Shqipëria nis fushatën kualifikuese të Botërorit këtë të premte, ku do përballet me Anglinë. Kuqezinjtë synojnë që të marrin një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë, për të nisur në mënyrën më të mirë të mundshme eliminatoret.

Altin Rraklli, i vetmi lojtar i Shqipërisë që i ka realizuar gol  “3 luanëve”, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24 u ndal të fliste gjatë për ndeshjen që do luhet në “Wembley”.

Në bashkëbisedimin e bërë me Trevisa Tufën, ai shprehet se ekipi i Sylvinhos duhet të tregohet i zgjuar, duke sulmuar kur duhet dhe duke u përpjekur për të “kapur mat” Anglinë.

24 vite më pas, çfarë titulli do t’i vendosje saj ndeshje të 28 marsit të 2001? 1 gol i shënuar dhe 1 i anuluar ndaj Anglisë?

Le të shkojmë pak më mbrapa, se kemi një gol tjetër të anulluar, bilës ai ishte akoma i bukur, ai i Demollarit. E vërtetë, ishte ndeshje e çmendur, unë u  futa 5 minutat e fundit, në minutën e 85-të, Vata pësoi një lëndim. Un kisha 45 minuta që bëjë nxehmje pas porte. Loja pothuajse kishte mbaruar, çfarë mund të bësh për 5 minuta? Unë kisha atë mllefin që nuk po luaja nga fillimi. Të vetmin asist që Bushi më ka dhënë, ka qenë ai, e atë e dha me dorë. Ai goli i dytë ishte fantastik, Lala fut një top në zonë, e kërkova aq mirë dhe fatkeqësisht e anuloi. Çfarë ka ikur, ka ikur, të shikojmë çfarë do i marrim tani.

Mua do të më pëlqente edhe titulli “vjedhja e madhe”, por do kishte konfliktit interesi me Demollarin. Dy gola kryevepër, por që për fat të keq në atë kohë nuk kishte VAR. E di që të pyesin shpesh për atë ndeshje, por që të vendosim pikën mbi i, kë kujton më shpesh golin e shënuar apo atë të anuluar?

Zakonisht Federata e publikon herë pas herë. Në Instagram, apo Youtobue e shikoj shpesh, atë rastin nuk e tregojnë fare. Të jemi më realistë, gjatë kohës kur kemi luajtur, ne shikoheshim si “mace e zezë” nga arbitrat. Tani nuk mund të na dëmtosh, sepse kemi krijuar personalitet dhe kemi infrastrukturë. VAR nuk të jep më mundësi që ta hash haqe të tilla. Në atë kohë, nuk kishim mundësira. Mos e qaj më atë që na iku. Unë s’e kam parë më atë rast të anulimit të golit.

A është sot Anglia një mision i pamundur? A mund të përsëritet të paktën historia e 2001?

Sot nuk ka për asnjë ekip mision të pamundur. Futbolli ka ndryshuar, ka një ndryshim të madh dhe evolim. Jo më larg se një muaji, Anglia u mund në Wembley nga Greqia. Duhet të jesh në një ditë të mirë dhe rivali të ketë ato problemet e veta.

Në këndvështrimin tënd, si duhet të luajmë? Çfarë duhet të bëjmë për të qëndruar në lojë, për të marrë një rezultat pozitiv, apo jemi në dorë të Anglisë?

Janë disa  rrethana që nuk janë në favorin tonë. Për shembull, kanë trajner të ri dhe do synojë që të fillojë me këmbë të mbarë. Shpresoj që të na marrin si ekip të dobët, na pret një presion i madh. E njoh si trajner, ai luan lart dhe me presion. Nuk të lë, që të marrësh frymë. Na pret një punë e madhe por jo e pamundur.

Nuk vijmë në kushte perfekte, jo të gjithë lojtarët kanë minuta në këmbë, disa janë rikuperuar në limite si Ismajli apo Broja, ndërkohë luajmë për herë të parë pa Mitajn, sa ndikojnë këto detaje?

Ndikojnë shumë, mungesa e Mitajt është pothuajse e pariparueshme, në thonjëza gjithmonë. Në këtë ndeshje nuk ka nevojë për motivim, çdo kush do e kishte ëndërr të luante. Për motivim apo përqëndrim, do e kenë të gjithë, problemi është te mundësitë fizike. Nëse do kemi probleme me lojtarët që kanë pak minuta në këmbë, do kemi vështirësi.

Ku mund ta prekim Anglinë, çfarë ndjesi ke, apo cili lojtarë mund të bëjë diferencën, ose të jap një shkëndijë?

Do kisha rrezikuar, gjithçka ose asgjë. Do luaja me 3 sulmues të shpejtë përpara dhe do i kisha bërë un presion ekipit anglez. Një nga mundësitë e vetme që kemi është të luajmë me lojtarë të shpejtë. Dihet që Anglia ka lojtarë fizikisht të fortë, ne të shfrytëzojmë variantin e lojtarëve të shpejtë. Të kapim mat, të kapim të papërgatitur Anglinë. Anglia luan shumë nga krahët, luan edhe në qendër.

Ne e marrim gjithnjë një parashikim, besoj ky do të jetë më vështirë, Angli-Shqipëri, si del?

Mua nuk ma thotë shpirti që ne do humbim. Unë shpresoj që të jap një rezultat si në Çeki, 1-1. Një barazim do ishte fantastik fare.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb