Në janarin e vitit 2019 janë kryer 7 vrasje për shkak të gjakmarrjes. Kreu i Komitetit Shqiptar të Pajtimit, Gjin Marku, rrëfen për “Gazeta Shqiptare”, nisur nga vrasja e ish-policit mesditën e së mërkurës në Selitë, që familja e tij kishte shprehur këtë shqetësim, ndërsa autorët e vrasjeve të vëllezërve të Arben Bilalit nuk u identifikuan nga policia. Sipas tij, zonat më tipike me mbartje familjesh në gjakmarrje janë Kombinati, Yzberishti, Selita dhe Kamza.

Z.Marku, ju jeni kryetar i Komitetit Shqiptar të Pajtimit, si e gjykoni situatën e fundit të gjakmarrjeve në vend?
Edhe pse numri i vrasjeve për muajin janar të këtij viti është 7 e nuk kalon mesataren e vrasjeve para vitit 2012, ato janë tregues serioz i gjendjes së rëndë të situatës së hakmarrjes e gjakmarrjes në Shqipëri. Nëse nuk do kishin emigruar mijëra familje që janë në hasmëri dhe kër-kojnë azil jashtë shtetit, sot situata do ishte dhjetë herë më tragjike. Hasmëritë që kanë sjellë e vazhdojnë të sjellin gjakmarrje në Shqipëri, sipas mentalitetit të deformuar kanunor gjatë transicionit postkomunist janë thuajse në çdo derë shqiptari. Shumë pak familje të thonë se jemi të qetë e pa konflikte si brenda dhe jashtë shtëpisë. Kjo është e konfirmuar nga grupet e punës së pajtimit që kemi në 2800 fshatra, nga 3200 që kishim më parë, sepse 400 fshatra janë braktisur dhe nuk ka asnjë shenjë jete në to. Për ligjin 7500 mbi tokën në fshat, për ngatërresa e probleme të çastit, për konfliktet në trafi-kimin e femrave apo të dro-gës, për konfliktet bashkëshortore e divorcet për shkaqe të ndryshme që prekin nderin e dinjitetin e familjes apo personit, nga konfliktet e trashëguara e ato të lindura gjatë 29 viteve të transicionit kemi rreth 15 000 të vrarë, që nga viti 1990. Po të mos ishte zakoni i mirë e pajtimit e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve pa shkuar në gjykatë dhe largimet jashtë Shqipërisë për shkak të hasmërisë, mund të themi pa lëkundje se sot do të kishim jo 15000 viktima, por 150 000 të vrarë. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka të regjistruara për çdo vit numrin e familjeve që kërkojnë azil për shkak të rrezikut ndaj jetës nga çdo vend i botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Janë rreth 250 000 familje shqiptare që kanë kërkuar mbrojtjen e jetës jashtë Shqipërisë gjatë këtyre 29 viteve transicioni.

Të mërkurën ndodhi një tjetër vrasje, ajo e Arben Bilalit, ku autor dyshohet gjaksi. E njihnit si rast? Mund të na thoni ndonjë detaj?
E njoh këtë familje fatkeqe dhe e di se ata janë përfshirë në disa raste tragjike, ku policia nuk ka mundur të identifikojë autorët. I shpreh keqardhjen e ngushëllimet më të thella familjes Bilali, e cila ka ngritur shqetësimin edhe para zyrës sonë, por pa identifikuar autorët. Pa identifikimin e autorëve, për ne ka qenë e vështirë të bëjmë hapa për pajtim e sqarim të situatave që kanë çuar në vrasje vëllezërit Bilali. Kemi shumë raste të tilla. Ka edhe raste të tjera ekstreme vras-jesh, që autorët fshihen mbas vendimeve të gjykatave. Janë rreth 700 familje shqiptare që jetojnë nën terrorin e një babai kriminel që ka bërë vrasjen dhe prokuroria e gjykata kanë dërguar në burg gruan e tij si vrasëse, duke e kamufluar vrasjen si çështje nderi në një kohë që rrethi shoqëror e vetë gjyka-tësit e prokurorët e dinë që vrasjen e ka bërë burri, por ka detyruar gruan, qoftë edhe me kërcënim, që të thotë se e ka bërë ajo vrasjen me qëllim fshehjen e autorit dhe të motivit të krimit. Organizatat e grave në Shqipëri janë krejtësisht të paafta të marrin në mbrojtje gratë e vajzat shqiptare, që janë jashtëzakonisht të dhunuara brenda familjes bashkëshortore.

Keni bashkëpunuar me policinë për evidentimin e shmangien e gjakmarrjeve?
Raportet vjetore, rezolutat dhe Memot e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar japin të dhënat ekzakte të familjeve të përfshira në gjakmarrje e hasmëri, të konfirmuar edhe nga studimet e fundit të policisë së gjeneratës së re të shtetit në bashkëpunim me OSHEE-në. Policia e gjeneratës së re të shtetit bën përpjekje maksimale për ndalimin e krimit, por e ka krejtësisht të pamundur ndalimin e vrasjeve për gjakmarrje si dhe marrjen në mbrojtje të familjeve në hasmëri. Në vitet 2016–2017 dhe 2018 qeveria Shqiptare ka krijuar lidhje të drejtpërdrejtë me Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar në procesin e parandalimit të vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje, duke bashkëpunuar në 2800 fshatra dhe në 60 bashki nëpërmjet nëpunësve bashkiakë e komunalë dhe oficerëve të policisë me misionarët e pajtimit. Është bërë e mundur që në sajë të këtij bashkëpunimi të ulet numri i vrasjeve me mbi 50% në krahasim me vitet e mëparshme. Policia e gjeneratës së re në bashkëpunim me Komunitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar dhe OSHEE bëri një studim mbi familjet në hasmëri në 6 qarqet e veriut të Shqipërisë dhe hartoi një plan bashkëpunimi në procesin e pajtimit. Për rastet e veçanta kur procesi i pajtimit nuk bërë i mundur dhe familjet në hasmëri detyrohen të largohen nga Shqipëria për t’iu shmangur vrasjes është zbatuar Rekomandimi i Qeverisë Shqiptare nr. 1716, dt. 29. 9. 2009, lënë në fuqi nga gjykatat dhe prokuroria shqiptare, që u kërkon institucioneve vendore dhe ndërkombëtare t’i referohen Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar për vërtetimin dhe mbrojtjen e së drejtës së jetës së këtyre familjeve, me qëllim që të eliminohet çdo paqartësi dhe burim fiktiv të dhënash. Bazuar në këtë rekomandim, prokuroritë dhe gjykatat kanë dënuar të gjithë përfaqësuesit e shtetit dhe të OJQ-ve që kanë lëshuar vërtetime hasmërie pa e arkivuar çështjen për shqyrtim e ndjekje në Komitetin e Pajtimit Mbarëkombëtar, i cili udhëheq në shkallë kombëtare procesin e pajtimit dhe organizon bashkërendimin profesional e ligjor me policinë e shtetit, gjykatat dhe prokurorinë si dhe zyrat e azilit për mbrojtjen e emigrantëve që rrezikohen nga gjakmarrja.

Intervistën e plotë e gjeni në Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb