TIRANE

60 biznese të huaja në vendin tonë pjesë e shoqatës së investitorëve të huaj thonë se klima e biznesit në 6 muajt e parë të vitit 2019 ishte e pafavorshme. Në rezultatet e nxjerra nga shoqata e investitorëve të huaj kompanitë kanë vlerësuar klimën 0 në 100, ku zero është pika më e pafavorshme dhe 100 shumë më e favorshme me një rezultat 39 .Megjithatë kjo nuk e ka shuar optimizmin e tyre për gjysmën e dytë të vitit. Ato i japin një notë më të lartë klimës ekonomike në vend në muajt e ardhshëm ndonëse nën mesataren e vlerësimit 45.

Por kriza politike në vend vazhdon të krijojë pasiguri tek investitorët e huaj. Në treguesit e përkeqësuar është klima politike sipas anëtarëve të shoqatës së investitorëve të huaj të cilët e kanë vlerësuar me 32. Në Shqipëri sipas sipërmarrësve të huaj problem vazhdojnë të mbeten ende monopoli dhe konkurrenca. Ministrja e Financave Anila Denaj thotë se një pjesë e perceptimeve të vëzhgimit janë të drejta, pasi ndikojnë në klimën e biznesit dhe në konkurrencën e ndershme.

“Disa nga perceptimet janë perceptime të drejta që ndikojnë në klimën e biznesit dhe konkurrencën e ndershme. Kush është shqetësimi i tyre kryesisht? Është që rregullat e lojës të jenë të qarta dhe informaliteti të ulet. Ky është edhe objektivi jonë ndaj gjetëm një dialog të mirë dhe të frytshëm për ta çuar këtë projekt përpara.” -u shpreh Denaj.

Disa ditë më parë edhe komunitete të tjera të biznesit si dhoma gjermane, amerikane dhe dhoma e tregtisë njëzëri e vlerësuan situatën aktuale politike si shqetësuese për ekonominë e vendit. Sipërmarrësit kërkuan një reagim nga politika për të zgjidhur këtë situatë me përgjegjshmëri në dobi të stabilitetit të vendit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb