TIRANË- Drejtuesit e ALUIZNI-t dhe INUK kanë dalë sot në një konferencë shtypi ku kanë informuar për ndryshimet e fundit në këto dy institucione si dhe afatet për procesin e legalizimeve. Kreu i ALUIZNI-t, Artan Lame shpjegoi se konferenca i kushtohet çështjeve të që kanë të bëjnë me mbrojtjen e territorit dhe planifikimin urban.

Drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, tha se ky Institucion ka ndryshuar emërtimin dhe tashmë do të quhet Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit dhe se bashkë me emrin e ri janë bërë edhe ndryshime legjislative.

“Tashmë nuk jemi INUK por Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Ndryshimi i emrit vjen bashkë me ndryshimet legjislative. Ndërtimi pa leje nuk dënohet më me gjobë por me burg. Përveç kësaj ndryshimi konsiston edhe në masën e dënimit që është nga 1 në 5 vjet edhe për ata që asistojnë në ndërtimet pa leje, dënimet do të jenë deri në 3 vjet. STOP ndërtimeve pa leje”, ka deklaruar Bici.

Ndërsa Lame ka kujtuar edhe njëherë se qeveria po bën çdo përpjekje për të vendosur kontrollin në vend lidhur me ndërtimet. “Procesi i vetëdeklarimeve u shty deri më 31 janar 2015 në mënyrë që sa më shumë qytetarë të përfitonin. Kjo ishte një mundësi edhe për emigrantët që të hynin në proces legalizimi për banesat e tyre. Për të ulur edhe dyndjen në sportelet tona. Qeveria po bën çdo përpjekje për të vendosur kontrollin në vend. Ndryshimet në kodin penal për ndërtimet hyjnë në fuqi më 1 shkurt. Këto ndryshime bëhen jo me qëllimin për të goditur ata që kanë ndërtuar por për të frenuar ato pak ndërtime që mund të bëhen pa leje në vend. Janë të dukshme hapësirat publike në gjithë vendin tashmë”, tha Lame.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: