Më 8 shkurt, mijëra iranianë u grumbulluan dhe marshuan në Paris për të shënuar 40-vjetorin e kryengritjes së popullit iranian kundër diktaturës së Shahut.
Marshimi nisi në Sheshin Denfert Rochereau të Parisit dhe përfundoi në Les Invalides përballë Asemblesë Kombëtare Franceze. Protestuesit dënuan shkeljet e vazhdueshme të të drejtave njerëzore në Iran, komplotet terroriste të regjimit, si dhe programet bërthamore dhe të raketave. Ata shprehën mbështetje për lëvizjet shoqërore dhe protestat e popullit iranian kundër diktaturës së mullahëve.

Një mesazh nga Maryam Rajavi drejtuar demonstruesve u shfaq në ekran. Ajo tha, me përmbysjen e diktaturës së korruptuar të Shahut dhe të regjimit të tij të torturës, pasardhësit e tij të vërtetë, konkretisht Khomeini dhe Khamenei, morën drejtimin. Tani është radha e mullahëve të përmbysen.

Ajo shtoi, kombi ynë ka nisur një epokë të re, një fazë të re, në betejën e tij për ta rrëzuar sundimin teokratik të mullahëve. Për këtë arsye, populli pret që komuniteti ndërkombëtar ta respektojë përpjekjen e tij dhe ta njohë objektivin e tij të lartë për ta çliruar Iranin dhe gjithë botën nga ligësia e fashizmit fetar të mullahëve. Qeveritë perëndimore kanë një përgjegjësi të dyfishtë në këtë aspekt pasi kanë patur rol në mbrojtjen e këtij regjimi, sidomos gjatë dy dekadave të fundit.

Tubimi u mbështet nga një numër i madh komunitetesh iraniane në Europë, organizatash të të drejtave njerëzore, unionesh të profesioneve, dhe komitetesh parlamentare e kryebashkiakësh nga distriktet e Parisit dhe nga rajoni Île-de-France. Personalitetet që folën në këtë eveniment përfshinin: Gilbert Mitterrand, President i France Libertés – Fondacioni Danielle-Mitterrand; Michèle de Vaucouleurs, anëtare e Asemblesë Kombëtare të Francës dhe Presidente e Komitetit Parlamentar francez për një Iran Demokratik; Sid Ahmed Ghozali, ish Kryeministër i Algjerisë; Alejo Vidal Quadras, ish Zëvendës President i Parlamentit Europian dhe President i Komitetit Ndërkombëtar në Kërkim të Drejtësisë; George Sabra, përfaqësues i spikatur i opozitës siriane; Jean-François Legaret, Kryetar i Distriktit të Parë të Parisit; Gérard Lauton, përfaqësues i Unionit Kombëtar të Francës për Arsimin e Lartë; Jean-Pierre Michel, ish Senator dhe themelues i Komitetit Francez për një Iran Demokratik; François Colcombet, President i Fondacionit për Studime të Lindjes së Mesme (FEMO); dhe Pierre Bercis, President i Nouveaux Droits de l’Homme.
Në fjalimin e tij, Gilbert Mitterrand iu referua një raporti të fundit nga Amnesty International që e quan 2018-ën si viti i turpit për Iranin gjatë të cilit 7,000 njerëz janë arrestuar për protestat e tyre kundër regjimit. Ai e mbylli fjalën duke thënë se Rezistenca Iraniane është alternativa ndaj mullahëve.

Dr. Alejo Vidal-Quadras tha, “I bëj thirrje BE-së që të ndërmarrë një përqasje të ashpër ndaj këtij regjimi teokratik e terrorist i cili nuk ka të ardhme. BE duhet t’i japë fund politikave të paqësimit dhe të mbështesë opozitën iraniane në vend të mullahëve. Paqësimi vetëm sa i trimëron mullahët që të kryejnë më shumë krime në Iran dhe më shumë terrorizëm në Europë. BE duhet ta vërë të gjithë Ministrinë iraniane të Inteligjencës dhe Trupat e Gardës Revolucionare Islamike në listën e zezë të terrorizmit.”

Michèle de Vaucouleurs tha, “Jam këtu sot për të dëshmuar se, si anëtare e Parlamentit, e shoh situatën e të drejtave njerëzore në Iran vërtet të mjerueshme, dhe shpresoj që ky vit do të jetë viti i fundit që do t’ju duhet t’i duroni këto vuajtje.”

Senatori Jean-Pierre Michel tha, “Dua t’u bëj thirrje qeverive tona, qeverive europiane, z. Jean-Yves Le Drian dhe znj. Federica Mogherini, që të mos kenë frikë nga Rezistenca Iraniane. Hapni sytë e veshët. Rimerrni dinjitetin që ju vesh statusi i Europës, rifitoni dinjitetin e eruopianëve. Mbështesni Rezistencën Iraniane.”

Marshimi i fuqishëm që përfshiu rrugët e Parisit në motin e ftohtë e nën ritmet e daulleve dhe sloganet plot pasion reflektoi forcën e shpirtit të rezistencës së iranianëve dhe të demonstruesve që morën pjesë. Reflektoi zërat e popullit iranian i cili nuk i ndali kurrë protestat e grevat e tij gjatë vitit të shkuar.

Në fund të marshimit, u shpall deklarata përfundimtare e tubimit. Ajo dënonte aktet terroriste të mullahëve kundër opozitës në Europë, proliferimin e vazhduar të raketave të rrezikshme dhe armëve bërthamore, shtypjen dhe vrasjet e vazhdueshme në Iran, si dhe në luftërat rajonale. Deklarata nxiste komunitetin ndërkombëtar që të përballet në mënyrë decizive me regjimin dhe të njohe të drejtën e popullit dhe Rezistencës iraniane për të përmbysur regjimin klerikal.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb