Nga: AHMET SHQARRI*
Mes një gjendjeje gati apokaliptike që po kalojmë, plot vrasje, vjedhje e poshtërsi nga më të ndryshmet që bëhen në kurriz të këtij populli ku masakra mjedisore dhe njerëzore e fushës së naftës në Marinzë, është rasti më i freskët i mizorive, por jo e fundit ndaj këtij vendi, politika po kërkon këto ditë që nëpërmjet fushatës së zgjedhjeve vendore, të na hedhë karremin e radhës për t’na futur edhe njëherë në botën e iluzioneve dhe ëndërrimeve të kota e pa shpresë. Ironia është e pashembullt kur kujton se disa prej atyre që do të votohen, nuk e kanë për herë të parë që ngjiten në skenën e mashtrimeve për të gënjyer përsëri elektoratin, duke vazhduar pastaj nga “maja e Olimpit” ku ngjiten, që të bëjnë ritin e tyre të zakonshëm të kthimit të kurrizit ndaj halleve dhe problemeve të popullit. Po e njëjta mënyrë populiste e mashtruese ndiqet edhe nga “të rinjtë”, nga ata që për herë të parë duan të shpallin kandidaturat e tyre për postet e ardhshme vendore. Rasti i një ministri, që u pa këtë të mërkurë në tribunën VIP të stadiumit “Qemal Stafa” gjatë ndeshjes Tirana-Laçi, për Kupën e Shqipërisë dhe që po komentohet si një “çudi”, sepse në të kaluarën, ose më mirë, asnjëherë më parë nuk kishte ndodhur që ky njeri të kishte bërë tifo për skuadrën e shumënjohur të kryeqytetit, është një tjetër ironi e gjithë kësaj historie që vazhdon prej shumë kohësh, duke e kthyer të gjithë këtë prag-fushate në një tjetër maskaradë të këtij vendi.
Dihet se lufta për pushtet ka ngjallur vazhdimisht ambicie dhe është shoqëruar shpesh edhe me krime; kështu ka ndodhur kudo e përjetësisht, por densiteti i ngjarjeve monstruoze që ka përshkuar vendin tonë në këto mbi dy dekada të ashtuquajtura demokraci, ka qenë tepër masakrant dhe i paparashikueshëm. Dhe të mendosh se ata, “të privilegjuarit” e pushtetit të përjetshëm, ose ata që përpiqen e dalin në skenë vazhdimisht gjatë këtij rreth një çerekshekulli, duke përdorur çdo lloj mjeti, për të arritur qëllimet e tyre makiaveliste, janë po ata, të njëjtët njerëz, madje disa prej tyre, me pushtet edhe në kohën e diktaturës, kjo të bën vërtet të pa shpresë dhe krejtësisht të dorëzuar ndaj fatalitetit që na rri mbi krye si strehë dhe që mesa duket ne shqiptarët e kemi zgjedhur vetë si mënyrë jetese! Kjo “zgjedhje” që na kërkohet të bëjmë edhe për 21 qershorin e ardhshëm, është vërtetim i faktit tashmë të sprovuar ndër ne, se njerëzit e mençur e të ndershëm kanë humbur ose i kanë zhdukur nga ky vend dhe se fatalisht duhet të vazhdojmë të mbetemi në mëshirë të vendimeve dhe shijeve banale të ca njerëzve batakçinj e pushtetarë “të përjetshëm”! Kjo ka ndodhur më parë e kjo po ndodh edhe tani, kur po shohim se ç’farë emrash dhe figurash na duhet të zgjedhim për t’i pasur pastaj si zgjedhë mbi qafën tonë! E kujtoj shumë mirë atë rast të para ca viteve kur gjatë intervistës së një kandidati për post drejtues të federatës sonë të futbollit, pata ndeshur në injorancën totale të atij njeriu që jo vetëm nuk e lidhte asgjë me atë që e priste në të ardhmen, por mbi të gjitha, nxori në pah edhe përpjekjen e mundimshme për të formuar nja dy fjali që m’u deshën pastaj për t’i transmetuar në një ekran tv-je. Nga ajo që vazhdoj të mbaj mend prej asaj interviste e që më kujtohet sa herë që më rastis ta shoh atë personazh në ndonjë ekran televizioni, është zhgënjimi që ende ndjej nga ajo e kaluar e njerëzve të tillë, padija e të cilëve vazhdon të mbetet si emblemë e gjithë qenies së tyre dhe në të njëjtën kohë një lloj kurore sundimi mbi pafuqinë që kemi për të ndryshuar dhe shporrur nga jeta jonë, specie të babëzitura të atij lloji.
Mes kësaj çoroditjeje, ku e ke krejt të pamundur të kuptosh se cila është e drejta dhe e vërteta dhe se kush janë në fakt hajdutët që vjedhin miliona apo ata që vrasin e dalin pa lagur nëpërmjet gjithfarësoj historish të sajuara, duhet të përballemi edhe me skenën që na shfaq tani fushatën e zgjedhjeve të radhës, ku ndër të tjera, sporti, e sidomos futbolli do të jetë gjahu më i preferuar, prej nga ku, si për çdo fushë tjetër, nuk do të mungojnë premtimet e panumërta boshe. Dukja nëpër tribuna stadiumesh e ndonjë “kandidati”, “projekti” plot fantazi për një objekt të “ri” sportiv, si ai i Elbasanit, që në fakt e la pa fushë ekipin e këtij qyteti thuajse gjatë gjithë sezonit futbollistik, duke ndikuar kështu ndjeshëm për daljen e saj nga kategoria superiore(!?), e të tjera marifete si këto, do të jenë ironia që do të vazhdojë ende për historitë e përsëritura e ndërkohë të dështuara të këtij vendi.  

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: