22 ndeshje radhazi kishte Bayern Munich që nuk pësonte humbje në shtëpi, në Champions League, ky detaj e bën edhe më të bujshme suksesin e Inter në “Allianz Arena”. Përtej kësaj fitoreje, në shtëpinë zikaltër nuk festojnë, të vetëdijshëm se Bayern Munich është një ekip i madh, i aftë të përmbys rezultate të tilla. Përveç fitores 2-1 të arritur në Mynih, Simone Inzaghi merr lajme të tjera pozitive në vigjilje të ndeshjes së kthimit më 16 prill.

Për këtë takim, Inzaghi do të ketë dispozicion anësorin e tij të preferuar, Dimarco-n. Inzaghi pati guximin që e ruajti në Mynih edhe pse Dimarco mund të luante disa minuta, minuta të cilët pritet t’i marrë këtë fundjavë përballë Cagliari-t, për të zbritur më pas si titullar kundër Bayern në “San Siro”. Thuajse e pamundur është prezenca e Dumfries në këtë takim, me anësorin holandez që rrezikon edhe derbin kundër Milanit në Kupë.

I ndryshëm është diskutimi në radhët e Bayern Munich. Në aktin e parë kundër Inter, Kompany ishte i detyruar të bënte pa shërbimet e Neuer, Upamecano, Davies, Ito, Pavlovic, Coman e Musiala. Nga 7 mungesat e mëdha, vetëm Pavlovic dhe Coman mund të rikuperohen. Sulmuesi francez ka një shqetësim në këmbën e majtë, mund të rikthehet në fushë në çdo moment, por është thuajse e pamundur që të jetë nga minuta e parë. Ndërkohë Pavlovic është rikthyer të stërvitet me pjesën tjetër të ekipit pas një kohë të gjatë, shanset për ta parë në fushë kundër Inter janë të mëdha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: