Deputetja socialiste e cila ka mbajtur dhe detyrën e ish-Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj është zgjedhur me votim unanim si Raportuese e Përgjithshme për dhunën ndaj grave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE).
Zgjedhja e Gjonajt shënon herën e parë që një përfaqësues i Shqipërisë duke përfshirë edhe vendet e rajonit në Këshillin e Evropës, propozohet dhe votohet në pozicionin e Raportueses së Përgjithshme për dhunën ndaj grave.
Sipas njoftimit të publikuar nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës, pozicioni i lartë që do të mbajë Gjonaj ka në fokusin e saj mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave dhe veçanërisht për mbrojtjen e dhunës ndaj tyre.
Gjonaj do të drejtojë politikisht si përfaqësuese e Këshillit të Europës edhe Rrjetin Parlamentar të Asamblesë për luftën e dhunës ndaj grave ku bëjnë pjesë deputetet e të gjitha shteteve anëtare.
I feel honored to be elected as PACE General Rapporteur on Violence against Women! Looking forward to proceed with ambitious priorities on prevention & combating #VAW & advancing on the women rights.
🙏 colleagues of PACE_equality and secretariat trusting on my candidacy! https://t.co/saNMFNPq4a— Etilda Gjonaj (@GjonajEtilda) October 18, 2023
Në intervistë të realizuar nga Këshilli i Europës, znj Gjonaj ka prezantuar edhe prioritetet e mandatit të saj si Raportuese e përgjithshme të cilat përfshijnë tre aspekte:
1. Fuqizimi i grave dhe i vajzave në të gjitha fushat e jetës si dhe advokimi për të drejtat e tyre
2. Mbështetja dhe mbrojtja e avokateve të të drejtave të grave viktima të dhunës me bazë gjinore si dhe grave në sistemin e drejtësisë
3. Garantimi i aksesit në drejtësi të të gjitha grave dhe vajzave subjekt të dhunës me bazë gjinore dhe garantimi i mekanizmit për kompensimin e viktimave, me fokus viktimat e dhunës në luftën në Ukrainë dhe në vendet në konflikt.
Këshilli i Europës ka mbajtur qëndrime të forta për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të viktimave të dhunës me bazë gjinore, e fokusuar kohët e fundit edhe në rastet e viktimave të dhunës në vendet që gjenden në luftë, kriza dhe konflikt.
Deputetja Gjonaj si Raportuese e Përgjithshme do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të promovimit dhe fuqizimit të të drejtave të grave për Këshillin e Europës dhe në ndjekjen e zhvillimeve në 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës mbi fenomenin e dhunës ndaj grave.
Ajo do të jetë përfaqësuesja e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës për dhunën ndaj grave dhe do të bashkërendojë punën në bashkëpunim të ngushtë edhe me institucionet e shteteve anëtare, me organizmat e tjerë ndërkombëtare jashtë Këshillit të Europës, si Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian, OSBE, Organizmat për objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm si dhe organizatat e shoqërisë civile të shteteve anëtare që punojnë në fushën e të drejtave të grave.
Gjonaj në këtë rol do të promovojë dhe do të monitorojë në mënyrë aktive, ratifikimin dhe zbatimin e Konventës së Stambollit të Këshillit të Europës për luftën ndaj dhunës së grave për të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës.
Intervista e plotë në këndin e medias në Asamblenë e përgjithshme të KiE-së
Gazetari: Mirë se vini në Media Box Znj. Etilda Gjonaj, tashmë jeni Raportuesja e Përgjithshme e PACE për dhunën ndaj grave. Si e shikoni këtë rol dhe cili është vizioni juaj?
Znj. Gjonaj: Së pari, dua t’ju falënderoj për këtë intervistë. Jam vërtet e nderuar që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës më ka votuar dhe besuar pozicionin e Raportueses së Përgjithshme kundër Dhunës ndaj Grave. Duke qenë se jam deputete e Parlamentit shqiptar, natyrisht që ndihem e nderuar që përfaqësoj Kuvendin e Shqipërisë, Grupin Parlamentar të Social demokratëve, si dhe 46 vendet anëtare të Këshillit të Europës.
Së pari, natyrisht që do të vazhdoj punën e mirë të paraardhësve të mi dhe të gjitha rezultatet e arritura deri më tani. Kontributi im do të jetë në sensibilizimin e publikut dhe institucioneve për dhunën ndaj grave, dhe për këtë sigurisht që do ndjek në mënyrë aktive të gjitha zhvillimet e fundit të vendeve anëtare të Këshillit të Europës në çështjen e dhunës ndaj grave. Dhe jo vetëm me strukturat e Këshillit të Europës dhe 46 vendet anëtare të saj, por pjesë e këtij misionit do të jenë edhe të gjitha institucionet dhe organizmat ndërkombëtare që janë jashtë Këshillit të Europës, si dhe shoqëria civile. Ne jemi të vetëdijshëm që duhet të jemi të gjithë bashkë, si institucionet qeveritare dhe ato joqeveritare, si organizmat politike ashtu dhe ato jopolitike, për të arritur rezultate të mira me qëllimin kryesor dhe të përbashkët që kemi për të luftuar dhunën ndaj grave dhe promovimin e barazisë gjinore.
Së dyti, do të ndjek një rrugë aktive për të siguruar ratifikimin dhe zbatimin e një konvente shumë të rëndësishme siç është Konventa e Stambollit të Këshillit të Europës, për luftën kundër dhunës ndaj grave.
Një rol tjetër që përfshin ky pozicion është drejtimi politik i një rrjeti parlamentar shumë aktiv siç është Rrjeti Parlamentar për luftën e dhunës ndaj grave i cili bashkon të gjitha delegacionet kombëtare nga 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe me fokus avancimin e agjendës për të drejtat e grave.
Gazetari: Çfarë shihni si sfidën kryesore në punën tuaj?
Znj.Gjonaj: Ka disa, por natyrisht që do të përqendrohemi tek prioritetet kryesore që duan vemendjen tonë.
Përmirësimi i fuqizimit të grave dhe vajzave në të gjitha diversitetet e tyre shërben si një gur themeli për ndërtimin e një Evrope të qëndrueshme dhe të drejtë. Ne nuk jetojmë në kohëra të lehta, ashtu siç kemi parë në konfliktet e fundit si nga lufta në Ukrainë dhe ditët e fundit në Izrael, vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut të sanksionuara nga Këshilli i Europës po lëkunden. Si Raportuese e Përgjithshme, do të promovoj agjendën kundër dhunës ndaj grave dhe kjo përmes bashkëpunimit parlamentar të të gjitha 46 vendeve anëtare të Këshillit të Europës.
Dua të theksoj se jam plotësisht e angazhuar në kundërpërgjigjen ndaj dhunës për të gjitha mbrojtëset e të drejtave të grave. Duke u bazuar mbi Deklaratën e Rejkjavikut dhe 10 Parimet e Parisit për demokracinë, të aprovuara në maj të këtij viti, jemi të angazhuar të garantojmë mbrojtjen e tyre dhe ofrimin e të gjitha kushteve me qëllim që avokatet apo mbrojtëset e të drejtave të grave të kenë mundësi të promovojnë dhe përparojnë në misionin e tyre. Duam të krijojmë të gjitha premisat për të mos patur dhunë dhe pasiguri për këtë grup.
Çështja e tretë në fokusin e Raportueses së Përgjithshme është mbrojtja dhe advokimi për aksesin në drejtësi të grupeve të margjinalizuara, veçanërisht për gratë dhe vajzat. Në pozicionin e mëparshëm si Ministre e Drejtësisë në Shqipëri, kam punuar për reformën në drejtësi, specifikisht edhe për të siguruar aksesin në drejtësi për grupet në nevojë. Jemi të vetëdijshëm se sa e rëndësishme është kjo për gratë, të cilat kanë rënë viktima të dhunës, veçanërisht gjatë kohërave të krizave dhe konflikteve.
Jam e vetëdijshme se roli i Raportueses së Përgjithshme të Këshillit të Europës është shumë i rëndësishëm dhe jam e angazhuar që të përmbushim prioritetin për garantimin e aksesit në sistemin e drejtësisë të grave viktima të dhunës, si dhe në garantimin e të drejtave proceduriale në çështjet penale dhe për të siguruar mekanizmin e kompensimit të grave si subjekte të dhunës me bazë gjinore.
Pavarësisht vështirësive dhe sfidave të këtij pozicioni të ri, si Raportuese e Përgjithshme kundër dhunës së grave, së bashku me Kryetaren, kolegët dhe Sekretariatin e Komitetit për Barazi këtu në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, do të jemi të angazhuar për të luftuar dhunën me bazë gjinore si dhe për të promovuar agjendën për të drejtat e grave.
Gazetari: Faleminderit që folët me ne!
Znj. Gjonaj: Faleminderit!