Nga Armand Kullau, emisioni investigativ Vetting
Sot që flasim, industritë e shumë vendeve prodhojnë miliona tonë mbetjesh të rrezikshme si kimikate, metale të rënda dhe mbetje radioaktive, të cilat nëse nuk përpunohen përbëjnë rrezik për ambientin dhe shëndetin e njeriut.
Sa më e rrezikshme të jetë mbetja toksike, aq më shumë kushton trajtimi i tyre për t’i kthyer në mbetje të parrezikshme ose asgjësimi.
Sipas ekspertit te mjedisit Rodion Gjoka “Trajtimi i vetë këtyre mbetjeve, madje dhe vetë magazinimi i këtyre mbetjeve sipas kushteve që parashikon direktiva e Bashkimit Europian për menaxhimin e mbetjeve të rrezikshme është tepër e kushtueshme ndaj dhe shohim sot shumica e mbetjeve të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë magazinohen ose trajtohen në mënyrë tepër elementare, madje në disa raste edhe në ambiente të hapura”.
Grupe interesi të joshura nga përfitimet preferojnë që t’i marrin mbetjet e rrezikshme dhe ti transportojnë në vende të botës së tretë, ku korrupsioni dhe varfëria injorojnë rreziqet e përhershme që vijnë nga depozitimi i këtyre mbetjeve.
Eksperti i mjedisit Ahmet Mehmeti shprehet se “metalet e rënda janë nga më të spikaturit kur themi për mbetje të rrezikshme, pasi përveç sëmundjeve të zakonshme që mund t’u shkaktojnë organeve, ato i shkaktojnë sëmundjet e rënda kanceroze. Kështu që duhen parë me përparësi, industria në Elbasan, e zhvilluar po them relativisht, ka vuajtur shumë, nga mospastrimi i vendosjes së filtrave.”
(BalkanWeb)