dhe mjedisi politik këtu është i tillë që do thuash diçka tërësisht korrekte dhe plotësisht neutrale dhe do shtrembërohet në një drejtim nga njëra palë dhe në një drejtim tjetër nga një palë tjetër. Është pak shkundëse herët e para që ndodh. Dhe thua me vete, “Ou? Thashë saktësisht atë që doja të thosha! Si ta shpjegoj këtë titull në media?” E vetmja këshillë e vockël nga unë është: mos e lër këtë të të zmbrapsë. Mendoj se Z. Lu, si çdo ambasador i mirë e kupton rëndësinë që ka marrja e risqeve në mënyrë krijuese e të mençur. Nuk mund të marrësh kot, por duhet të jesh gati të marrësh dhe të llogarisësh risqe. Mendoj se ky është një vend ku ky qëndrim të shpërblehet dhe njerëzit do ta vlerësojnë nëse flet nga zemra dhe kuptojnë që gjithmonë përfaqëson Shtetet e Bashkuara, që i ke për zemër njerëzit e këtij vendi – nuk flas për elitën apo për një pjesë, por për të gjithë vendin; që është në interes të miqësisë midis dy vendeve tona që demokracia të vazhdojë të përparojë dhe të rritet këtu dhe nëse flet me këto në mend, gjithmonë do dalësh mirë në fund. Nuk mund t’i kënaqësh të gjithë dhe as nuk duhet të jetë ndonjë garë popullariteti, por njerëzit e vlerësojnë kur je i hapur, i çlirët, i sinqertë, vlerësojnë cilësitë e mirëfillta njerëzore. Mendoj se ngaqë shqiptarët kanë pasur kaq shumë ulje-ngritje në historinë e tyre, mund ta kuptojnë që larg. Nuk mund të përdor fjalë të pahijshme se MAPO është gazetë familjare, por shqiptarët e dinë kur dikush nuk është i drejtë ndaj tyre. E kuptojnë kur dikush luan me ta, ndaj do thosha, thuaj të vërtetën. Përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe nuk mund të thuash çdo gjë që ke në mend, por bëje sa më shumë të mundesh dhe do mund të largohesh me kokën lart dhe mendoj që njerëzit në këtë vend do të të vlerësojnë për këtë.

Çfarë patë të pakëndshme apo të gabuar që ju bëri të shkruanit atë status në Facebook ose Twitter lidhur me Enver Hoxhën dhe, a ishit të kënaqur kur patë një reagim shumë të shpejtë… praktikisht, portretet dhe flamujt u ulën? Ishit të kënaqur me këtë apo thjesht…

Si amerikanë, gjithmonë besojmë në lirinë e shprehjes, më e para dhe e rëndësishmja. Është amendamenti i parë i kushtetutës sonë ndaj është me rëndësi. Isha edhe në Spaç përpara dy javësh; ishte shumë e rëndësishme për mua që të shkoja përpara se të largohem nga Shqipëria. Ajo që m’u duk shqetësuese për atë incident posaçërisht – ishte dita e çlirimit të Tiranës, nuk e mbaj mend, shtatë…

Data 17…

Nuk mendoja se do ta mbaja mend, 17. E di sa fort ka punuar kjo qeveri për të projektuar një vizion për një Shqipëri të re, një Shqipëri ndryshe, më afër perëndimit dhe ka pasur sukses në shumë drejtime. Ka ende shumë punë për të bërë – Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit do ishin të parët që do ta thoshin këtë. Por, për fat të mirë Shqipëria tani ka statusin kandidat; është anëtare krenare e NATO-s prej vitit 2009. Ka një marrëdhënie të posaçme, thuajse unike me Shtetet e Bashkuara. Pra, ka shumë gjëra pozitive dhe sigurisht, çlirimi i vendit, i Tiranës nga nazistët në vitin 19444, është diçka që duhet përkujtuar me krenari. Në gjithë këtë kontekst dhe në këtë kuptim, të shohësh praktikisht të gjithë kabinetin, kryetarin e parlamentit, gra, fëmijë dhe – siç tha Z. Rama – disa njerëz të çuditshëm prapa me portretet e Enver Hoxhës. Ishte imazh disi tronditës. Ishte sikur: Çfarë ka që nuk shkon kjo pamje? Ndaj, u ndjeva i detyruar të komentoja dhe jam i lumtur që e bëra. Përsëris, e bëra sepse e ndjeva në mënyrë të mirëfilltë, por edhe sepse e kuptoj që nëse flet ambasadori amerikan, njerëzit do e vënë re. Jo të gjithë do jenë dakord, dhe qartësisht jo të gjithë ishin dakord siç pamë nga komentet në Facebook, por njerëzit sigurisht e vunë re. Dhe mendoj se pjesa më e madhe e njerëzve e vlerësuan, njerëz në të djathtë, njerëz në të majtë; nuk e kam këtë si koment politik apo si kritikë politike për ndokënd, por nëse do kishte dalë Edi Paloka dhe do kishte thënë diçka, do ishte injoruar, sepse ai përfaqëson një grup të caktuar, një pikëpamje të caktuar; pala tjetër ose do e kishte injoruar ose do ishte përgjigjur me diçka tjetër dhe do kishte humbur gjithçka; do ishte parë thjesht si zhurmë, por ngaqë ne jemi Shtetet e Bashkuara, edhe pse njerëzit mund të mos jenë dakord me ne gjithë kohën, edhe pse njerëzit mund të mos kenë ndonjë ndjenjë aq të mirë për një ambasador të caktuar në një kohë të caktuar, nëse Shtetet e Bashkuara flasin, mendoj se diku brenda, njerëzit e kuptojnë që, ‘Ok, ajo që vjen nga ambasada, ka për zemër interesat e popullit shqiptar dhe ndoshta duhet dëgjuar.’

Një pyetje të fundit. Kishit disa komente pozitive për qeverinë e re. Në vitin 2011, kur kjo qeveri ishte në opozitë, kishit përmendur disa celula anti-amerikane. A nuk mendoni se në njëfarë mase, kjo qeveri e re është paksa, disi le të themi e sponsorizuar nga këto celula anti-amerikane, nëse do bënim një lidhje sipërfaqësore, sigurisht, por për hir të argumentit, le të përpiqemi të gjejmë një lidhje…

E para, asnjëherë nuk tregova se cilat ishin celulat anti-amerikane dhe mendoj se në kohën kur e thashë, nuk kisha në mend një grup të caktuar. Një koment të shkurtër për këtë qeveri, marrëdhënien time me shumicën, dhe nuk dua të jetë vetëm për Kryeministrin, por ai ka folur për këtë dhe të dy kemi folur publikisht dhe meqenëse është intervista ime e fundit, mendova ta përmend. Kur kthej sytë pas në katër vitet, debatet, argumentet më të vështira, më të nxehta që kam pasur me ndokënd, privatisht, ishin me Edi Ramën. Më kujtohet një herë, ishim në zyrën e tij në PS; ishte një çast qetësie totale, më pa në sy dhe më tha: “Nuk më besohet që sapo e the këtë”. Iu përgjigja: “Edhe vetë jam pak i habitur që e thashë”. Pra, kemi pasur dallime të vërteta, por për një kombinim arsyesh, gjërat ndryshuan. Mendoj se pikëpamjet e mia, pozicioni im, përfaqësimi i Shteteve të Bashkuara, ka qenë shumë konsekuent, qoftë në 2011, 2012, 2013, 2014 dhe duke ecur drejt 2015. Nuk mendoj se ka ndryshuar. Por fakti që tani ai është Kryeministër, kemi diçka që do e quaja një marrëdhënie të ngushtë bashkëpunuese, komunikim të mirë – prapë nuk biem dakord për gjithçka – por në pikëpamjen time, ai ose të paktën ne kemi kapacitetin të biem dakord për të mos rënë dakord. Dhe kjo është diçka që unë, dhe ambasada e kemi edhe me kryetarin e LSI, Kryetarin e Parlamentit. Është një cilësi e rëndësishme. Pra, bravo atyre dhe jam i kënaqur për këtë. Kështu duhet të jetë partneriteti i vërtetë.

Nuk po bëj pyetje shtesë për këtë. Ku po shkon PD? Po rinohet partia? I shihni zgjedhjet në parti si shenja pozitive? Basha si udhëheqës i ri. A mund të na jepni një profil të shpejtë të PD-së së re, apo është PD e vjetër dhe s’ka të re?
Është tepër herët të thuhet. Të gjitha partitë politike kalojnë në këto periudha, sidomos pas një humbjeje të madhe kur duhet të rizbulojnë rrënjët ose të mos humbin kontaktin me vlerat e tyre dhe PD, për meritë të saj, e ka pranuar këtë dhe ka thënë se iu duhet ta bëjnë këtë. Është e natyrshme. Ndodh me këdo. Ka ndodhur me republikanët dhe demokratët në SHBA në mënyrë të përsëritur dhe gjithmonë do të jetë ashtu. Mendoj se më shumë shqetësim për PD-në duhet të përbëjë që përqindja e votës së tyre ka rënë vitet e fundit. Nuk është prirje e mirë për asnjë parti dhe mendoj se është me vend që PD të reflektojë vërtet për këtë fenomen, jo thjesht qershori 2013. Si mik, dhe unë e konsideroj veten mik të PD, jam pak i shqetësuar sepse besoj që tenda, si nocion politik, duhet të jetë më e madhe. Ndoshta mund të mos rregullohet kushdo, por, nocioni i ‘ose je me mua, ose je kundër meje’, e tipit ‘këtu lejohen vetëm besnikët,’ është një recetë e sigurt për të qenë në opozitë për një kohë shumë, shumë të gjatë. Ndaj mendoj se PD-ja është në udhëkryq tani. Ai është i ri, është inteligjent, është telezhenik.

Është ende yll në ngjitje?
Është ai që ka detyrën tani. Dhe është detyra e tij ta bëjë të funksionojë. Është vërtetë në dorën e tij dhe mendoj se nëse bën zgjedhjet e duhura, ka një shans të kënaqshëm për sukses. Por, i duhet të bëjë zgjedhjet e duhura. Më lejoni të shtoj që është e rëndësishme jo thjesht për PD, jo vetëm për mbështetësit e saj, por është me rëndësi për të gjithë vendin, përfshi ata që janë kundër PD, pra shumica aktuale, apo edhe njerëzit në mes. Mendoj se ka shumë më tepër njerëz në mes se sa pranojnë shumica e shqiptarëve. Sepse një PD e fragmentarizuar, një PD e dominuar nga militantët – dhe këtu termin militant e përdor në kuptimin që ka në anglisht, jo shqip – nuk është në interes të vendit, aq më pak të PD. Është me rëndësi për PD si parti historike, prej vitit 1991-1992 të jetë një forcë konstruktive. Mund të kthehen, jam absolutisht i sigurt, por iu duhet të marrin vendimet e duhura. Dhe shpresoj për suksesin e tyre. Mendoj që tani është tepër herët ta thuash.

A do qëndroni në kontakt me ne shqiptarët? Do jepni intervista, do shkruani editoriale për gazetën time, të themi, kur të jeni në SHBA? Se Z. Withers e bëri.

E bëri dhe mendoj se fliste nga zemra dhe shkruante qartë. E njoh John personalisht si dikush që i ka shumë për zemër këtë vend dhe njerëzit e tij. Ka një rregull të pathënë se ambasadorët e mëparshëm nuk duhen parë apo dëgjuar për të paktën një vit, për respekt të ambasadorit të ri dhe unë sigurisht do ta respektoj këtë. Dua të mbaj kontakt me disa miq të mirë. Shpresoj se do të ketë mundësi për t’u lidhur në Uashington, jashtë Nju Jorkut, Detroit, Boston, ndoshta vendi më i mirë si destinacion për shumë shqiptarë. Pres me kënaqësi t’i takoj atje dhe të mbaj kontakt me disa me email ose sms. Ndjej se të gjitha vëzhgimet e mia për Shqipërinë, kontributi që kam dhënë në katër vitet e fundit, nuk mendoj se do kthehem dhe do mendoj, “E gjeta. Këtë duhet të kisha thënë. Kjo është receta për…”. Nuk parashikoj të shkruaj publikisht për Shqipërinë dhe nuk dua aspak të kritikoj ndokënd që e ka bërë këtë në të shkuarën. Thjesht nuk është stili im. Jam këtu deri në javën e parë të janarit. Deri në fund, dhe kjo është një lloj shprehje në sport, ‘do që ta lësh gjithçka në fushë; do ta lësh gjithçka në tavolinë’. Pra, kur të largohem, çdo gram të menduari krijues, energjie, dua ta kem shpenzuar të gjithë, që kur të largohem të mund të them se thashë dhe bëra gjithçka që munda dhe në mënyrën më pozitive të mundshme. Nuk mendoj se ka vërtet ndonjë gjë tjetër për të bërë, sa i përket këshillave apo mençurisë. Jam përpjekur t’i bëj të gjitha këto. Por, miqësitë, patjetër, jeta bazohet mbi to dhe do të më pëlqente t’i vazhdoj.

(er.cu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: