Alban Hoxha është simbol i Partizanit dhe duket se klubi i kuq nuk është ende gati të bëjë pa të. 34-vjeçari luan që nga viti 2013 me fanellën e kuqe dhe me të mes kuadratit të kuqtë e kanë quajtur të mbyllur çështjen e portës prej vitesh.

Por, kontrata e kapitenit me Partizanin ka përfunduar dhe fakti që nuk ka rinovuar ende shton dyshimet për një ndarje të mundshme. Megjithatë, për të shuar gjithçka mendon vetë Hoxha. Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, ai shprehet se rinovimi është çështje kohe. Kapiteni flet edhe për konkurrencën në portë dhe merkaton e të kuqve.

Alban, si është e vërteta e rinovimit tuaj me Partizanin?
Marrëdhënia ime me presidentin është diçka krejt ndryshe, e njohim shumë mirë njëri-tjetrin dhe ai gjithmonë ma ka hapur derën për të luajtur me Partizanin, pavarësisht çdo kushti të vendosur dhe ky është vlerësim shumë i madh.
Unë jam ulur me të në tavolinë dhe kemi rënë dakord për të gjitha. Arsyeja që nuk ka ardhur zyrtarizimi nga ana e klubit është sepse nuk kam firmosur ende.

Si ju duket merkatoja deri më tani dhe ku është nevoja më e madhe për t’u përmirësuar?

Mua ekipi më pëlqen. Mënyra se si luajti në Gjeorgji më kënaqi. Skuadra tregoi që “ka brumë” si ekip. Në ndeshjen e dytë më pas ndikuan emocionet, por ndoshta pak edhe neglizhenca prej ndeshjes së parë. Për sa i përket merkatos, mund të ketë dublim rolesh, por edhe nëse nuk do të ketë më afrime, mendoj se ky ekip është konkurrent për titullin kampion./ PANORAMASPORT.AL

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb