Në një intervistë për gazetën “Panorama”, aktori i dhjetëra roleve në teatër e kinematografi, me se shumti ne ato te karakterit, tregon peripecite gjate xhirimeve, friken e mospelqimit te filmave nga udheheqja, si priteshin skenat dhe pranon se gjithandej kishte spiune.

Më së shumti ju luanit role karakteri, si i realizonit ato, ku i gjenit tipat që mbështeteshit?

Kam qenë i vëmendshëm. Për shembull, kam luajtur edhe një rol fshatari, te “Djemtë e Bato Gorës”, në teatër. Unë kam pasur zakon që kur shkonim nëpër fshatra, shtrohesha me fshatarët, ulesha këmbëkryq, i shikoja si flisnin, si hanin, si pinin duhan, shihja veshjen… dhe në rolin e djalit të Bato Gorës kam veshur tipare nga fshatarët që kisha takuar. Atje kam qenë një fshatar “për së mbari”. Aq sa dramaturgu Fadil Kraja, gjatë një festivali ku ne merrnim pjesë me këtë vepër, teksa pinim kafe të gjithë bashkë, thotë: “More, kush ishte ai që bënte atë rolin e djalit të Bato Gorës?”. Unë nuk fola. Një nga shokët e mi po shihte: “Po ja, mo, ku e ke”,-i tha. “Po si e ke bërë atë rol dhe sa mirë i mbaje këmbët kryq”, vazhdoi ai me çudi. Dhe u tregova këtë që sapo të thashë. Më ndodhte shpesh që të merrja edhe vegla me vete dhe u rregulloja ndonjë radio a televizor, i sajdisja dhe rrija me ta. Përpiqesha të merrja sa më shumë nga tipat dhe karakteret e tyre.

Po për rolet e spiunëve?

E vështirë ishte.. Po spiunët në prag të derës i kishe. Spiunë kishte sa të doje. Ne u thoshim “Spiunët e Perandorit”. G. K. ishte spiun, M.B. ishte spiun… Ishin “shokë të partisë”. Edhe në Kinostudio kishte plot. Nuk ishin vetëm aktorë. Ne ruheshim si djalli nga temjani, nga të gjitha anët. Përpiqesha t’u rrija sa më larg.

Të gjithë, aktorë, regjisorë, tregojnë se momenti më i ankthshëm pas realizimit të një filmi, ishte kur e shihte Byroja, ju si e keni përjetuar këtë moment?

Në premierë ishte materiali bruto, e shihnin gjithë sekretarët e Partisë.. Kur kemi parë filmat tanë, ç’të të them: Jo këtu nuk del Partia, jo kjo do hequr… Ishin 6 komisione deri kur të shkonte tek Enveri dhe çdo komision do të mbante përgjegjësi. Të gjithë kishin merakun e tyre. I fusnin gërshërën dhe mbetej kokoshi një thelë. Kemi realizuar skena shumë të bukura që janë hequr. Flirte, shikime, këto priteshin.. Na vinte shumë keq.. Ato janë zhdukur njëherë e përgjithmonë, janë djegur.

Por është folur shumë që filmat e para ’90-s të “censurohen”, të kufizohen, madje të shoqërohen edhe me një “pullë”, ç’mendoni për këtë ide?

Nuk jam aspak dakord. Po u vu gërshëra në këtë punë, humbasin edhe aktorët, edhe skenari, edhe historia e kinematografisë, se të rinjtë e sotëm duhet ta njohin atë periudhë. A mundet të fshish rolet që ka realizuar Kadri Roshi apo e gjithë gjenerata e tij?! Ajo është histori.

A mund të ndikojnë ato në deformimin e mendimit të të rinjve për të kaluarën e Shqipërisë?

Rinia nuk është naive, arrin ta kuptojë situatën, pavarësisht filmave. Ata e kuptojnë se e tillë ishte koha. Unë kam biseduar me shumë të rinj dhe janë kundër censurimit të tyre. Ideologji ka, por ashtu ishte koha dhe ata janë pjesë e historisë. Për mendimin tim nuk duhen kufizuar, pavarësisht se mund t’u mbetet qejfi ballistëve apo të persekutuarve. Ata e kuptojnë se ç’ka qenë diktatura, ndërsa e kanë të vështirë të thonë diçka për aktorët, pasi ata ndiqnin skenarin. Jemi dakord që kritikohen, po sot ç’po bëhet?

Po, pra, ç’mendim keni për teatrin apo kinematografinë sot?

S’ka regji, s’ka dramë. Merren ca drama të huaja, që spektatori nuk i kupton fare, luajnë karagjozllëqe. Realiteti shqiptar ofron shumë subjekte, por nuk ka autorë. Një pjesë kanë ikur, një pjesë kanë vdekur. Unë vetë do të kisha dashur të luaja një rol, qoftë në teatër, qoftë në kinematografi, por do të doja që të ishte një rol i mirë, që edhe unë të tregoja që edhe pas kaq vitesh, mund të luaj sërish.

Ju thoni që nuk krahasohen me kohën tuaj? Çfarë mungon?

Janë shumë poshtë, nuk krahasohen me kohën tonë. Në radhë të parë është regjisura, por s’kemi as krijimtari, nuk kemi drama, nuk kemi skenarë.

Kjo është arsyeja pse veprat e para ’90-s vazhdojnë të pëlqehen?

Po, ishin vepra të mira. Kurse sot nuk ka regjisurë, nuk ka as disiplinë pune. Këta të sotshmit luajnë veten në skenë, bëjnë gallatë dhe pyesin a e kam unë radhën. Ne mësonim 60 faqe përmendësh. Ne ishim të dashuruar pas punës. Punonim edhe deri në 12 të natës. Jani Riza vinte në mes të dëborës më këmbë nga Bulgareci, për të marrë pjesë në xhirime./Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb