Ish-ambasadorja amerikane në Ukrainë Marie Yovanovitch u tha ligjvënësve të premten se Presidenti Donald Trump i ka bërë presion Departamentit të Shtetit për largimin e saj nga detyra. Në një deklaratë të saj të siguruar nga “Associated Press” zonja Yovanovitch shkruante se largimi i saj në muajin maj ishte “i papritur” dhe se i ishte thënë se presidenti e kishte humbur besimin tek ajo.


Ish-ambasadorja tha gjithashtu se një zyrtar i kishte thënë se kundër saj “po zhvillohej një fushatë e bashkërenduar” dhe se zoti Trump prej rreth një viti kishte bërë presion ndaj zyrtarëve për ta hequr atë. “Megjithëse e kuptoj se jam caktuar dhe hiqem nga presidenti, ishte tepër e pabesueshme që qeveria amerikane zgjedh të largojë një ambasador mbi pretendime të pabaza e të rreme nga njerëz me motive qartësisht të dyshimta”, shkruante në deklaratën e saj zonja Yovanovitch.


Zonja Yovanovitch u paraqit në Capitol Hill të premten për një seancë dëgjimore në kuadër të hetimit që po kryejnë demokratët me qëllim ngritjen e akuzave për shkarkimin e presidentit. Ajo pranoi ftesën e ligjvënësve për të dëshmuar pavarësisht deklaratës së zotit Trump se askush nga administrata e tij nuk do të bashkëpunojë me hetimin, të cilin e konsideron si antikushtetues.


Zonja Yovanovitch është ende punonjëse e Departamentit të Shtetit, por përkohësisht është studiuese në universitetin Georgetoën.

Zoti Trump  tha në fillim të kësaj jave se do të bllokojë të gjithë zyrtarët që të dëshmojnë në Kongres, duke quajtur hetimin të padrejtë dhe të paligjshëm. Është e paqartë nëse shfaqja e ish-ambasadores sinjalizon një ndryshim në strategji apo nëse zonja Yovanovitch shkeli urdhrat e Shtëpisë së Bardhë me paraqitjen e saj.

Hetimi i demokratëve u nxit nga një telefonatë që zoti Trump bëri me presidentin ukrainas më 25 korrik.

Demokratët po hetojnë kërkesat e zotit Trump ndaj zyrtarëve ukrainas për të filluar hetimet ndaj kundërshtarit të tij politik Joe Biden dhe djalit të tij si dhe nisjen e një hetimi për përfshirjen e Ukrainës në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Zonja Yovanovitch u tërhoq nga detyra e saj si ambasadore në Kiev në një kohë që Rudy Giuliani, avokati personal i zotit Trump, po nxiste zyrtarët ukrainas të hetonin akuzat e pafaktuara për korrupsion kundër Joe Biden-it dhe djalit të tij.

Zonja Yovanovitch u hoq nga kjo detyrë pasi kishte këmbëngulur që kërkesat e zotit Giuliani drejtuar zyrtarëve ukrainas për hetime të përcilleshin përmes kanaleve zyrtare, sipas një ish-diplomati që kishte biseduar me të (Marie Yovanovitch).

Gjatë telefonatës së 25 korrikut, zoti Trump i kishte thënë Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskiy se zonja Yovanovitch ishte një “lajm i keq”, bazuar në dokument që përmbante pjesë të zbardhura të telefonatës publikuar nga Shtëpia e Bardhë. As zoti Giuliani dhe as zoti Trump nuk i kanë specifikuar publikisht kundërshtimet e tyre ndaj zonjës Yovanovitch.

Ndërkohë biznesmenë me lidhje me zotin Giuliani patën lobuar tek një ligjvënës amerikan në vitin 2018 për të ndihmuar për largimin e zonjës Yovanovitch, sikurse thuhet në një aktakuzë të bërë publike të enjten pas arrestimit të tyre.

Zoti Trump vazhdon t’i qëndrojë pozicionit se përmbatja e bisedës së tij telefonike zhvilluar më 25 korrik me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy, e cila nxiti hetimet për shkarkim, nuk përbën asnjë problem ligjor.

Një ditë më parë zoti Zelenskiy deklaroi se nuk i është bërë “asnjë shantazh” gjatë telefonatës në të cilën zoti Trump i kërkoi të nisë hetimin ndaj ish-nënpresidentit Joe Biden dhe djalit të tij, Hunter. Pas komentit të zotit Zelenskiy udhëheqësi amerikan u tha gazetarëve se presidenti i Ukrainës thjesht konfirmoi atë që ai ka thënë më parë dhe kërkoi që kësaj çështjeje t’i jepet fund.

Zoti Trump pretendon, por pa dhënë asnjë fakt, se gjatë kohës që zoti Biden mbante detyrën e nënëresidentit kishte kërcënuar se do të ndalte ndihmën financiare për Ukrainën, nëse Kievi nuk ndalte hetimin ndaj një kompanie gazi ku Hunter Biden, ishte anëtar bordi.

Të enjten komisionet e Dhomës së Përfaqësuesve që drejtojnë hetimin, njoftuan se do të thërrasin për të dëshmuar sekretarin e Energjisë Rick Perry si dhe dy bashkëpunëtorë të avokatit të presidentit Rudy Giuliani. /Voa/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb