Rreth 18 mijë maturantë në mbarë vendin kanë aplikuar në një prej programeve të studimit pranë Universitetit të Tiranës, për vitin e ri akademik 2018-2019. Ndërkohë, sot fillon procesi i regjistrimit për të gjithë fituesit që do të zgjasë deri në 12 shtator.

Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni tregon se dega më e parapëlqyer për maturantët në këtë institucion të arsimit të lartë është juridiku me plot 6500 aplikime nga 700 kuota që ka në total ky program.

Më tej, Koni sqaron për të gjithë fituesit procesin e regjistrimit pranë sekretarive mësimore dhe thekson se maturantët që kanë bërë ankimime ditën e djeshme, duhet të regjistrohen në një program që janë shpallur fitues. Rektori i UT-së sqaron opinionin publik edhe në lidhje me çështjen e akreditimit, ku sipas tij ky universitet ka plotësuar pothuajse të gjitha detyrat e caktuara nga MASR.

Sipas udhëzimit që Koni zbardh për ‘Gazeta Shqiptare’, universiteti i Tiranës do të vazhdojë të jetë i akredituar edhe gjatë dy periudhave të akreditimit.

Sa është numri i aplikimeve gjatë raundit të parë në Universitetin e Tiranës për vitin e ri akademik 2018-2019?
Për vitin e ri akademik 2018-2019 në Universitetin e Tiranës kemi pasur rreth 80 mijë aplikime. Sigurisht që numri i aplikimeve është shumë i lartë në pamje të parë, por kjo ndodh pasi studenti mund të aplikojë në 10 degë. Por në total, rezultojnë rreth 18 mijë maturantë që kanë aplikuar në UT në programet e studimit përkatës, që është një shifër shumë e lartë. Kjo tregon që interesi i maturantëve për të studiuar në këtë universitet ështëshumë i lartë.

Cilat janë disa prej programeve të studimit më të parapëlqyera nga maturantët këtë vit?
Në raport me kuotat e miratuara, degët e parapëlqyera në Universitetin e Tiranës duke iu referuar numrit të aplikimeve, vazhdon të jetë programi i drejtësisë me 6500 aplikime në total. Më tej ndër të parapëlqyerat e maturantëve janë programet e studimit pranë Fakultetit Ekonomik si dega Administrim Biznes. Gjithashtu, edhe për programet e studimit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Fakultetin e Histori-Filologjisë dhe Shkencat e Natyrës ka pasur interes nga maturantët. Pra, konstatojmë se ka interes, normalisht jo të gjithë kanë të njëjtin intensitet aplikimesh, por përgjithësisht degët e UT-së janë të kërkuara nga maturantët dhe unë i ftoj që nesër (sot) me fillimet e regjistrimeve të paraqiten dhe të bëhen pjesë e programeve të studimit. Mos të shqetësohen, por thjesht të presin radhën për regjistrim.

Nesër (sot) fillojnë regjistrimet për të gjithë maturantët që janë shpallur fitues. Si do të vijojë ky proces në Universitetin e Tiranës? Çfarë procedure duhet të ndjekin fituesit?
Procedura e regjistrimi  është pothuajse njësoj me vitin e kaluar, me ndryshime të vogla që nuk cenojnë parimin e përgjithshëm të procedurës së regjistrimit. Ne kemi paraqitur renditjen e listës së aplikantëve për çdo program studimi, që janë vënë në dispozicion edhe në portalin u-albania (portali ku do të regjistrohen studentët). Gjithashtu, listat e renditjes janë vënë në dispozicion edhe për Qendrën e Shërbimeve Universitare.Sot (dje) pasi kandidatët për studentë që janë informuar për rezultatin e tyre, mund të vijojnë me procedurën e ankimimit mbi vlerësimin e tyre, e po në datën 29 gusht do të merren në administrim dhe do të merret vendimi. Regjistrimet fillojnë nesër (sot) dhe maturantët duhet të paraqiten me dokumentacionin përkatës pranë sekretarive mësimore të fakulteteve që janë shpallur fitues. Gjithashtu, maturantët duhet të kenë kujdes dhe të kontrollojnë në portalin u-albania lëvizjen e vijës së kuqe dhe në fazën paraardhëse aplikanti njoftohet paraprakisht që është shpallur fitues në një prej degëve ku ka aplikuar.

A duhet të regjistrohen maturantët që kanë bërë ankimim për degën e parapëlqyer në të cilën nuk janë shpallur fitues?
Dua të sqaroj maturantët, që pavarësisht nga përgjigjja e vendimit për ankimimin përkatës, maturanti duhet të regjistrohet në programin që është shpallur fitues brenda periudhës 30 gusht deri në 12 shtator të këtij viti që janë 7 fazat e raundit të parë. Nëse nuk regjistrohen, këta maturantë humbasin të drejtën në fazën përkatëse dhe më pas vendimit mbi ankimimin, mund të humbë të drejtën mbi degën që ai ka të preferuar. Nëse ankimimi shpallet pozitiv, atëherë atij i lind e drejta që në fund të raundit të parë, pra në 13 shtator të çregjistrohet dhe regjistrohet në programin përkatës që i është njohur si i tillë pas ankimimit.

Cili është dokumentacioni që duhet të paraqesin fituesit pranë sekretarive mësimore?
Maturantët fitues duhet të paraqesin pranë sekretarive mësimore personalisht, (ose në mungesë të tyre përfaqësuesin e autorizuar me prokurë) këto dokumente: mjetin e identifikimi dhe një fotokopje të saj; fotokopje të noterizuar të diplomës së maturës shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë; si dhe certifikatën e notave. Gjithashtu, fituesit duhet të plotësojnë edhe një deklaratë që e gjejnë pranë sekretarive mësimore. Kështu përfundon procesi i regjistrimit.

Po nëse maturantët dëshirojnë një program studimi, por janë regjistruar ndërkohë në një tjetër, kur mund të çregjistrohen për të aplikuar sërish?
Në datën 13 shtator, sipas udhëzimit, si thashë edhe më lart, mund të çregjistrohen maturantët që kanë bërë ankime duke paraqitur një kërkesë e të tërheqë dokumentacionin nga fakulteti. Nëse nuk çregjistrohet brenda 13 shtatorit ai nuk ka më të drejtë të ndryshojë programin e studimit për këtë vit akademik. Pas kësaj fillon raundi i dytë, dhe studenti i çregjistruar mund të riaplikojë sërish nga e para në degët që dëshiron.

Rreth një vit më parë, sipas raportit të agjencisë britanike, Universiteti i Tiranës është vlerësuar vetëm me një vit akreditimi. Ministria e Arsimit ka caktuar disa detyra që UT duhet t’i plotësojë brenda një viti. Sa prej tyre janë plotësuar deri më tani?
Është shumë e rëndësishme çështja e akreditimit të Universitetit të Tiranës dhe është një moment shumë i mirë për të dhënë një sqarim për opinionin publik dhe maturantët. Dua t’iu bëj thirrje të gjithë studentëve që të jenë të qetë mbi akreditimin e UT-së. Dua të theksoj se akreditimi që është bërë vjet është akreditim institucional dhe jo akreditim i programeve të studimit, pra është një akreditim mbi dokumentacionin përkatës.

Ndërkohë për t’i paraprirë këtij procesi bordi i akreditimit ka dhënë disa detyra për universitetin për të cilat është bërë një plan veprimi që në mbledhjen e senatit në nëntor të 2017-ës. Hap pas hapi, janë realizuar pothuajse të gjitha detyrat e dhëna. Njëkohësisht Universiteti i Tiranës, në dhjetor të 2017-ës, ka aplikuar për riakreditim ose akreditim periodik të universitetit. Gjatë kësaj periudhe është bërë një punë e palodhur nga të gjitha strukturat ku në mesin e korrikut është dorëzuar dhe raporti përfundimtar i grupit të vlerësimit institucional të brendshëm me gjithë dokumentacionin përkatës. Tashmë na ka mbërritur axhenda e grupit të vlerësimit të jashtëm ku brenda muajit shtator shpresojmë të vijë draft raporti i grupit të vlerësimit të jashtëm. Dua të theksoj për maturantët se nuk ka asnjë problem për afatin kohor për të cilën thuhet se afati i akreditimit është deri në shtator. Në një vendim të veçantë bordi i akreditimit vendosi se Universiteti i Tiranës do të konsiderohet i akredituar edhe mes dy periudhave të akreditimeve. /Gsh.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb