Para premierës së Europianit, te kuqezinjtë është koha për të dhënë maksimumin, në mënyrë që të bindin Sylvinhon për një ftesë. Disfata 3-0 ndaj Kilit ka lënë një shije të hidhur te tifozët dhe jo vetëm, ndërsa sot në orën 19.00 në program është një tjetër test miqësor, ai ndaj Suedisë në “Friends Arena”. Trajneri i mirënjohur, Ernest Gjoka në një bisedë me gazetaren Trevisa Tufa në Sport News të News 24, tha se skuadrën e Sylvinhos sot e pret një ndeshje mjaft e vështirë. Gjoka dha komentin e tij edhe për humbjen ndaj Kilit, duke treguar se çfarë nuk shkoi në Parma.
A duhet të shqetësohemi pas humbjes kundër Kilit?
Është thjeshtë një ndeshje testuese, ku synimi ishte për të parë skuadrën, për të parë ardhjet e reja, për të parë fizionominë e lojës. Kur themi 0-3, nuk është ndonjë gjë për t’u alarmuar. Ne kemi njëfarë euforie, pasi dolëm të parët në grup në eliminatore. Nuk është për t’u shqetësuar.
Pse kaq ndryshe në këtë miqësore, ku gabuam?
Nuk është çështje gabimi, por ritmi. Disa lojtarë nuk kanë minutat e duhura në këmbë në skuadrat e tyre. Skuadra ka qenë e fortë në prapavijë, e ky ishte problemi, pasi nuk implementuam futbollin tonë në mbrojtje.
A ndikon presioni i listës? A ndikon ky vendim edhe në paraqitjen e lojtarëve?
80 përqind e listës e di gjithë populli shqiptar. Skuadra fituese nuk ndryshon. Ne kemi ekip fitues, me djem që kanë sakrifikuar, kështuqë boshti i skuadrës është. Logjike është që në futboll kur nuk luan, nuk mund të bësh gjëra të mëdha për një muaj.
3 gola të pësuar, në 4 gjuajte, ndërkohë nuk goditëm asnjë herë kuadratin. Çfarë tregojnë këto shifra?
Disa lojtarë s’kanë ritmin e duhur. Në prapvijë kishim hapësira dhe kjo ishte një nga arsyet përse humbet. Goli i parë mund të ishte faull.
Kishte ndonjë detaj pozitiv nga kjo miqësore? Kishte diçka që të pëlqeu?
Pozitive është kur një ndeshje futbolli interpretohet si duhet. Më mirë që ndodhi, që të kemi më vonë vigjilencën, që mos ta ulim asnjëherë. Ne jemi Shqipëria, jemi skuadër modeste.
Sa e vështirë do të jetë që të reagojmë brenda kaq pak ditësh? A mund të ndryshojë një trajner ekipin brenda tre ditësh?
Nuk e kuptoj pse duhet të jetë e vështirë. Ndeshja testuese na jep ide më të qartë. Në këto ndeshje nuk humbasin asgjë, trajneri sqaron dilemat që ka.
8-Çfarë sfide pret sot ndaj Suedisë? Për çfarë duhet të luajmë?
Mezi po pres të shikoj disa lojtarë si Muçi, Broja, apo Balliu. Balliu luan në La Liga, a duhet ta shikojmë në fushë? Për mua s’ka rëndësi a fiton Shqipëria, rëndësi ka mënyra sesi luajmë në fushë.
A është trajneri në presion në të tilla raste? Si funksion? Duhet të luajnë për rezultat, apo të eksperimentojë për të parë lojtar të rinj. A ka peshë rezultati në teste të tilla?
Jo, ska përse. Tifozët nuk pranojnë asnjëherë humbje, duan vetëm fitore. Sylvinho nuk vjen për një projekt 2-vjeçar. Duhen 1000 orë taktikë që një ekip të mësohet me skemat e trajnerit.
Si të duket formacioni?
Formacion interesant. Do doja ta shikoja Muçin nga minuta e parë. Për t’u parë edhe mënyra sesi do luajë mbrojtja. Broja ka për të dhënë shumë, pasi ka mjaft cilësi individuale. Do doja të shikoja edhe Baren, pasi është lojtar interesant. Me këtë mesfushë do jetë luftë e fortë.
Kush rrezikon për të mbetur jashtë Europianit?
Nuk parashikoj dot, por po të jap një ide. Një trajner do ketë një punë të madhe për të parë statistikat deri në maj. Përshembull, minutat e luajtura etj. Italia vuan për sulmues, ne kemi 10 të tillë.
(J.S/BalkanWeb)