MILANO – Sikur të mos mjaftonte momenti negativ në kampin kuqezi, ku skuadra nuk fiton prej pesë ndeshjesh dhe për më shumë nuk bëri një paraqitje dinjitoze në derbi, kanë menduar gazetat dhe revistat italiane të “Gossip”-it për të shtuar edhe më shumë tensionin në “Milanelo”.

Dje, disa organe të specializuara në këto tematika kanë lëshuar bombën se mes vajzës së presidentit Silvio Berluskoni, Barbaras, dhe trajnerit Filipo Inzagi, ka një lidhje sekrete. Flirti mes tyre, sipas lajmeve, ose më saktë thashethemeve të mbledhura së fundmi, nuk ka shumë kohë që ka nisur, duke qenë se edhe i fejuari më i fundit i zëvendëspresidentes së Milanit, Lorenco Gautieri, ka humbur gjurmët prej disa kohësh, të paktën në “San Siro”, ku ai pikasej më shpesh. Natyrisht që kaq ka mjaftuar dhe mbi figurën e vajzës së tretë të Berluskonit është ngritur një mal me intriga, duke filluar nga këmbëngulja e vetë Barbaras për të pasur Inzagin në krye të stolit kuqezi e për të vazhduar me elozhet e 31-vjeçares në drejtim të trajnerit që kurrë nuk kanë munguar.

Nga ana tjetër, precedenti i saj me ish-sulmuesin e Milanit, Aleksandre Pato, forcon edhe më shumë mundësinë, ndonëse këtë herë Barbara duket se ka zgjedhur një nga ish-bomberat më të mëdhenj të ekipit në pronësi të babait të saj dhe trajnerit aktual të Milanit. Fundja, edhe Filipo Inzagi është beqar prej disa kohësh, ndaj një lidhje mes tyre nuk duket kaq e pamundur, ndonëse për momentin nuk ka asnjë fakt dhe mbi të gjitha, mbi këtë çështje pritet të ngrihet një proces jo i vogël gjyqësor.

Të gjithë në gjyq – Këto zëra nuk janë anashkaluar me të qeshur nga dy të interesuarit, përkundrazi, qoftë Barbara Berluskoni, ashtu sikurse Filipo Inzagi kanë reaguar publikisht me anë të një komunikate zyrtare, në të cilën sqarohet: “Lajmi që ka qarkulluar së fundmi mbi një lidhje inekzistente, do të ketë pasoja për të gjitha ato media që e kanë publikuar. Barbara Berluskoni dhe Filipo Inzagi kanë vënë në punë avokatët e tyre për të luftuar këtë lajm të rremë për të cilin duhet të përgjigjen organet që e kanë shkruar”. Por, ndërkohë, bomba është lëshuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb