Valentina Madani – Për ish-kryetarin e Partisë Demokratike Tri tan Shehu dhe një nga figurat kryesore të kësaj force, largimi i Edi Ramës dhe mbajtja e zgjedhjeve politike e lokale në të njëjtën kohë përbëjnë një domosdoshmëri për t’i dhënë fund krizës që ka përfshirë vendin dhe për t’i hapur rrugë forcimit të demokracisë. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Shehu thekson edhe një herë se vendi ndodhet në një krizë shumëdimensionale çka ka sjellë deformime të mëdha të të gjithë sektorëve e aspekteve të jetës së vendit, ndaj ai thekson se si hap i parë i zgjidhjes së kësaj krize mbetet krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të vendosur në fuqi institucionin e votës së lirë. Ai thekson se opozita me mbështetjen e qytetarëve do ta detyrojnë Ramën që të largohet dhe t’i hapë rrugë rikthimit të normalitetit në vend.

Z.Shehu pse kemi një krizë kaq të tejzgjatur, ndryshe nga kriza të tjera politike dhe pse nuk po merr fund…?

Kriza e sotme është një krizë multidimensional, duke marrë formën e një grushti shteti. Ajo e ka bazën në faktorë thelbësorë të deformimit të demokracisë e zhvillimit, ku pa dyshim kryesori është tjetërsimi, deformimi i procesit elektoral dhe i votës. Në vetvete ajo lidhet e vjen nga shume elemente si kriminaliteti, droga, korrupsioni, mungesa e parimeve etj, duke i stimuluar ato nga ana tjetër. Kjo të çon në deformime të mëdha të të gjithë sektorëve e aspekteve të jetës së vendit, nga ekonomia, tregu i lire, drejtësia, jeta sociale e deri në politikat e jashtme, ne preferencat për aleatët e partnerët, duke u larguar nga ata me vlera të vërteta demokratike. Po të lexojmë me vëmendje dokumentin e Bundestagut gjerman i gjejmë aty të gjitha këto shqetësime e këmbana alarmi për vendin tonë, pikërisht për të ndalur e dalë më tej nga kjo krizë e thellë që po kalon vendi. Gjithë problemi është se nëse nuk ndërpritet ky spiral, nëse nuk goditet ky spiral, nëse nuk shkatërrohet ky spiral, për të filluar daljen me ndërtimin e institucionit të votës së lirë, kjo krizë do vijojë të thellohet, të ecë përpara, derisa të krijojë pa dyshim një katastrofë kombëtare në Shqipëri.

…Që do të thotë?

Që do të thotë ose një devijim të plotë të Shqipërisë nga rruga evropiane, demokratike drejt despotizmave lindore për kohë të gjata; ose një shpërthim revolte popullore, i cili mund të marrë trajta e dimensione nga më të ndryshmet, pikërisht për të nxjerrë jashtë institucioneve shkaktarët.

Çfarë e zgjidh konkretisht krizën?

Kriza në fund të fundit në thelbin e saj fillon të zgjidhet nga një element i vetëm, nga rivendosja e votës së lirë dhe e një procesi të ndershëm votimi, i cili duhet te realizohet me zgjedhje politike të reja dhe zgjedhje administrative të vërteta, sepse zgjedhje të tilla nuk u realizuan. Kjo sigurisht kërkon disa premisa, që lidhen me kushtet e standardet për të realizuar një gjë të tillë. Pikërisht këtu çështja nuk është e thjeshtë, ajo është shumë më e komplikuar se sa një element ligjor vetëm, apo vetëm me reformën zgjedhore. Çështja është me atë që të minimizohet afektimi i procesit zgjedhor të ri nga ata që janë të interesuar të deformojnë votën e shqiptarëve dhe në radhë të parë këtu bëhet fjalë për lidhjet me krimin, lidhjet me trafiqet dhe me ato elementë jashtë Shqipërisë, që synojnë të mbajnë vendin në këtë gjendje të vështirë, jashtë familjes sonë europiane e larg perëndimit.

Z.Basha është shprehur kohët e fundit se e vetmja zgjidhje e krizës është reforma zgjedhore dhe garantimi i votës së lirë. Kjo reformë mund të bëhet edhe me Edi Ramën kryeministër?

