Kampionati shqiptar ka hyrë në një fazë shumë të rëndësishme të sezonit, me skuadrat që tashmë i kanë të qarta idetë për objektivat e sezonit. Ish futbollisti i Elbasanit, Tiranës dhe shumë klubeve të elitës, Klodian Duro, në një intervistë për Sport News në News 24 analizoi këtë edicion.
Në bisedën e bërë me Trevisa Tufën, Duro jep mendimin e tij për ekipet që mund të shkojnë në “Final Four”, komenton Elbasanin dhe gjithashtu tregon këndvështrimin e tij për Tiranën.
47-vjeçari zbulon se në fillim të sezonit ka qenë ideja e një projekti me bardheblutë, por nuk u realizua.
Duro, fillimish një koment të shkurtër për Topin e Artë, me Bekim Balaj që fitoi gjithçka, lojtari më i mirë i vitit të fundit, protagonist absolut edhe këtë sezon, të mendosh që është 34 vjeç…
Mendoj se ishte e merituar për Balaj, pasi i ka dhënë shumë futbollit shqiptar. Ai është shembull për të rinjtë që duan të bëjnë karrierë.
A mjafton Balaj për të rikthyer titullin në Shkodër, kjo ishte dhe dëshira e tij më e madhe?
Futbolli është sport kolektiv, duhet gjithë mbështetja e ekipit. Mendoj se Bekimi është shtylla kryesore për të shkuar drejt titullit. Ka përvojë të madhe. Disiplina, stërvitja dhe përkushtimi, e mbajnë në këto nivele.
Mes 4 ekipeve të kreut, Egnatia, Partizani, Dinamo dhe Vllaznia, kë shef favorite, ekipin më të kompletuar për të fituar titullin?
Të katër këto ekipet kanë ndërruar vendet me njëra-tjetrën. Dinamo ka patur një ecuri më konstante. Me ardhjen e Dajës, Dinamo u ngjit me kalimin e kohës dhe tani është realitet.
Me këtë fitoren e fundit, Egnatia, si ekip që ka më shumë eksperiencë, rikonfirmoi veten e vet. Është disi më e avantazhuar për të përsëritur suksesin. Do jetë luftë e fortë deri në fund.
Këtë javë luhet Elbasani-Tirana, jeni ish lojtari më emblemë i këtij dueli, si e sheh këtë sfidë, çfarë ndeshje pret?
Tirana-Elbasani ka patur rivalitet. Janë ekipe me shumë histori, duke patur në gjirin e tyre lojtarët më të mirë të vendit tonë. Mendoj se do jetë një ndeshje e fortë, për të marrë rezultatin e dëshiruar nga këto ekipe.
A do të ishtë zhgënjim për Elbasanin nësë nuk kap final-four këtë sezon?
Me investimet e bëra, vetë klubi i Elbasanit dihet që synon final four. Shumë lojtarë të afruar, një investim i madh, ata dëshirojnë që të shkojnë në top-4. Në këtë katërshe, të realizojnë objektivin që të hynë në Europë. Elbasani, me këto dy humbjet e fundit, i ka komplikuar pozitat e veta. Ky kampionat është i fortë. Do jetë garë e fortë në zonën poshtë të tabelës.
Pyetja që bëjnë të gjithë tifozët bardheblu e sheh të rrezikuar Tiranën këtë sezon?
Mendoj se Tirana në momentin gjen stabilitet, mënyrë loje dhe merr disa rezultate pozitive, ka eksperiencën për të mos rrezikuar. Realisht, ndodhet në pozita të vështira, pavarësisht fitores me Bylis. Edhe rivalët e bardhebluve, fituan. Nuk mund të parashikoj asgjë.
Duro, është e vërtetë që ke pasur një ofertë nga Tirana pas shkarkimit të Maganit?
Kam qenë gjithmonë pranë klubit të Tiranës. Kam qenë me Presidentin Halili në fillim të sezonit për një projekt me Tiranën, por nuk u realizua. Duke qenë se ne jemi pjesë e futbollit, unë asnjëherë nuk do i thoja jo. Tani Tirana ka trajner dhe më mbetet t’i uroj suksese.
(J.S/BalkanWeb)