KOSOVË- Në Komunën e Drenasit sot u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës, ku në balotazh ishin kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci dhe kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj.

Lladrovci ka fituar zgjedhjet duke u bërë kështu kryetari i ri i Komunës së Drenasit. Ai ka fituar 14 mijë e 242 vota, apo 62,69 për qind të votave. Lladrovci ka qenë ambasador i Kosovës në Shqipëri.

Sipas rezultateve në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me të gjitha votat e numëruara nga 72 vendvotime, rivali i Lladrovcit nga radhët e Nismës, Isa Xhemajlaj ka marrë 8 mijë e 476 vota, apo 37, 31 për qind.

Festimet për fitoren e Lladrovcit në Drenas tashmë kanë filluar. Qytetarët kanë dalë në rrugë dhe po festojnë fitoren e PDK-së.

Lladrovci, duke shpallur fitore, ka thënë se në balotazhin e sotëm u dëshmua se “forca e PDK-së është Drenasi dhe Drenica”.

Nisma për Kosovën ka pranuar humbjen por ka akuzuar ish-kandidatin e pavarur, Xhavit Drenori se nuk i ka udhëzuar votuesit e tij që të votojnë për Xhemajlajn.

Pjesëmarrja ka qenë 45.39%, që sipas autoriteteve kosovare shënoi ngritje fluksi krahasuar me raundin e parë në 4 dhjetor kur pjesëmarrja ishte 40.55 %.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë në një konferencë shtypi njoftoi pjesëmarrjen në votim duke theksuar se nuk kishte ndonjë parregullësi që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb