Pas 23 javësh kampionat, situata në elitën e futbollit shqiptar është mjaft interesante, me skuadrat që kërkojnë të arrijnë objektivat sezonal. Rivaliteti për “Final Four” mbetet i ashpër dhe kurioziteti për fituesin e titullit kampion është mjaft i madh. I ftuar në Sport News në News 24, i mirënjohuri, Shpëtim Duro, në bisedën e bërë me Trevisa Tufën, bëri analizën e tij për kampionatin dhe për derbin natyrisht. Trajneri Duro nuk hezitoi të zbulonte se ka patur oferta për të, në janar.
Profesor, si ishte ky janar për ju, nuk iu bindi asnjë projekt? U lakuat në një moment për një kalim te Tirana, kishte diçka të vërtetë?
Oferta kam patur edhe në periudhën e janarit, pasi jam i lirë. Unë nuk marrë skuadra që ta mbaj faturën vetë. Ka qenë zgjedhja ime momentale.
A i ndryshon janari balancat, dy nga ekipet më aktive ishin Partizani dhe Egnatia. Të kuqtë larguan 4 titullarë, Cara, Rrapaj, Hadroj, Mba, por u afruan gjithashtu disa lojtarë. Si del Partizani nga janari, më i fortë apo më i dobët?
Merkaton e janarit? Gjithmonë kam qenë me idenë se mjaftojnë 1-2 lëvizje. Nuk bëhet merkato në sasi, por në cilësi. Partizani ka bërë merkato, lojtari më i rëndësishëm ka qenë Rrapaj.
Të kuqtë duhet të gjenin një lojtar që i afronin parametrave të Rrapaj. Trajneri tha do i shikojmë në vijim, por këto gjëra nuk shikohen në vijim.
Në janar duhet të zëvendësosh pikat që janë problem. Ka ekipe që kanë bërë merkato pa i ditur vlerat e tyre.
Ndryshe nga Partizani, Egnatia i besoi më shumë emrave të njohur si Fernando, Guindo, Sota, Dajsinani, Si do e vlerësoni këtë merakto, e bëjnë Egnatian këto afrime më të fortë?
Këtu duket aftësia e Presidentit. Këto përforcime ndihmojnë skuadrën. Marrin një nga portierët më të mirë, marrin sulmuesin më të mirë…Qershi mbi tortë është rikthimi i Fernandos. Nëse do merrte Partizani Fernandon, do zëvendësonte Rrapaj. Nuk kishte nevojë që Partizani të merrte katër ose pesë, do mjaftonte një me cilësi.
Lëvizën me “pikatore”, Dinamo dhe Vllaznia. Në këndvështrimin tënd, a kanë këto dy klube grupin e plotë për të luftuar deri në fund në të dyja frontet?
Pas Egnatias, Dinamo është pretendenti kryesor. Është ekip i kompletuar, nuk ka nevojë për ndërhyrje. Vllaznia është po ajo skuadër që bën ndeshje të bukura por ka luhatje. Balaj udhëheq ekipin, por edhe të tjerë futbollistë më mirë.
Mqs kemi Kupën në prag, këto janë katër çiftet e fazës çerekfinale (Bylis-Egnatia; Laçi-Partizani; Elbasani-Vllaznia dhe Dinamo-Skënderbeu. Cili mund të bëjë surprizën në këtë fazë?
Janë të gjitha ndeshjet e balancuara, nuk ka diferenca. Janë ekipe që nuk kanë diferenca, akoma më shumë në sistemin e kupës me eleminim. Ndeshjet e para janë të rëndësishme. Do ketë rivalitet dhe nuk zgjidhen që në ndeshjen e parë.
Profesor, me formulën e re të kampionatit, a i lejon ekipet që luftojnë titullin kampion të synojnë edhe kupën?
Kupa është e rëndësishme pasi dalin 4 skuadra. Ka skuadra që kanë investuar shumë dhe duan të shpëtojnë sezonin. Elbasani është dështim në kampionat. Pra, Kupa është e rëndësishme për vazhdimësinë për të ardhmen.
Jashtë Kupës është Tirana, por bardheblutë e shohin veten edhe në zonën e kuqe, në vendin e parafundit. Më thuaj të drejtën Duro, e sheh Tiranën të rrezikuar këtë sezon?
Tiranën e shikoj të rrezikuar bashkë me Skënderbeun. Klasifikimi të bën që të kesh këtë mendim. Derbi ndikon natyrisht. Shpresoj që Tirana mos të zbresë nga kategoria, por e shikoj shumë të rrezikuar. Mos të harrojmë edhe Teuta është zhgënjim këtë vit.
Nuk është përcaktuar ende axhenda zyrtare, por derbi mund të luhet për herë të parë në “Arenën e Demave”, për më tepër në një orar jo të përshtatshëm, në orën 13:30. Të duket normale?
Problem është kapaciteti. Impianti është modern. Do ketë vështirësi, duhet organizim perfekt. Për mua është mëse normale, pasi me këtë infrastrukturë, nuk mund ta luash ndeshjen në një orar tjetër.
Si e sheh këtë derbi Duro, kush do të triumfojë? Dëshira për të rrëmbyer kreun, apo “lufta” për mbijetesë?
Partizani ka ndeshjen me Laçin njëherë. Sa i takon derbit, në organikë nuk ka diferencë. Tirana është me përgjegjësi se i duhen 3 pikët. Partizani edhe nëse del barazim, e ka siguruar “Final Four”. Tirana duhet të jetë me e etur. Si nivel, do ketë rivalitet.
Të bind ky Partizan në garën për titull? Në katër ndeshjet e fundit vetëm 1 fitore?
Ka enigma Partizani pasi kanë ikur lojtarë kryesorë. Ka lojtarë të mirë në mesfushë. Kam parë disa lojtarë që kam ardhur, nuk më kanë bindur, lojtar të zakonshëm. Atanaskovskit i dihet vlera.
Mes katër ekipeve të para, kë shihni favorit, cili është ekipi më i kompletuar?
Nuk më pëlqen kjo skemë, pasi një ekip që kryeson gjithë vitin, mund ta humbasë titullin në një ndeshje. E kam thënë edhe më parë, shikoj Egnatian numër një. Vllazninë e shikoj mirë, por i ka humbur përballjet direkte. Partizani, patjetër do jetë.
(J.S/BalkanWeb)