NGA FATMIRA NIKOLLI

Vendbanimi mesjetar i Komanit, i njohur fillimisht prej Kalasë së Dalmaces nuk do të demtohet nga zhvillimet për ndërtimin e linjës së interkoneksionit Shqipëri-Kosovë. Një prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë sqaron vendimet e marra në mbledhjen e fundit të këtij këshilli. Prof.  Iris Pojani,  pedagoge në Departamentin e Arkeologjisë dhe Administrimit të Trashëgimisë Kulturore në UT, vjen në një intervistë për «Gazeta Shqiptare» duke arsyetuar qëndrimin ne lidhje me çështjen e diskutuar të projekteve në Koman si dhe na njeh me vendimet e marra në mbledhje, vendime të cilat kanë hasur në kundërshtimin e ekipit të arkeologëve që punojnë në Koman.

KKA ka miratuar kalimin e linjës së OST-së mbi vendbanimin mesjetar të Komanit. Arkeologia Etleva Nallbani është shprehur se kjo i linjë dëmton vendbanimin. Cili është mendimi dhe qëndrimi juaj për çështjen?

KKA në mbledhjen e datës 12 Dhjetor ka shqyrtuar midis çështjeve të tjera edhe dy pika që lidhen me vendbanimin e Komanit.

Së pari, anëtarët u njohën me propozimin për shpalljen e zonës së mbrojtur arkeologjike përreth vendbanimit të Komanit (Kalaja e Dalmacës), propozim ky i bazuar mbi të dhënat e vëzhgimit arkeologjik, realizuar në kuadrin e projektit të misionit shqiptaro-francez që punon aty prej disa vitesh. Sipas propozimit të këtij misioni, zona e mbrojtur ndahet në:

-Zona A e cila do të përfshijë sitin e njohur arkeologjik të Komanit.

-Zona B, që do të përmbledhë territoret e afërta.

Së dyti, u prezantua raporti i vëzhgimit arkeologjik, realizuar nga ASHA, në kuadër të kërkesës për miratimin e projektit “Ndërtimi i linjës së transmetimit 40 kV Shqipëri-Kosovë”.

Pas diskutimeve, fillimisht, u miratua propozimi për zonat arkeologjike A dhe B, konform hartës së përpiluar nga arkeologët dhe paraqitur nga Instituti Arkeologjik, përgjegjës për projektin në fjalë. Ky propozim do të ndjekë procedurat përkatëse deri në daljen e VKM–së. Kjo e fundit do të shoqërohet më pas edhe me rregulloren dhe hartën përkatëse.

Po ashtu, u shqyrtua edhe gjurma e linjës së transmetimit Shqipëri-Kosovë, duke u bazuar në zonifikimin e sipërpërmendur të sapo propozuar. U konstatua se asnjë nga shtyllat e parashikuara si pjesë e linjës së re të transmetimit nuk pozicionohej ne zonën A të propozuar. Kësisoj nuk kishte vend për ndonjë devijim të linjës në përgjithësi. Për ato shtylla që pozicionohen në zonën B, të propozuar, zonë ku lejohen veprimtaritë me karakter ndërtimor, Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë vendosi kryerjen e sondazheve arkeologjike në përputhje me legjislacionin në fuqi. Madje, KKA rekomandoi që mundësisht misioni arkelogjik shqiptaro-francez të përfshihet në kryerjen e vëzhgimit të hollësishëm dhe sondazheve paraprakisht.

A është e mundur të spostohet linja, duke qenë se jemi në kushtet kur shtyllat nuk janë vënë ende, pra flasim ende për shtylla në letër?

Nuk është as rasti i parë, kjo ndodh rëndom me gjurmët e traseve të rrugëve, në ndërtimet e tjera inxhinierike, si ujësjellës etj. Por për këtë çështje do të diskutohet në mbledhjen e KKA-së, menjëherë pas shqyrtimit të raportit të rezultateve të sondazheve që do të kryhen në pozicionet e planifikuara për vendosjen e disa nga shtyllave në Zonën B të propozuar.

Si njohëse e fushës, sipas jush, sa dëmtohet sajti, flasim edhe për pjesën që ende nuk është gërmuar?

Ashtu sikundërse kanë gjykuar edhe propozuesit e zonifikimit, potenciali dhe densiteti më i madh i gjetjeve pritet në Zonën A, zonë kjo me një sipërfaqe rreth 90 ha. Po edhe këtu, nuk është e thënë që e gjithë sipërfaqja të gërmohet. Ju e dini që është më mirë të mos nxitohemi e gërmojmë gjithçka me shpejtësi duke lënë kështu edhe diçka për brezat që do vijnë. Në zonën A me sipërfaqe 90(1000) ha nuk lejohet kategorikisht asnjë veprimtari me karakter ndërtimor dhe kështu do të ndodhë!

Ndërsa në Zonën B, gjithmonë duke ju referuar Ligjit për trashëgiminë kulturore, lejohen ndërtimet e reja sipas rregullores, me miratimin e KKA-së.

-Si është e mundur që KKA, e kaloi kaq “lehtë” një vendim të tillë? Kemi parasysh që KKA, përbëhet nga njerëz të angazhuar në trashëgimi. Ka mundësi të kthimit të këtij vendimi, rishikimi të tij?

Jemi ende në fazën e parë të shqyrtimit, dhe vendimi i marrë ka të bëjë vetëm me punën arkeologjike në gjurmët ku mund të pozicionohen shtyllat. Aty pranë aktualisht kalon edhe linja elektrike që furnizon vendin me elektricitet dhe traseja është tashmë prej shumë vitesh e hapur. Për shtyllat e pozicionuara në Zonën B (të propozuar), KKA ka vendosur të monitorojë dhe të kryejë paraprakisht sondazhet duke mbajtur të informuar edhe OST-në. Ky vendim vjen si rezultat i një propozimi të bërë nga njohësit më të mirë të mundshëm të sitit. Dhe ata vetë kanë sugjeruar pikërisht këtë lloj natyre zonifikimi. Nëse Zona A e propozuar do të ishte më e gjerë rrjedhimisht platformat e shtyllave do të ishin spostuar jashtë kufijve të Zonës A.

Nuk duket të jetë marrë “kaq lehtë” situata. Hapat e ndjekur tregojnë të kundërtën. Kolegët e ASHA kanë bërë një vëzhgim të hollësishëm në sit, të pasuar nga një raport i detajuar, ky i fundit i prezantuar në këtë mbledhje. Më pas këshilli caktoi në mbledhje drejtorinë rajonale t’i asistojë misionit si dhe veprimtarisë së ASHA.

Për për sa kohë sondazhet e kombinuara edhe me hulumtime të natyrave të ndryshme, nuk janë kryer, KKA nuk mund të shprehet më tej.

Për të qenë të qartë, linja kalon në zonën arkeologjike B, pra jo në A, që ka rëndësinë parësore, por në atë B. Kjo e fundit, pra zona B, nuk është gërmuar sa duhet. Nëse ndodh që gjatë këtyre gërmimeve dalin në dritë të dhëna me rendesi, gjithsesi do të duhet zhvendosje? Sa gjasa ka që kjo të ndodhë dhe a do jenë të gatshëm përfaqësuesit e Ministrisë së Energjitikës të tërhiqen në pikën kur ata i kanë filluar investimet nëse ata nuk kanë pranuar të tërhiqen tani?

Sikundërse e mësuat dhe më sipër, gërmimet vazhdojnë dhe do të vazhdojnë në zonën A, gjë që nuk do të thotë që e gjithë sipërfaqja do të gërmohet. Në një sit, ka zona me rrënoja por ka edhe zona boshe, e këto rrjedhimisht nuk gërmohen. Ndërsa zona B edhe mund të mos gërmohet, por mund të vëzhgohet intensivisht dhe sondazhet e sipërfaqeve të përcaktuara detyrimisht do të kryhen, siç edhe vendosi KKA, madje jo vetëm në zonat ku janë planifikuar të vendosen shtyllat, por edhe rreth tyre, aty ku mund të ketë gjurmë të natyrave të ndryshme. KKA vendosi që kësaj rradhe shërbimet arkeologjike t’i kryejë misioni arkeologjik që operon aty, pasi është pikërisht ky mision që ka propozuar ndarjen e territorit në dy zona, nga të cilat njëra është “zemra” e vendbanimit, dhe tjetra territori përreth. Në raste të tjera, këtë punë mund ta kryejnë edhe institucione të tjera të specializuara apo subjekte të pajisura me licenca për gërmime. Gërmimet do të kryen sipas aktmarrëveshjeve të shprehura qartazi në legjislacion.

A ka ndonjë hallkë tjetër ky kalon ky vendim, një hallkë më të lartë se KKA?

Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë është organi i vetëm vendimmarrës për çështjet e fushës, por për projektin në përgjithësi KKT merr vendimin përfundimtar. Pra, do të presim rezultatet e sondazheve, do të sqarojmë më tutje situatën, do të marrim vendimin e duhur në kohën e duhur dhe besoj të kemi përsëri rastin të komunikojmë si sot.

Do të doja sillja në vëmendje se sot një pjesë e madhe e gërmimeve arkeologjike mbështeten financiarisht pikërisht nga investimet në fushën e punimeve të ndërtimit qofshin këto pjesë të planeve vendore apo territoriale. Kjo ka bërë të mundur zbulimin e shume siteve të reja arkeologjike, sidomos në Evropë gjysëmshekullin e fundit. Është pikërisht ky harmonizim dhe sinergji e interesave të përbashkëta mes arkeologëve dhe zhvilluesve që na bën të mundur të mësojmë më shumë për të kaluarën duke planifikuar të ardhmen.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: