Emisioni investigativ Vetting në News24
Me çfarë vaji gatuajnë shqiptarët? A e njohim? A jemi të sigurtë për atë që blejmë sot në treg? dhe a kanë dijeni shqiptarët për ndikimin që ka në shëndetin e njeriut ky produkt? Çdo vit në Shqipëri importohen miliona litra vaji vegjetal. Kërkesat e vazhdueshme që ka konsumatori shqiptar për vaj gatimi, e kanë kthyer këtë sektor në një ndër bizneset më fitimprurëse, duke sjellë edhe abuzime. Nga kërkimet e “Vetting” zbulohen afera me vajin që përdoret për gatim, ku në vitin 2020 janë importuar sasi të mëdha vaj gjembaçi me vlerë 37 milionë euro, për të cilat Autoriteti Kombëtar të Ushqimit mohon ekzistencën. Por nëse në supermarketet shqiptare nuk ka asnjë lloj vaji që tregohet si vaj gjembaçi, atëherë pyetja që lind këtu është: Ku ka shkuar ajo sasi e importuar? A iu është ndryshuar etiketa dhe shitet si një vaj tjetër?
Sipas ekspertëve ushqimorë, është përgjegjësia e institucioneve që të monitorojnë këto situata.
“Ka shumë situata që institucionet përkatëse të kenë kontroll në survejim produktet në sasi të mëdha, vaji, sheqeri, pra këto që janë produktet bazë, këto duhet të kontrollohen sepse konsumi i tyre është i lartë dhe rreziku për t’u ekspozuar popullata është e lartë në krahasim me të tjera produkte të cilat janë konsum, por në sasi më të vogla”, tha për “Vetting”, Prof. Dritan Topi.
Nga kërkimet e “Vetting” evidentohet se në Shqipëri janë importuar rreth 34 milionë litra vaj me kod doganor 15121199. Sipas nomenklaturës së mallrave doganore për vitin 2020, ky vaj rezulton të jetë vaj gjembaçi indian, i njohur me emrin latinisht “Sannflower Carthamus tinctorius”.
Cilësia e vajit dhe ekzistenca e tij kanë vendosur përballë njëra-tjetrës Doganat dhe Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Ky i fundit është munduar të mbulojë ekzistencën e këtij vaji, i cili më së shumti zbulohet nga anomalia e çmimeve që zbulohen nga Doganat.
“Nga pikëpamja sasiore nuk mund ta zëvendësojë, nga pikëpamja nutricionale nuk bën sens që ky produkt me cilësi më të mira, me çmim më të ulët të mund të zëvendësojë produktin me cilësi nutricionale më të ulëta dhe të gjejë vlerë në treg”, u shpreh eksperti ushqimor Topi.
Por informacionet zyrtare nga Doganat konfirmohen nga Organizatat Jofitimprurëse dhe ekspertët ushqimorë.
“Në fakt është e njëjta histori me ata çfarë unë kam investiguar para dy vjetësh, me një informacion që kisha dhe sigurisht shifrat janë alarmante. Kjo që thoni ju, përfshirë atë që unë kisha në atë kohë, është alarmante krahasuar me shifrat e vajit të lulediellit që hyjnë në Shqipëri, i rafinuar apo i parafinuar që përpunohet e shpërndahet në tregun tonë”, tha Drejtori Ekzekutiv nga Qendra Alert, Granit Sokolaj.
Sipas Sokolajt, ka një tendencë ose mashtrim të konsumatorëve për shkak të kostos së tij më të lirë se vaji i lulediellit, sidomos që nga koha e pandemisë dhe konflikti në Ukrainë.