Në një komunikim të drejtpërdrejtë në studion e “Open” në News24, analisti Endri Tafani komentoi sulmin e fundit të Iranit, i cili dërgoi qindra raketa drejt Izraelit.
Ai e cilësoi këtë sulm si të pritshëm, duke e lidhur atë me ngjarjet e fundit në Liban, përfshirë vrasjen e liderëve të Hezbollahut dhe goditjen e qendrave të logjistikës së këtij grupi.
Tafani shpjegoi se sulmi tokësor i Izraelit kishte detyruar Iranin të përgjigjej për të ruajtur pozitat e tij në rajon. Ai vuri në dukje se Irani kishte paralajmëruar edhe më herët për një përgjigje pas vrasjes së liderit të Hamasit.
Megjithatë, ai konfirmoi se për momentin nuk kishte viktima, dhe se qiejt e Izraelit ishin të hapur për fluturime, pasi rreziku i sulmit kishte përfunduar.
“Sulmi ishte i pritshëm nga ana e Iranit, pas ngjarjeve të fundit në Liban duke vrarë liderët e Hezbollahut, si edhe goditjen e qendrave të logjistikës së Hezbollahut në Liban. Dje po ashtu ka nisur sulmi tokësor, duke bërë që Irani të ishte i detyruar të përgjigjej për të mos dalë nga loja. Irani kishte bërë një paralajmërim të tillë edhe pas vrasjes së liderit të Hamasit. Për momentin nuk ka viktima dhe qiejt e Izraelit janë të hapur për fluturime pasi rreziku i sulmit ka përfunduar. Sakaq, pritet që Izraeli të përgjigjet së shpejti, ndoshta që natën në vijim”, tha ai.