Në një intervistë të rrallë nga Princi Harry për programin Today të BBC Radio 4, ish-presidenti amerikan Barack Obama ka treguar rreth jetës së tij pas largimit nga Zyra Ovale në janar të 2017.

“Politikanët dhe personat e tjerë në pushtet nuk duhet të shkatërrojnë komunikimin civil por duket të përpiqen të bashkojnë shoqërinë”, tha ish kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Obama nuk e përmendi me emër pasardhësin e tij Donald Trump por tha se mediat sociale mund të çojnë në refuzimin e fakteve dhe përforcimin e paragjykimeve, duke e bërë më të vështirë bashkëbisedimin publik.” Të gjithë liderët duhet të gjejnë mënyra për të krijuar një hapësirë të përbashkët në internet”, shtoi ai.

Që kur është larguar nga detyra, jeta e tij duket sikur lëviz me një ritëm të ngadaltë, tha Obama, duke insistuar se ky ritëm mund të jetë çlirues nëse kjo do të thotë që ai mund të kalojë edhe 45 minuta më shumë duke biseduar me bashkëshorten e tij Michelle.

Trump ka qënë shumë kritikues ndaj Obamës personalisht dhe politikisht që kur erdhi në Zyrën Ovale, por Obama në intervistën e tij të parë që kur u largua nga detyra nuk shfrytëzoi rastin që të bënte të njëjtën gjë. Ai tregoi se i konsideronte reformat e tij në fushën e shëndetësisë si trashëgiminë e tij më të madhe. Gjatë intervistës Princi Harry dhe Obama gjithashtu diskutuan idenë e tyre të përbashkët për fuqizimin e një brezi të ri udhëheqësish të rinj në të gjithë botën, një çështje shumë e rëndësishme për Fondacionin Obama, nxitja kryesore për punën publike të Obamës pas largimit nga presidenca.

“Ky brez është më i sofistikuari, më toleranti në shumë mënyra dhe më i guximshmi, por ata nuk kanë shumë besim tek institucionet ekzistuese. Energjia e tyre, shpesh e paraqitur në internet, po pengohet nga influenca e atyre të cilët ndjehen rehat me pushtetin dhe mënyrën se si e ushtrojnë atë”, tha Obama. Duke këmbëngulur se ai nuk dëshironte të censuronte median sociale Obama tha se: “Çështja është se si ta përdorim këtë teknologji që mundëson një shumëllojshëmri zërash dhe pikëpamjesh, e cila nuk na çon drejt Ballkanizimit të shoqërisë sonë por vazhdon të promovojë mënyra të gjetjes së një baze të përbashkët?”

Ai shtoi se: “Të gjithë ne në lidership duhet të gjejmë mënyra që të krijojmë një hapësirë të përbashkët në internet. Një nga rreziqet e internetit është se njerëzit mund të kenë realitete totalisht të ndryshme. Ata mund të rrethohen nga informacione që përforcojnë paragjykimet e tyre aktuale.” Obama sakaq argumentoi se një nga mënyrat më të mira për të luftuar këtë tendencë është ‘të sigurohemi që komunitetet online nuk rrinë thjesht online por lëvizin jashtë internetit’. Sipas tij, mediat sociale kanë fuqinë që njerëzit të krijojnë kontakte por këta njerëz duhet më pas të takohen në vende të tjera dhe të njohin njëri tjetrin. “E vërteta është se në internet çdo gjë është e thjeshtë, por kur njerëzit takohen, ata zbulojnë se çdo gjë është e komplikuar”, tha ish presidenti amerikan.

Duke shprehur dëshirën e tij për të krijuar platforma për ndryshime shoqërore për të rinjtë, Obama këshilloi se thjesht dërgimi i një hashtagu mund të sjellë ndryshim, mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të rritur ndërgjegjësimin, por njerëzit duhet të dalin në terren dhe të bëjnë diçka. Duke reflektuar në ndryshimin personal pas largimit nga presidenca ai tha se “Është një gjë e mrekullueshme të jesh në gjendje të kontrollosh ditën tënde. Puna ime e mëparshme përfshinte shumë përgjegjësi. Tani kur zgjohem në mëngjes, mund të vendos se si të kaloj kohën time dhe çfarë duhet të bëj për gjërat që më interesojnë më shumë. Kjo gjë më bën të ndjehem mire”.

Sakaq i pyetur nga Princ Harry se çfarë i mungonte më shumë që kur ishte larguar nga posti, Obama u përgjigj se i mungonte shoqëria e ekipit të tij, duke shtuar se: “Kur unë kaloja në rrugë dikur, zakonisht shkaktoja shumë trafik, ndërsa tani bllokohem në trafik si gjithë të tjerët.”

Intervista e Princit Harry me ish presidentin amerikan Barack Obama u regjistrua në muajin shtator në Toronto por u mbajt e fshehtë për tre muaj.

(Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: