Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit Taulant Balla dhe Kryetari i Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja inspektuan punimet për rikonstruksionin e rrugës “Abdyl Kajanaku” në lagjen “Brigada e 17 Sulmuese” në Elbasan.
Në fjalën e tij Balla tha se prej shumë kohësh banorët kishin kërkuar rikonstruksionin e kësaj rruge.
“Kjo rrugë nuk i shërben vetëm rezidentëve, por kjo rrugë lidh shkollat “Ali Agjah” dhe “Onufri” si dhe tregun kryesor të fruta perimeve.
Janë, jo pak, por qindra nxënës shkolle të cilët çdo ditë u duhet të përshkojnë këtë rrugë, po ashtu tregtarët dhe blerësit vuanin kushtet e rrugës e cila ishte tërësisht e shkatërruar.
Rruga po rikontruktohet konform të gjitha parametrave, përfshirë kanalizime, trotuare, ndriçim e gjelbërim”, tha Balla.
Kryetari i Bashkisë theksoi se edhe shkolla artistike “Onufri” ka nevojë për rikontruksion dhe kërkoi mbështetjen e qeverisë që edhe kjo shkollë të jetë konform standardeve dhe të vazhdojë t’i japë Shqipërisë artistë të shkëlqyer.
Balla më tej zhvilloi takime me tregtarët në tregun e fruta perimeve duke u njohur me problematikat e tyre dhe ecurinë e punës së përditshme.
Bashkia e Elbasanit është duke bërë rikonstruksionin e tregut të bulmetit, për të cilin Balla kërkoi të përfundojë sa më parë, dhe bulmeti të tregtohet brenda standardeve të lejuara.