IRAN- Pak ditë pasi presidenti amerikan nënshkroi vendimin për kufizimin e vizave për 7 vende të lindjes së Mesme, ka reaguar Irani duke u përgjigjur me të njëjtën mënyrë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Mohammad Javad Zarif konfirmoi se nuk do t’u japin viza shtetasve amerikanë, duke theksuar se kjo është përgjigje e dekretit ekzekutiv të Trumpit me të cilin ndalon hyrjen e shtetasve nga 7 vende myslimane në SHBA, në mesin e tyre edhe Iranin.

“Nëse ka përjashtime, kjo do të shqyrtohet përmes mekanizmave të krijuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme”, deklaroi Zarif për gazetën e përditshme “Khorasan daily”, pas takimit me kolegun francez Jean-Marc Ayrault.

Zarif, masën reciproke të Teheranit e paralajmëroi edhe të shtunën, kur dekreti i Trumpit për ndalesën hyri në fuqi. Presidenti amerikan Donald Trump, të premten, mori vendim për ndalimin e hyrjes së refugjatëve sirianë, ndërsa ndalesë tremujore për dhënie të vizave amerikane vendosi për shtetasit e Iranit, Irakut, Libisë, Somalisë, Sudanit dhe Jemenit.

Iranin në vit e vizitojnë rreth 5 milionë turistë, kryesisht nga vendet fqinje. Evropianët po ashtu janë mysafir të shpeshtë në këtë vend, ndërsa amerikanët paraqesin më pak se 1% të vizitorëve dhe u nënshtrohen kontrolleve të ashpra.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: