POGRADEC- Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë nxjerrë më forcë pasditen e sotme në Udënisht, nga ndërtesa ku ishin ngujuar që dje, 20 anëtarë të familjes së Azem Brahajt, të cilët kundërshtonin shembjen e saj. Azem Brahja është pronar i “Bar – Restorant Kukësit”, shpronësuar me vendim qeverie. Po ashtu, specialët kanë shoqëruar në Polici, avokatin e kësaj familjeje, Altin Goxhajn, që i është bashkuar kundërshtimit të operacionit të INUK-ut për spastrimin e vijës liqenore nga ndërtimet.

ORA 14:16 Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka vijuar sot operacionin për prishjen e një sërë ndërtimesh në zonën turistike të komunës Udënisht, përgjatë vijës liqenore Lin-Pogradec. Ndërkohë 20 persona, anëtarë të së njëjtës familje, janë ngujuar që prej ditës së hënë në një godinë 4-katëshe, duke kundërshtuar shembjen e ndërtesës, pasi pretendojnë se kompensimi që u është ofruar është shumë i ulët. Rreth mesditës, forca të shumta policore kanë mbërritur në godinë dhe po negociojnë me banorët për t’i nxjerrë ata nga ndërtesa.

Pronari i ndërtesës, Azem Brahaj shprehet i vendosur të mos lejojë prishjen e godinës, pasi sipas tij, i janë ofruar 100 mijë euro, kur vlera e ndërtesës shkon deri në 500 mijë euro. Ndërkohë, pronari i ndërtesës akuzon për kërcënim shefin e komisariatit të Pogradecit. “Arben Curri më kërcënoi, më tha që kishte ardhur për të më arrestuar. Do ta mbrojmë me jetë pronën.”- deklaroi Brahaj.

Sipas planit të punës së INUK, në Udënisht janë rreth 20 objekte që do të prishen, një dhe disa katëshe, sipas një rendi të përcaktuar më parë nga ekspertët e Inspektoriatit. Vetëm ditën e sotme, janë shembur deri në këto momente katër objekte të përmasave të ndryshme, ndërkohë që pritet shembja me shpërthim të komanduar e një godine gjashtë katëshe. Mësohet se do të jenë tre ose katër godina të tilla që do të shemben me shpërthim të kontrolluar në këtë zonë. Ky operacion do të zgjasë rreth dhjetë ditë dhe në të do të përfshihen mjete të ndryshme të INUK.

(ar.sh/er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb