TIRANE- Prokuroria e Tiranës kërkon 8 vjet burg me akuzën e mashtrimit për Elton Tozajn, ish banor i Big Brother, i riu që prezantohej si punonjës i Bashkisë së Tiranës dhe i Ministrisë së Brendshme, duke mashtruar qytetarët. I pandehuri, sipas Prokurorisë, ka përfituar shuma të mëdha monetare duke mashtruar qytetarë të ndryshëm, por edhe biznesmenë, të cilëve u premtonte kredi me interesa të buta në Bashkinë e Tiranës, raporton “Panorama”. Organi i akuzës që ka dërguar për gjykim të riun, pretendon se në të paktën tri raste ka arritur të dokumentojë rastet e mashtrimit nga Elton Tozaj. Ky i fundit, sipas Prokurorisë, ka arritur që të falsifikojë edhe firmën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, për t’u bërë sa më i besueshëm “para viktimave” të tij. I akuzuari është ishpjesëmarrës në “Big Brother Albania” dhe ish-gazetar.

MASHTRIMI ME KREDITË
Sipas Prokurorisë, mashtrimi me kreditë në Bashkinë e Tiranës ishte një nga mënyrat e veprimit nga ana e Elton Tozajt. Ai fillimisht u prezantohej qytetarëve si punonjës i Bashkisë, më pas u jepte atyre formularë apo dokumente të ndryshme “për t’i përgatitur” dhe më vonë, kundrejt shpërblimit, u premtonte favorizim e ndjekje të procedurës deri në miratimin e kredisë. Për këto raste, sipas Prokurorisë, Elton Tozaj ka arritur të përfitojë shuma nga 300 deri në 650 mijë lekë të rinj. Ai u premtonte qytetarëve se do t’i ndihmonte që të dorëzonin dokumentin e kërkuar në mënyrë që të kualifikoheshin në listat përfundimtare të përfituesve të kredive me interesa të buta. Në këto raste, disa personave Tozaj u paraqitej si punonjës i Bashkisë së Tiranës dhe herë si këshilltar pranë këtij institucioni. Ai vishej dhe sillej sikur të ishte vërtet punonjës në këto institucione, duke u përpjekur të bëhej sa më i besueshëm për personat me të cilët kontaktonte.

FIRMA E MINISTRIT
Në një rast tjetër, sipas Prokurorisë, i akuzuari Elton Tozaj, me precedentë të mëparshëm penalë, ka falsifikuar edhe firmën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Siç bën me dije Prokuroria, në një rast i pandehuri ka mashtruar edhe një biznesmen, të cilit i premtoi se do ta rregullonte që të merrte me qira Vilën 31 në zonën e ish-Bllokut. Burimet nga hetimi kanë bërë me dije se Elton Tozaj ka marrë një shumë prej 7 mijë dollarësh nga biznesmeni, si dhe 5 mijë euro, ndërsa ka pretenduar se çmimi i qerasë do të ishte 3 dollarë për m². Për ta bërë më të besueshëm mashtrimin e tij, i riu mësohet se përdorte edhe kontrata fiktive, të cilat ua paraqiste viktimave të mashtrimeve që kryente për ta bërë gjithçka sa më të besueshme. Nga ana tjetër, mësohet se Elton Tozaj, gjatë aktivitetit të vet, ka falsifikuar firma dhe vula, por edhe dokumente të tjera jo vetëm të Bashkisë së Tiranës, por edhe të institucioneve të tjera shtetërore.

PRECEDENTI NË 2007
Elton Tozaj ka qenë edhe më parë i akuzuar dhe i dënuar për mashtrim. Në rastin e parë mësohet se ai mashtronte personat e interesuar për t’u pajisur me dëshminë e taksistit dhe u merrte atyre shuma që varionin nga 30 mijë deri në 50 mijë lekë të rinj. Në vitin 2007, asokohe vetëm 29 vjeç, Elton Tozaj u arrestua pasi mashtroi qytetarët se do t’u nxirrte leje për shërbimin taksi, nën petkun e “zyrtarit” të Bashkisë së Tiranës.(Panorama)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb