Krahas rehabilitimit të akseve kryesore, si “Rruga e Durrësit” apo “Rruga e Kavajës”, Bashkia e Tiranës po ndërhyn edhe në rrugët në brendësi të lagjeve. Rruga “Sotir Peçi”, e cila lidh bllokun e ambasadave me Rrugën e Durrësit, është investimi më i fundit në kryeqytet. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi përfundimin e punimeve dhe shtoi se pas ndërhyrjeve në akset kryesore, vëmendja po shtrihet edhe në hapësirat më të vogla mes lagjeve.


“Kemi punuar në të gjithë Tiranën në akset kryesore. Po punohet tek “Rruga e Kavajës” me korsinë e biçikletave, kemi punuar me “Rrugën e Durrësit” me pjesën e nëntokës, por ajo që vëmë re është se kemi disa xhepa të vegjël mes lagjeve, të cilat nuk janë prekur nga ky ndryshim. Rruga “Sotir Peçi” është një prej tyre, pra në anën tjetër kemi “Rrugën e Durrësit”, që është aksi tregtar kryesor i Tiranës, ndërkohë sapo kalon rrugën midis bllokut të ambasadave, kemi këto xhepa. Ndaj, jam i lumtur që kemi shfrytëzuar verën, por edhe fondet e mbetura nga buxheti, për këto projekte të vogla nëpër lagje”, tha ai.

Veliaj deklaroi se tani që ka përfunduar rehabilitimi i rrugës me sinjalistikë dhe infrastrukturën e nevojshme nëntokësore, vëmendja do të jetë te ndërhyrjet në fasadat e pallateve për të krijuar lagje model. Ai u bëri thirrje banorëve të zonës që të nxitojnë të zgjedhin administratorin dhe të aplikojnë për “Fondin e Komunitetit”, për të bashkëfinancuar projektin me bashkinë. “Rruga ‘Sotir Peçi’ është transformuar plotësisht, por nga niveli horizontal duhet të shkojmë edhe në nivelin vertikal. Ndaj, ashtu siç po punojmë edhe në këtë bllok në tokë, do të duhet të punojmë edhe me fasadat e pallateve. Lipset që banorët të organizohen e të caktojnë një administrator, dhe me administratorin t’ju japim prapë fonde, që të bëjmë edhe fasadat. Puna e bukur që është bërë në “Rrugën e Durrësit” me fasadat, do të duhet që ta bëjmë edhe në Rr. “Sotir Peçi” apo në të gjitha xhepat e tjera të Tiranës, duke e ndarë shpenzimin bashkë”, tha ai.


  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ndërkohë, gjatë gjithë verës, Bashkia e Tiranës po punon edhe për përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve edukuese, si çerdhe, shkolla dhe kopshte, në mënyrë që gjithçka të jetë gati për në shtator. Kryebashkiaku siguroi se në katër vitet e ardhshme, fokusi do të jetë edhe më shumë tek fëmijët. “Do të vazhdojmë të punojmë gjatë gjithë verës për projektet që duhen mbyllur deri sa të kapim vitin e ri shkollor; kryesisht fokusin do ta kemi në kopshte, shkolla, çerdhe. Do të hapim disa shkolla të reja si “Servete Maçi” apo edhe shkollat ku kemi shtuar ambientet ose i kemi bërë nga e para. Si prind i ri, që do të çoj për herë të parë djalin në çerdhe këtë vit, është akoma më afër zemrës sime projekti i Tiranës për fëmijët, siç nuk ka qenë kurrë më përpara. Edhe këto 4 vite do shohim një fokus akoma edhe më të fortë te fëmijët”, u shpreh Veliaj.


Rikonstruksioni i rrugës ”Sotir Peçi”, krahas asfaltimit të saj, përfshiu edhe rrjetin e ri të ujësjellës-kanalizimeve, vendosjen e ndriçimit LED, trotuare, si dhe vendosjen e sinjalistikës horizontale dhe vertikale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb