Donald Trump ka komentuar sulmin me raketa që Irani nisi ndaj Izraelit të martën, duke lëshuar një deklaratë të rrëmujshme, apokaliptike, në të cilën ai deklaroi se bota “po digjet dhe po del jashtë kontrollit”.
“Ne nuk kemi lidership, askush nuk e drejton vendin,” postoi ish-presidenti në Truth Social. “Ne kemi një President inekzistent si Joe Biden dhe një Zëvendës Presidente që mungon plotësisht, Kamala Harris, e cila është shumë e zënë me mbledhjen e fondeve në San Francisko, një qytet të cilin ajo dhe Gavin Neëscum e shkatërruan totalisht, dhe duke organizuar foto të rreme. Askush nuk është në krye dhe nuk është as e qartë se kush është më i hutuar: Biden apo Kamala. Askush nuk e ka idenë se çfarë po ndodh.”
Trump vazhdoi, duke pretenduar, se kur ai ishte në detyrë, “Irani ishte në kontroll të plotë”.
“Ata ishin të uritur për para, plotësisht të kontrolluar dhe të dëshpëruar për të bërë një marrëveshje”, vazhdoi mesazhi pesimist i Trump. “Kamala i përmbyti me para amerikane dhe që atëherë ata kanë eksportuar terror në të gjithë Lindjen e Mesme dhe kanë zbërthyer Lindjen e Mesme. Nën ‘Presidentin Trump’, ne nuk kishim LUFTË në Lindjen e Mesme, ASNJË LUFTË në Evropë dhe harmoni në Azi, pa inflacion, pa katastrofë në Afganistan. Në vend të kësaj, ne kishim PAQE. Tani, Lufta apo kërcënimi i Luftës, po tërbohet gjithandej dhe dy të Paaftët që drejtojnë këtë Vend po na çojnë në prag të Luftës së Tretë Botërore. Ju nuk do t’i besonit Joe ose Kamalas për të drejtuar një stendë limonade, e lëre më të udhëheqin botën e lirë. Nuk është çudi që Irani dëshiron dëshpërimisht që Kamala Harris të jetë Presidente, sepse ata e dinë se për sa kohë ajo është në pushtet, ata mund të përfitojnë nga Amerika. Kjo është arsyeja pse ata janë përpjekur të më vënë në shënjestër. Nëse do të isha unë në krye, 7 tetori nuk do të ndodhte kurrë, Rusia/Ukraina nuk do të ndodhte kurrë, tërheqja e dështuar e Afganistanit nuk ndodhte kurrë dhe inflacioni nuk ndodh kurrë. Nëse fitoj, do të kemi sërish paqe në botë. Nëse Kamala merr edhe 4 vite të tjera mandatin, bota shkon në tym”, tha Trump.
(Balkanweb)