NGA OLA MITRE
TIRANE- Shteti shqiptar i ka borxh çdo personi paraplegjik dhe tetraplegjik si dhe shoqëruesit të tyre nga 200 mijë lekë të reja”. Denoncimi vjen nga presidenti i Këshillit Kombëtar të Shoqatave të Aftësisë së Kufizuar, njëkohësisht kryetar i Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Tetraplegjikëve, Ndrekë Ismailaj.
Sipas tij, kjo shumë është akumuluar që prej vitit 2006, si pasojë e mosindeksimit të pagesave të paaftësisë me pagën minimale, ndonëse ky është një detyrim ligjor, që rrjedh nga Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.618, datë 7.09.2006. Sipas pikës 8 të këtij vendimi, “masa e përfitimit për personat me aftësi të kufizuara indeksohet me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi”, por që prej hyrjes në fuqi të kësaj VKM-je, ky veprim nuk është kryer. Sipas Ismailajt, të njëjtin problem e kanë dhe personat e verbër dhe shoqëruesit e tyre në moszbatim të VKM-së nr. 277, dt.18.06.1997.
“Shoqata e të Verbërve ka filluar të zhvillojë gjyqe: personi dhe shoqëruesi i të verbrit kanë paditur pranë gjykatave administrative rajonale, Shërbimin Social Shtetëror, Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe bashkinë ku banon. Të gjitha gjyqet i kanë fituar deri tani. Profesor Sinan Tafaj, duke qenë avokat i ka përfaqësuar vetë në gjykatë anëtarët e tij”, – shpjegon Ismailaj.
BISEDIMET
Mosindeksimi i pagesave të paaftësisë me rritjen e pagës minimale në shkallë vendi ka prekur rreth 6 mijë paraplegjikë dhe tetraplegjikë si dhe 11 mijë të verbër. Ndërkaq, nisur nga këto kushte, kreu i Këshillit Kombëtar të PAK shprehet se kanë kontaktuar me disa institucione shtetërore, në mënyrë që të arrihej një marrëveshje para miratimit të Buxhetit 2016.
“U ulëm në bisedë me zëvendësministren e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Bardhylka Kospiri, por u la që të njihet me shkresë ministri dhe më pas do marrim një përgjigje më të plotë zyrtare. Nxituam që kjo marrëveshje të bëhej para miratimit të Buxhetit 2016 dhe kemi dy javë që nisëm shkresa nga Këshilli Kombëtar i PAK për kryeministrin, ministrin e Mirëqenies Sociale e Rinisë, Ministrinë e Pushtetit Vendor dhe Shërbimin Social Shtetëror. Askush nuk ktheu përgjigje, përveç kryeministrit, i cili sqaron se ‘u vumë në dijeni dhe ia kemi nisur çështjen ministrit Klosi’ si dhe i kërkon ta njoftojë për çdo hap që do ndërmarrin”, – sqaron Ismailaj.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)