*Kadareja kishte shumë besim te mjekët shqiptare dhe këmbënguli të operohej këtu.

TIRANE – Këto ditë mbarë opinion shqiptar dhe më gjerë u njoh me sëmundjen e shkrimtarit të madh Ismail Kadare. Komentet ishin nga më të ndryshmet dhe befasuese. Po si qëndron e vërteta e sëmundjes së Kadaresë? Si është gjendja e tij shëndetësore. Kush e operoi dhe si u zhvillua operacioni?
Intervista me prof. Flamur Tartarin, Kryetar i Shoqatës së Urologëve të Shqipërisë dhe punonjës në Spitalin Amerikan 2.

Profesor, si u njohët me problemin shëndetësor të Kadaresë?

Ismail Kadare është një shkrimtar më përmasa botërore, por asnjëherë Shqipërinë nuk e harron dhe duke qenë me pushime në Shqipëri u sëmur nga prostata. Gjatë vizitave të kryera nga mjekët tanë në Spitalin Amerikan, meqënëse ishte në urgjencë mbas ekzaminimeve të ndryshme, u konstatua se ai kishte problem të gjendrës së prostatës (zmadhim të saj) e cila duhej operuar. Gjatë bisedimeve me të, më beri përshtypje vendosmëria dhe besimi i tij që kishte tek mjekët shqiptarë për tu operuar në Shqipëri.

Ku dhe si u krye operacioni?

Të them të vërtetën, në vendin tonë ka mjekë shumë të mirë dhe këtë e them nga eksperienca ime 50 vjeçare si mjek kirurg dhe pse me mjete jo bashkëkohore, përsëri mjekët tanë kanë treguar profesionalizëm në të gjitha shërbimet shëndetësore ndaj popullit. Por, për mua spitali më i mirë sot në Shqipëri është Spitali Amerikan i cili u plotëson të gjitha kushtet bashkëkohore me aparatura dhe shërbim cilësor. Unë kam fatin dhe ndihem i vlerësuar që punoj në këtë spital, I cili ofron shërbim tepër cilësor dhe korrekt. Një rol të madh në rezultatet e këtij spitali luan drejtori I këtij spitali, Dr. Klodian Allajbeu, stafi tepër profesional dhe mënyra e organizimit të punës. Duke parë sa më lart, operiacioni i shkrimtarit të madh Kadare u krye në këtë spital, ku ai kishte besim të madh se do të kryej i njëjtë sikundër mund te bëhej në Francë. Madje në bisedë miqësore, Kadare u shpreh se mjekët këtu jane tepër dashamirës dhe qëndrojne në gatishmeri të përhershme dhe të qëndrojne në kokë në çdo minutë. Sipas tij, kjo është një cilësi e mjekëve shqipëtarë që janë të afrueshëm. Operacioni u krye me një profesionalizëm të plotë nga miku i shqipëtarëve, Prof. Firouz Daneshgari, i cili punon në klinikën Cleveland Ohijo, të USA , që është një ndër klinikat me famë botërore. Ky mjek ka qenë nxënës i mikut tim dhe i shqipëtarëve , Prof. Andrea Novick (amerikan, Drejtor i Klinikës, i cili fatkeqësisht nuk jeton më ) i cili ka meritën e madhe për përgatitjen e shumë personaliteteve të ndryshme të Urologjisë. Por një gjë dua të theksoj, se ky Profesor u ndihmua shumë nga mjeku ynë i talentuar i përgatitur në Ankara, Z. Arjan Hodo. Gjatë operacionit, i cili zgjati rreth dy orë, diskutuam në mënyrë shumë shkencore sëmundjen e Kadaresë. Operacioni shkoi shumë mirë, sipas parashikimeve tona dhe është vënë në dukje aparati që operoi në mënyrën Endoskopike heqjen e prostatës , është bipolar dhe I vetmi në Shipëri (me sa di unë) .

Cfarë mendimi keni për Profesor Firouz Daneshgari?

Unë si kryetar i shoqatës së bashku me doktor Arjanin menduam që çdo vit, kjo klinikë ku punon Profesori amerikan të vijë në Shqipëri dhe të organizojmë Simpoziume Shkencore e të kryejnë disa operacione në Spitalin Amerikan për të ndihmuar popullin shqipëtar.

Kur doli nga spitali Z. Kadare?
Kadareja doli dje nga spitali, pasi i bëmë të gjitha ekzaminimet dhe provat që i bëjmë pacientëve, që i operojmë nga prostata, të cilat rezultuan shumë normale. Ky ishte një sukses i madh për shëndetin e Kadaresë, por edhe i stafit të Spitalit Amerikan.

A keni kontaktuar orët e fundit me Kadarenë?
Ne mbajmë kontakte të vazhdueshme dhe po vërtetojmë se cdo gjë është në kontroll dhe tashmë Kadare është në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Profesor ju thatë që treguam shumë kujdes për Kadarenë, po për pacientët e tjerë?
Mjekët tanë dhe unë personalisht i konsiderojmë dhe i trajtojmë të gjithë të sëmurët njëlloj, kjo është në Betimin e Hipokratit për çdo mjek, por krahas mjekimit, ne për Kadarenë për të shmangur çdo komplikacion, nuk lejuam asnjë vizitë brenda dhomës duke përjashtuar traditën shqiptare të hyrje – daljeve pa fund. Qetësia, më shumë ishte edhe vetë kërkesë e Kadaresë.

Kush ishte pranë tij, kur po futej në sallë?
Interesimi ishte shumë i madh, por në sallë e shoqëroi vetëm Helena.
A kishte frikë Ismaili para futjes në sallë?
Aspak. Kishte shumë besim dhe shprehu siguri.

Kush i ka qëndruar më afër në këto momente Kadaresë?

Më pranë i ka qendruar duke i dhënë kurajë ka qënë bashkëshortja e tij, Helena Kadare. Helena tregoi cilesitë më të mira të gruas shqiptare dhe kishte të njëjtin mendim për operim në Shqipëri. Mendoj që një rol të madh, që të operohej në Shqipëri krahas znj. Helena ka luajtur dhe vëllai i tij, Prof. Shahin Kadare, mjek i shquar i histopatologjisë shqiptare .

Profesor, ju asistuat në sallë gjatë operacionit, cili është mendimi juaj professional për mjekët që kryen operimin?
I përgëzoj nga ana ime mjekun amerikan dhe Dr. Arjanin që bënë një punë të shkëlqyer, si nga ana profesionale, shkencore e bashkëkohore.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb