Partizani barazoi pa gola ndaj Laçit në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, ndërsa Egnatia mundi 1-3 Bylisin. Për këto sfida por edhe për derbin e kryeqytetit (Partizani-Tirana, 9 shkurt) që po pritet me padurim nga tifozët, foli specialisti Alban Tafaj, në një intervistë ekskluzive për Sport News në News 24. Në bashkëbisedimin e bërë me Trevisa Tufën, Tafaj komentoi edhe vendimin e fundit, me Shqipërinë dhe Serbinë që do të organizojnë Europianin e të rinjve.

 

 

Alban ishin i pranishëm si delegat në stadiumin e Laçit, jeni i freskët për të folur për këtë takim, një X-s i thatë që lë gjithçka të hapur…

Mendoja se Partizani do shfrytëzonte më shumë avantazhin e një lojtari më shumë në fushë. Prisja që të kuqtë do krijonin një epërsi më të madhe. Ndodhi krejt e kundërta, ndoshta edhe nga zëvendësimet. Pjesën e dytë kurbinasit meritonin që ta fitonin ndeshjen. Për mendimin tim, ka luajtur më mirë me 10 lojtarë se 11 lojtarë.

Ky ishte barazimi i tretë radhazi për Partizanit, a mund të flasin për një krizë në horizont në shtëpinë e kuq, dhe a pritet të ndikojë ky rezultat dhe kjo ecuri në derbi?

Çdo ekip që i largohen lojtarët, dobësohet. I është prishur fizionomia ekipit. Gjithsesi, ka mbushur arkën dhe kjo ka rëndësinë e vet.

Partizani nga këto të katërta është më pak e favorizuara, pasi i është prishur harmonia. Edhe ata që kanë ardhur, duan kohë që të përshtaten.

Ndërkohë, shkëlqen Egnatia, triumfoi 3-1 kundër Bylis në transfertë, fitorja e 7-të radhazi në të gjithë kompeticionet. A mund të bëj sërish “dopietë” ky ekip, titull dhe Kupë.

Egnatia është ekipi më i mirë i kampionatit. Me përforcimet e bëra, është shndërruar në ekipin më të kompletuar. Kanë ambiciet e tyre.

Alban, kemi një vendim final, ku do të luhet derbi, a erdhi përgjigjja nga Policia e Tiranës?

Deri tani ai konfirmim është, pra që të luhet në shtëpinë e Partizanit. Përveç terrenit dhe fushës, edhe tifozëria është e cunguar, pasi nuk mund të ketë shumë tifozë në numër.

Çfarë derbi pret, në letër duket se Partizani është favorit, kanë një diferencë prej +17 pikë…

Ka dy morale, sidomos për Tiranën. Morali kryesor ka të bëjë me vetë derbin, pasi një ndeshje e tillë nuk njeh renditje, as forcë. Problemi më i madh i Tiranës janë pikët.

A është ky derbi përcaktues për fatin e Tiranës, një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht. Dhe pyetja që shtrojnë të gjithë, a rrezikon realisht kaq shumë Tirana?

Nëse Tirana ia del në derbi, do jetë një bonus i madh për pjesën e mbetur të sezonit. E kundërta do ndodhë nëse humbet derbin.

Në fund dua ta mbyll me një koment rreth organizimit të “Euro2027” nga Shqipëria dhe Serbia. Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë, për futbollin?

Është arritja më e madhe pas fitimit të drejtës për të zhvilluar Conference League. Përfiton Shqipëria, përfiton futbolli jonë, përfitojnë fubollistët tonë. Është edhe si një vitrinë për ekipin tonë kombëtar. Do vijnë edhe skaut.

(J.S/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb