TIRANE– Një nga zërat më kritikë të Bashës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli ka shprehur edhe një herë qëndrimin e saj, pas humbjes së kësaj force politike në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit. Në emisionin “Kjo javë” me gazetaren Nisida Tufa në “News24”, Jozefina Topalli tha se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme, dhe jo të vetëngrihej.

Duke ironizuar me vetëngrirjen e Bashës, demokratja Topalli tha se ka ndodhr nën shembullin e Armando Prengës.

“Ka ndodhur një gjë e madhe, një tërmet, nuk mund të bëj sikur nuk e kam parë, apo dëgjuar. Nuk mund të bëj sikur vetëngrirja e kryetarit është diçka normale, nën shembullin e Armando Prengës, është sharlatanizëm. Dhe kjo më pas vijon me shkelje të statutit. Çdo përpjekje për të vendosur në shina statutore, për t’i thirrur ndërgjegjes, në mënyrë që PD të mos mbetet peng i një njeriu që e ka çuar në rezultatin historik më dramatik, është gjëja më normale që mund të mendohet. Unë kam patur një kërkesë për dorëheqje të parevokueshme të Bashës pas humbjes së 25 qershorit”, tha Topalli.

Sipas saj, zgjedhjet e sotme në Partinë Demokratike për zgjedhjen e kryetarit të ri, nuk janë garë, por farsë.

“Nuk është garë, është farsë, mjerim. Dita e sotme do të vulosë marrjen peng të PD nga humbësi më i madh në historinë e PD. Të shpallësh fitues humbësin katastrofal të 25 qershorit, është e gabuar për një forcë politike siç është PD. Ajo që ka ndodhur brenda PD është e paprecedentë në historinë e të gjitha partive politike në Shqipëri, ku pasi pëson një humbje kaq të rëndë, kryetari të mos japë dorëheqje, por të fillojë të kaloje përmes një procesi butaforik, dhe anti-kushtetues. Them butaforik, pasi e shpalli veten të vetëngrirë, se nuk është as proces demokratik as statutor, por vetëm frigoriferik. Kjo është faza finale e një kulturë të Lulzim Bashës që prej viteve nuk ka shprehur asnjë projekt përveç axhendës personale”, tha Topalli.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: