Në një intervistë të drejtpërdrejtë në studion e “Open” në News24, eksperti i çështjeve të sigurisë, Erdoan Shipoli, analizoi sulmin e fundit të Iranit, i cili dërgoi qindra raketa drejt Izraelit.
Shipoli theksoi se liderët e grupeve si Hezbollah dhe Hamas mund të zëvendësohen shpejt, duke e bërë situatën në rajon edhe më të komplikuar.
Ai theksoi se Irani ka një interes të qartë për të destabilizuar rajonin dhe se ky sulm ishte një përgjigje e pritur ndaj veprimeve të Izraelit në Liban. Sipas Shipolit, qeveria izraelite aktualisht nuk ka një strategji të qartë për të menaxhuar këtë situatë të tensionuar dhe për pasojat që mund të vijojnë nga ofensiva në Liban.
Eksperti vuri në dukje se pa një plan të mirëfilltë, situata mund të përkeqësohet dhe të sjellë pasoja të rënda për stabilitetin e rajonit.
“Liderët e organizatave si Hezbollah apo Hamas mund të zëvendësohen shumë shpejt. Irani ka interes për të destabilizuar rajonin. Është një aktor që pritej të kishte një përgjigje ndaj veprimeve të Izraelit në Liban. Qeveria e Izraelit nuk ka një strategji se deri ku do të vijojë kjo situatë dhe çfarë do të ketë në fund, në kuadër të ofensivës në Liban”, tha ai mes të tjerash.