Shqipëria dështoi në Nations League, teksa në League B në Group 1 u rendit në vendin e fundit. Kuqezinjtë e Sylvinhos e mbyllën rrugëtimin e këtij kompeticioni, me një humbje të hidhur 1-2 ndaj Ukrainës, ndërsa në total me 7 pikë, skuadra jonë përfaqësuese ka rënë nga liga. Një nga ata që ka kontribuar më së shumti për kombëtaren, Astrit Hafizi, në një intervistë për Sport News në News 24, foli hapur, duke treguar se çfarë nuk shkoi. Në bisedën e bërë me gazetaren Trevisa Tufa, Hafizi theksoi se Sylvinho duhet të shkarkohet.
Vendi i fundit në Grupin B1, ishte ky një dështim? Çfarë nuk shkoi në këndvështrimin tënd?
Nuk e prisja, por në bazë të paraqitjes, mendoj që e merituam vendin e fundit. Ne kishim disa dobësi, sidomos në lojën sulmuese. Asnjëherë këto vështirësi, nuk u përmirësuan. Të 3-ja skuadrat që kishim në grup, ishin më të mira se ne. Ne nuk fituam asnjë ndeshje këtu në Tiranë. Dy humbje dhe një barazim. Atëherë, do t’i quajmë të momentit këto fitore me Ukrainën dhe Gjeorgjinë?!
Nuk pësojmë më gola në fund, por pësojmë në fillim, pse? Nuk i përgatisim mirë ndeshjet ku gaboi Sylvinho?
Ne në mbrojtje kemi gabime, edhe pse thonë se e kemi të fortë prapavijën. Ne kemi pësuar 6 gola, në ccdo ndeshje kemi pësuar gol. Nuk e dijmë ku e kemi pikën e fortë, mbrojtjen apo sulmin, unë mendoj që asnjërën. Nuk ka një lidhje, nuk ka gërshëtim dhe kjo i takon trajnerit. Mesa kuptoj, ai nuk njeh lojtarët. Ka lojtarë që kanë dhunti në pozicione të tjera, ky i vendos në pozicione të tjera. Vazhdimisht e përdor një skemë, alternativë nuk ka.
A është përgjegjës Sylvinho, dikur ke qenë pro rinovimit të kontratës, sot që flasim, a beson se Sylvinho është trajneri i duhur për të na drejtuar në kualifikuset e Botërorit?
Trajnerë të tillë, që nuk guxojnë dhe që kanë frikë nga humbja, nuk kemi nevojë. Niveli i lojtarëve është i mirë, ka vend për përmirësim, por po them në përgjithësi. Të kesh këtë nivel lojtarësh dhe të mos arrish asgjë, i bie që faji është i atij (trajnerit). Ne nuk dolëm as në vendin e dytë, as në vendin e 3-të nuk dolëm, por të fundit. Gabimi kryesor është i tij. Nuk mund të thuash 50 me 50, mos i shit lojtarët, mos ua kalo topin lojtarëve. Trajneri ka kurajo dhe përgjegjësi, jo vetëm Sylvinho, por të gjithë trajnerët në botë. Ky asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësinë.
A ishte Liga e Kombeve një test për Botërorin, a është ky pozicion një këmbanë alarmi?
Ai që kupton, po. Botërori 2026, nëse nuk vendoset gishti në kokë për të vendosur personin e duhur, të shpenzosh lek më tepër, do jetë i vështirë. Gjeje trajnerin sicc e gjejnë të tjerë, ashtu sicc luajti Gjeorgjia me Sagnol në Europian, ashtu si luajti Turqia, ashtu si luajti Gjeorgjia. Ukraina u eleminua me 4 pikë në Europian. Ne nuk kemi bërë asgjë, quajmë krenari se dolëm në vendin e katërt në Europian. Euforia e tepërt ndikon. Ky nuk ishte grupi i ferrit.
A jemi bërë të lexueshëm tani, pse e ka kaq të vështirë Sylvinho të ndryshojë, i besoi sërish Asanit dhe pse nuk ishte në kushte për të luajtur, nuk i besoi Uzuni etj..
Ai krijon një grup lojtarësh, nuk jam i bindur nëse i zgjedh vetë, apo ia sjellin të tjerët. Ka disa grumbullime të pakuptimta. Largon një lojtar 33-vjeçar, pastaj mban një lojtar 33-vjeçar, në të njëjtën moshë. Niveli i lojtarëve është më i lartë se i trajnerit. E vetmja pikëpyetje është Asllani, duke mos u aktivizuar rregullisht te Interi, ka lënë disa mangësi te aftësia e tij, te krijimtaria. Topat e Asllanit nuk janë për t’u dërguar për tifozët. Kur nuk ja gjen vendin e vet, kështu ndodh.
Gabime kemi në vendosjen e mbrojtësve. Flasim pak për krahun e majtë, Mitaj, këtu kemi patur difekte, shumica e golavë të pësuar kanë ardhur nga ky krah. Bastoni me Italinë, në golin e parë, sipër këtij kërceu mbi kokë. Erdhi këtu në momentin tjetër të golit, përsëri sipër tij kaloi topin, po them për golin e dytë të Ukrainës. Ky nuk ka këto cilësi për të qëndruar prapa, përse nuk e le që të kalojë përpara?! Pra, ti studioje, përse nuk i jep më përparësi, përse nuk kalon dikë tjetër në mbrojtje.
Ti nuk po e kupton që Bajrami në krah të majtë, që po e zëvendëson me Seferin, nuk është vendi i tij. Ai nuk të thotë që luaj në këtë vend, thotë që luaj ku të më vendosë trajneri.
Bajrami është lojtar që vjen nga mbrapa sulmuesit kryesor. Ka asist të mirë, ka goditje, ka zgjuarsi, ka aftësi, pastaj kujtohesh ti më vonë. E la në stol, bëri gabimin tjetër pastaj. Kur u fut, filloi lëvizja dhe pasimi i topit. Kjo është një mos-njohje e lojtarëve tanë nga ana e trajnerit.
Si e sheh të ardhmen e afërt profesor, a mendon se realisht mund të kualifikohemi në Botëror?
Shumë e vështirë. Vetë rregullorja e paraqet, që vetëm 12 skuadrat e para të grupeve shkojnë direkt në Botëror, të dytat do të bëjnë një play-off për të nxjerrë 4 prej tyre. E dyta s’mund të dalësh në grup, duke patur parasysh kush janë, vetëm ndonjë mrekulli se futboll është! Duke dëgjuar këto kokat e institucionit të futbollit tonë, sa hidhet shorti, thonë që do dalim në vend të parë. Duke filluar nga Presidenti, e më pas të tjerët, domethënë nuk kanë lidhje me këtë punë, nuk duhet të kenë. Nuk do flasim si tifozë, edhe unë dua që të dalim të parët në grup. Sa i takon 2026-tës, unë mendoj që duhet ndryshuar trajneri, padiskutim, edhe me ndonjë kosto të madhe financiare.
(J.S/BalkanWeb)