POGRADEC –INUK ka shembur mesditën e sotme një pallat shumëkatësh në breg të liqenit të Pogradecit. Ndërtesa 7-katëshe që ndodhej buzë liqenit të Ohrit, në komunën Hudënisht, është shembur me shpërthim të komanduar. Prej disa ditësh, forcat xheniere kanë punuar për të vendosur rreth 120 kg C4 në ndërtesën shumëkatëshe, e cila ka shpërthyer mesditën e sotme. Tentativa e parë dështoi pasi ndërtesa nuk u shemb plotësisht, por pas 20 sekondash nga përpjekja e parë, u bë i mundur shpërthimi dhe rrëzimi i ndërtesës. Duke qenë se në 2 katet e sipërme të saj nuk ishte vendosur tritol, pas shpërthimit filluan nga puna fadromat, për të bërë shkatërrimin e plotë të saj. Objekti i shkatërruar 7-katësh ka qenë në pronësi të shtetasit Ylli Alillari, pronar i tokës dhe 17 apartamenteve, dhe gjithashtu të shtetasit Hasan Zaci, pronar i 53 apartamenteve nga 70 të tilla.

https://www.youtube.com/watch?v=6hNHdl2hzFo&feature=youtu.be

Rreth 1 orë para shpërthimit në vendngjarje mbërriti dhe kryeinspektorja e INUK, Dallëndyshe Bici, e cila pa nga afër situatën dhe masat e marra paraprakisht. Trafiku në rrugën nacionale Pogradec-Tiranë qëndroi i bllokuar për 15 minuta. Gjithashtu u shkëput energjia elektrike 30 minuta para shpërthimit.

INUK ka zbarkuar në komunën Hudenisht të Pogradecit, prej disa ditësh, ku po vijon prishja e objekteve përgjatë vijës liqenore.Projekti për rehabilitimin e vijës liqenore prek 21 objekte, disa prej të cilave do të shemben me lëndë eksplozive.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: