Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, në intervistën e dhënë për Log. në News 24, foli edhe për ecurinë e Shqipërisë në Nations League, teksa u ndal edhe te pritshmëritë për renditjen përfundimtare. Duka u shpreh optimist se skuadra do të mund të dalë në vend të parë, pas dy ndeshjeve të nëntorit, ato ndaj Çekisë dhe Ukrainës në shtëpi.

“Grupi është i balancuar në nivelin e ekipeve, i balancuar me gjendjen e klasifikimit që ka sot, kështu që çdo gjë mund të ndodhë në dy ndeshjet e fundit. Objektivi ynë që nga fillimi i këtij kompeticioni ka qenë që të jemi të parët e grupit dhe këtë do të vazhdojmë ta tentojmë në dy ndeshjet e fundit në nëntor në shtëpi kundër Çekisë dhe Ukrainës. I kemi të gjitha mundësitë për ta arritur! I kemi të gjitha mundësitë për të marrë 6 pikë, – sikurse edhe më pak, – sepse ky është futbolli. Aq më shumë në këtë kompeticion dhe në këtë grup, i cili vërtetë është shumë i balancuar dhe mund të sjellë çdo surprizë.

Të gjitha skuadrat e synojnë vendin e parë dhe e kanë mundësinë ta arrijnë vendin e parë. Avantazhi që ne kemi është që luajmë në shtëpinë tonë. Mendoj dhe uroj që ekipi, futbollistët, ta shfrytëzojnë këtë si energji positive dhe mos jenë nën presion, siç ndodhi me Italinë në pjesën e parë në Europian, ku prania e tifozëve e rriti më shumë presionin dhe ekipi nuk arriti të shfaqë vlerat e veta reale. Uroj që në këto dy ndeshje ekipi të shprehë atë që di të bëjë më mirë dhe unë uroj që të ketë edhe fat dhe t’i fitojë ndeshjet” – tha kreu i FSHF.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb