Inxhinieri Bashkim Kopliku, i cili ka mbajtur edhe poste të larta politike, ka sqaruar edhe njëherë në një lidhje telefonike për “News24” ndryshimin mes magnitudës dhe intensitetit, duke marrë shkasë nga tërmeti i fuqishëm i pasdites së djeshme, i cili ishte 5.8 ballë i shkallës Rihter, por në disa media u raportua edhe si 7.5 ballë.

Në lidhje me këtë, inxhinieri Kopliku deklaroi se tërmeti i djeshëm ishte rreth 6 ballë, pasi sipas tij, një tërmet 7 ballësh apo më shumë do të kishte shembur ndërtesat.

Duke sqaruar ndryshimin mes magnitudës dhe intensitetit të një tërmeti, Kopliku tha për “News24” se tërmeti i djeshëm ishte rreth 6 ballë, pasi një tërmet i tillë sjell plasaritje dhe çarje banesash, duke mos i shembur ato.

“Tërmeti ka dy karakteristika, njëra që shkakton tërmetin dhe tjetra efekti që ka kjo energji. Është magnituda dhe intensiteti. Unë mendoj se tërmeti i djeshëm në Durrës ishte rreth 6 ballë. 6 ballë është kur ndërtesat nuk prishen, por ka dëmtime.

Ndërsa 7 ballë ndërtesat prishen, e më tej. Një tërmet, si ai i djeshmi, mbetet 5.8 ballë për të gjithë njerëzit kudo ku janë, por ama efektet në Washington janë zero, ndërsa për ata në Durrës janë të shumta. Sa më afër burimit të jesh, aq më tepër efekte dëmtuese ka tërmeti. Është edhe struktura e gjithë tokës, nga burimi i energjisë, deri aty ku shohim pasojat e tërmetit”, deklaroi inxhinieri.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb