Irani i ka shkruar mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së për t’u ankuar për kërcënimet izraelite për të goditur objektet e tij të energjisë atomike, ka bërë të ditur zëdhënësi iranian i ministrisë së Jashtme, në një konferencë javore për shtyp të hënën.
Izraeli është zotuar të sulmojë Iranin si hakmarrje për një breshëri raketash iraniane më 1 tetor, duke nxitur spekulime se objektet bërthamore iraniane mund të jenë ndër objektivat, raporton Reuters.
“Kërcënimet për të sulmuar vendet bërthamore janë kundër rezolutës së OKB-së dhe dënohen. Ne i kemi dërguar një letër në lidhje me këtë mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së”, ka thënë zëdhënësi Esmaeil Baghaei në konferencë.
Javën e kaluar, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se Izraeli do të dëgjonte aleatin kryesor të Shteteve të Bashkuara në lidhje me një përgjigje ndaj sulmit raketor të Iranit, por do të vendoste veprimet e tij sipas interesit të tij kombëtar.
Deklarata e tij i ishte bashkëngjitur një artikulli të “Washington Post”, ku thuhej se Netanyahu i kishte thënë administratës së presidentit, Joe Biden se Izraeli do të godiste objektivat ushtarake iraniane, jo ato bërthamore ose të naftës.
Irani ka mohuar vazhdimisht akuzat perëndimore se ka kërkuar në mënyrë të fshehtë të prodhojë bomba bërthamore në kundërshtim me angazhimin e tij ndaj Traktatit global të Mospërhapjes.