Së pari, do të them që z. Basha nuk ka thënë se zgjidhja e krizës është vetëm reforma zgjedhore, ka thënë është garantimi i votës së lirë. Dhe këtu ka një diferencë të madhe midis të dy këtyre koncepteve. Ai për të arritur te vota e lirë, me realizëm ka paraqitur një platform të tërë, komplekse, me shumë elementë e etapa të qarta, që sinkronizon me çfarë votoi dhe Bundestagu gjerman për vendin tone.

Pra, ju si mendoni në lidhje me reformën zgjedhore, sistemet etj.?

Reforma zgjedhore është vetëm një element në një paketë të tërë për kalimin e kësaj krize, siç e quan dhe Bundestagu. Po të shohësh edhe kushtet e vendosura nga ai, apo çfarë ne kemi miratuar në PD që në shkurt, reforma zgjedhore trajtohet si një element e për të arritur tek ajo duhen plotësuar një sërë kushtesh që të funksionojë e mos të shërbejë për Ramën si një “gjethe fiku”. Pra, ajo është një element që duhet të realizohet, por nuk është gjithçka. Vetë fakti si po shkojnë ngjarjet, pengesat dhe teatralizmi që po luhet nga mazhoranca me të ashtuquajturin Kuvend me 122 vetë dhe 42 pupacë për reformën zgjedhore, tregon pikërisht këtë gjë, që për të shkuar në reformën zgjedhore duhet të vihen bazat e një pakete të përgjithshme për zgjidhjen e krizës, pjesë e së cilës pa dyshim është edhe ajo. Veçanërisht kjo në kuptimin e forcimit të elementëve ligjorë të saj, që lidhen me mos tjetërsimin e votës, administrimin e votës, numërimin e votës, sigurinë e votës. Dhe këtu diapazoni i çështjeve është shume i gjerë, hynë te niveli i kriminalitetit, gjendja e institucioneve, blerja e votës, terrorizimi i qytetarëve, etj.Ndërsa diskutimi për sistemin zgjedhor në këtë fazë e gjendje me duket ose humbje kohe ose tymnajë e qëllimshme për të devijuar vëmendjen nga prioritetet.

Ju nuk jeni për të ndryshuar sistemin zgjedhor?

Unë qartësisht e kam shprehur mendimin tim publikisht se do të preferoja një sistem zgjedhor ku votuesi të mund të influenconte sa më shumë e direkt dhe në zgjedhjen nominale të kandidatit. Por çdo gjë ka kohën e vetë dhe kërkon kushtet e nevojshme qoftë edhe për diskutim, ndryshe kthehet së paku në konfuzion. Aktualisht po diskutohet si të realizohen kushtet minimale që të mund të hapet kapitulli i bërjes së reformës zgjedhore. Ju e keni konstatuar që Rilindja nuk ka asnjë vullnet të fillojë diçka të tille duke tentuar të shmangë opozitën e vërtetë e të vetme që ka vendi, PD-në e aleatët e saj, për ta kthyer në një maskaradë në një Kuvend antikushtetues.

Pavarësisht kërkesës së PD dhe që është një ndër kushtet e Bundestagut, Edi Rama vazhdon të jetë kryeministër, ndërkohë që PD, opozita e bashkuar ka ndërprerë protestat. Si do veprojë në këto kushte, në këtë situatë, si do veprojë opozita, do vijojë protestat, do i kthehet dialogut institucional?

Së pari, nuk gjykoj që opozita i ka ndërprerë protestat. Protestat janë aktualisht në terren në forma të ndryshme por edhe protestat e mëdha popullore nuk janë jo vetëm jashtë axhendës së opozitës por nuk janë as jashtë axhendës së popullit shqiptar, qytetarëve shqiptarë në tërësi. Protestat unë mendoj se janë pjesë konsistente e axhendës. Pa dyshim, ana taktike, kalendari i tyre është element që do komunikohet nga kryetari i partisë, në bazë të vendimit që do merret në forume edhe me aleatët, por nuk them aspak se janë ndërprerë protestat. Protestat janë pjesë e axhendës, pjesë e një force politike demokratike, veçanërisht kur kjo forcë demokratike si PD, europeiste dhe pjesë e grupit popullor evropian ka përballë një autokraci lindore, ka përballë një regjim të shurdhër e të kapur. Unë personalisht mendoj që ky regjim nuk është e nuk do jetë asnjëherë koshient i ndryshimit që duhet të pësojë vendi për të dalë nga kjo situatë dhe për t’u kthyer në rrugën evropiane të tij. Në këto kushte behet i detyrueshëm presioni popullor direkt, rezistenca aktive dhe e fortë, qëndrueshmëria në forcë e kohë. Kjo është e domosdoshme në këto momente dhe do jetë e domosdoshme qoftë edhe në periudhat që vijnë për të çuar dhe realizuar me të gjithë forcën e vullnetit të njerëzve rivendosjen e demokracisë dhe për të hapur rrugën e standardeve demokratike, drejt votimit demokratik.

Ju e nënvlerësoni dialogun politik?

Absolutisht jo. Unë jam shumë i hapur, kam qenë i tillë edhe në momente shumë të vështira të vendit në pozicionet që kam pasur. Por aktualisht unë nuk shikoj një vullnet të tillë nga kjo maxhorancë, siç p.sh. kishim neve edhe në 1997, gjë që çoi në marrëveshjet e mëdha të asaj kohe. Sot ne jemi qartësisht përpara një gjendje “Grushti shteti”. Vendi nuk ka parlament kushtetues, nuk ka Gjykatë Kushtetuese, të Lartë, ka kapje të plotë të institucioneve derisa kulmi u arrit me farsën e 30 Qershorit, që plotësoi këtë Grusht shteti edhe me kapjen e pushtetit lokal. Nga ana tjetër unë nuk shoh asnjë dëshirë apo vullnet nga Rama e Co për të zgjidhur këtë gjendje. Ai ka refuzuar edhe tentativat serioze të mbështetësve të vyer të Shqipërisë për të ndërmjetësuar për një zgjidhje racionale. Ai siç duket do ta çojë deri në fund këtë gjendje antikushtetuese për të konsoliduar një autokraci lindore, ku i ka dhe lidhjet. Atëherë, si duhet reaguar para një grushti shteti? Ka vetëm një reagim, me kundërvënie popullore të fortë e rezistente. Unë fatkeqësisht nuk shoh zgjidhje tjetër.

Basha ka folur me sekretarin e Përgjithshëm të OSBE, për përmbushjen e reformës zgjedhore, por duke thënë që nuk ka dialog brenda Kuvendit. Si mund të bëhet ky dialog me mazhorancën për një formë të re elektorale, jashtë institucionale?

Në lidhje me këtë çështje mendoj se folëm më lart. Sidoqoftë, pa dyshim që reforma zgjedhore do kërkojë një dialog midis mazhorancës dhe opozitës, por me opozitën e vërtetë, opozitën që është realisht, që mbështetet nga elektorati dhe ky dialog është ai që është kërkuar, midis përfaqësuesve të atij parlamenti apo atij “Kuvendi” monist dhe opozitës, me bashkëpunimin e ngushtë të komunitetit ndërkombëtar dhe misioneve të tij, një nga të cilët është OSBE. Unë mendoj se kjo është e vetmja zgjidhje, se zgjidhje tjetër nuk ka. Nëse gjërat diskutohen brenda atij Kuvendi është sikur të bësh monolog dhe nuk ka asnjë element që mund të çojë më pas në zgjidhjen politike të krizës, përkundrazi do çojë në thellimin e hendekut, thellimin e grushtit te shtetit.

Pse ka frikë opozita të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën se ai thotë nuk do iki derisa të mbaroj mandatin në 2021?

Çështja është më e komplikuar se kaq. Nuk është çështje frike, çështja është tek parimi, është edhe çështje principesh, sepse realisht në momentin që të gjithë e kanë parë e shikojnë qartësisht si janë manipuluar zgjedhjet e kaluara, kush janë përgjegjësit e fajtorët e saj, një nga të cilët pa dyshim është vetë kryeministri, nuk mund të pranosh të hysh në një lojë demokratike pa u ndëshkuar fajtorët, apo së paku pa qenë mënjanë nga menaxhimi fajtorët e lojës demokratike, e aq me keq duke ja lënë po atyre atë përsëri. Pra kjo nuk është çështje frike, unë mendoj se është një çështje parimi, të drejte, mesazhi dhe thelbi, për të realizuar atë proces demokratik që ka nevojë Shqipëria.

PD ka zbritur në bazë, po merret me strukturat e saj, duke ngritur edhe grupe pune. Realisht në çfarë gjendje janë strukturat e partisë?

Strukturat e PD, unë mendoj që janë në një gjendje të mirë, janë funksionale, janë të zhdërvjellëta, të gatshme dhe këtë e tregoi gjithë periudha nga shkurti deri në korrik, kur ishin strukturat e PD ato të cilat realizuan atë aksion të madh, të ngjeshur, të vështirë politik që u realizua në Tiranë dhe nëpër rrethe. Unë do të them për shembull në qarkun e Gjirokastrës, e cila iu përgjigj në mënyrë të mahnitshme thirrjes, protestave, me pjesëmarrjen e saj masive dhe vendosmërinë e saj, gatishmërinë e saj, të të gjithë degëve të qarkut të Gjirokastrës dhe një gjë e tillë nuk mund të realizohej pa struktura të mira e të mirë organizuara të PD. Organizimi i strukturave të PD nuk është një proces që fillon sot, është një proces që ka nisur me kohë, vite më parë, që në vitin 1990-te, ka vazhduar duke u përmirësuar, shtuar, duke u perfeksionuar, pra edhe procesin sot mund ta shohim si një proces përmirësimi të vazhdueshëm. Zgjerimi është një proces që PD e zhvillon në mënyrë të vazhdueshme, jo sporadike, nuk është diçka që sot ne do krijojmë strukturat. Jo! Strukturat janë e janë të forta, janë absolutisht të gatshme, janë të motivuara. Pa dyshim ka gjithmonë elementë për t’u përmirësuar, zgjeruar, për t’u shtrirë më tepër, për të bërë bilance dhe për të plotësuar gjëra që duhen plotësuar kohë pas kohe apo në mënyrë të vazhduar. Unë kështu e shoh, nuk shoh se sot po ndodh ndonjë gjë e re apo e veçantë në PD. Është një proces ne vazhdim, i përditshëm në PD ndër vite, që ka çuar në këtë alternativë kaq të fortë, kaq të shtrirë dhe kaq afër njerëzve që është sot dhe qe ka arritur të përballojë situata jashtëzakonisht të vështira apo te realizoje vepra monumentale ne historinë e saj.

Z.Basha ka shpërndarë një udhëzim për bazën e partisë, përmes së cilit kërkon nisjen e përgatitjes për zgjedhjet e parakohshme. Si i është thënë bazës së partisë një gjë e tillë dhe kur i mendoni këto zgjedhje, sepse të shkosh tek elektorati në mbarë Shqipërinë duhet të paktën të kesh një …

Që zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme, kjo është e sigurt! Jo vetëm zgjedhjet politike por së bashku me zgjedhje administrative, sepse ato nuk janë bërë prej 5 vitesh. Këtu është e padiskutueshme që do shkohet në një proces të tillë dhe çdo forcë politike dhe PD, e ka për detyrë te përgatitet sa më mirë. Opozita shqiptare duhet të jetë sa më e përgatitur për atë betejë pasi në çdo moment mund të ndodhë përmbysja e madhe në Shqipëri, në çdo moment mund të ndodhë shpërthimi i madh në Shqipëri, mund të krijohen kushtet dhe momentet për të shpërthyer procesin elektoral, i cili tashmë ndjehet dhe është krejtësisht i qartë për të gjithë si zgjidhja e vetme politike. Kjo krizë politike që u përmend kaq e thellë, shumëdimensionale, kaq e zgjatur, absolutisht nuk mund të zgjidhet pa një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe për këtë proces duhet punuar për ta fituar. PD aspiron të fitojë me votën e lirë të qytetarëve, jo me gjë tjetër pasi të shkohet deri te ai moment, pra pa dyshim duhet të jetë gati dhe ne këtë po bëjmë.

Kur i mendoni këto zgjedhje të parakohshme?

Unë afate kohore nuk mund të vë dot. Por diçka duhet të them, ato janë bërë imperative për vetë njerëzit në varfëri, papunësi, nën represion e arrogancë, që vetëm mendojnë se si të ikin nga sytë këmbët, janë bërë imperative për demokracinë tonë e të ardhmen tonë europiane e perëndimore.

Në pranverë, siç thuhet zakonisht kohët e fundit?

Ne fakt, koha jo vetëm ka ardhur, por edhe ka kaluar për ato. Ne duhet të luftojmë, njerëzit duhet të ngrihen që ato të ndodhin sa më shpejt. Askush nuk duhet të mendojë se do të vijnë si dhuratë nga qielli apo nga jashtë. Aq më pak nuk duhet pasur ndonjë iluzion që Rama ndonjë ditë do të thotë, kam gabuar ejani të bëjmë zgjedhje të lira. Absolutisht jo. Liria fitohet e mbrohet, kjo evidenton koshiencën e vërtetë demokratike të njerëzve. Kjo do na çojë sa më shpejt edhe në Europë, të cilës fatkeqësisht i jemi larguar shumë së fundmi.

Para samitit të Zagrebit?

Shqiptarët duhet ta dinë mirë, ta kuptojnë mirë se çdo ditë që kalon kështu gjërat do shkojnë keq e më keq, situata do bëhet gjithmonë e më e vështirë, qoftë në planin social, ekonomik, qoftë politik, qoftë në procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE, qoftë edhe në deformimin e demokracisë e cila po vazhdon te deformohet vazhdimisht.

Këto zgjedhje duhet të bëhen para samitit të Zagrebit të vitit të ardhshëm, me qëllim që Shqipërisë t’i hapen negociatat?

Unë them, këto zgjedhje duheshin bërë edhe para samitit të kaluar.

Por ja që nuk u bënë…

Po të ishin bërë të tilla zgjedhje para samitit të kaluar të BE-së, të jeni të bindur që Shqipëria do kishte marrë hapjen e negociatave, tashmë do ishte duke shfletuar kapitujt, axhendën e kapitujve teknikë në procesin e zhvillimit të negociatave, ndaj çdo ditë, javë që kalon kështu është kohë e humbur, nuk duhet lejuar më shumë. Duhet kaluar absolutisht në një proces të ri zgjedhor me standarde, politike e administrative. Për të arritur aty duhet përqendruar me të gjithë forcën tonë, jo vetëm ne si PD por edhe elektorati i gjerë shqiptar, masat e gjera shqiptare, të cilët mund të japin tonusin e tyre, të tregojnë forcën e madhe të tyre, të tregojnë vendosmërinë e tyre për të realizuar atë ndryshim të madh që ka nevojë Shqipëria, pastaj pa dyshim për ta përmbyllur me procesin zgjedhor, pasi të jenë përgatitur kushtet e një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm.

PD po synon bashkimin e kontributeve ndër vite. Çfarë po bëhet konkretisht dhe kush duhet të rikthehet sërish në PD?

Ky është një detyrim, proces i vazhdueshëm, jo vetëm i PD, por do thosha i çdo force politike demokratike në botë, që gjithmonë synon të zgjerohet, duke grumbulluar kapitalet e saj të mëdha të historisë por edhe duke hapur rrugën për kapitalet e reja që janë në rrugë. Po s’u kombinuan të dy pjesët, pjesët historike me pjesët e reja, një PD, një parti politike nuk ka të ardhme. Ky është një ndër parimet tona dhe kjo po bëhet edhe në këtë periudhë me organizimin dhe forcimin e PD. Pra, në një anë kërkohet afrimi i të rinjve, zgjerimi, nga njëra anë kërkohet afrimi i të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e PD, që kanë bashkëpunuar me ne, na kanë simpatizuar, votuar por për një shkak apo për një tjetër në këto momente ose nuk janë shumë aktivë, ose janë të tërhequr. Problemi është të ribashkohen të gjithë forcat opozitare, që kanë qenë dhe të bashkohen të gjithë ata që mund të vijnë nga kapitalet e reja që janë drejt PD. Në këtë mënyre absolutisht premisat që të arrijmë suksesin e të krijojmë atë ndryshim që ka nevojë Shqipëria, rriten e forcohen.

Edhe kritikët e z. Basha, ata që mbetën jashtë listave?

Unë mendoj se në një forcë demokratike, në një parti demokratike, debati, diskutimet, kritikat janë pjesë e saj dhe duhen pranuar si pjesë e saj. Absolutisht, unë mendoj se PD nuk ka asnjë kompleks në këtë gjë, nuk ka asnjë këndvështrim negativ për kurrkënd apriori, mjafton qe ai të ketë besim tek PD, të përkrahë programin e PD, të dojë të jetë pjesë e PD, pa dyshim dhe të jetë i gatshëm për të bërë luftën opozitare si pjesë e PD. Kjo është e rëndësishme. /GSH.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb