Meksikani Joaquin Guzman që njihet ndryshe edhe si lordi i drogës me nofkën “El Chapo” është ekstraduar sot për në SHBA, njoftojnë autoritetet meksikane.

Përballja me akuzat për trafik droge dhe vrasje mund ta lënë përjetësisht në burg liderin e një prej karteleve më të famshëm të drogës, për të cilin ishin lëshuar më herët dy kërkesa për ekstradim, njëra në Kaliforni dhe tjetra në Teksas, siç bën me dije BBC.

Ai pritet të dalë sot para një gjykate në Brooklyn ku edhe do përballet me akuzat.

Vitin e kaluar ai u transferua në një burg në Ciudad Juarez, por autoritetet në atë kohë mohuan që transferimi ishte një shenjë paralajmëruese për ekstradim. Ndonëse Guzman ka luftuar për të qëndruar dhe për tu gjykuar në Meksikë, duket se kërkesat e tij nuk janë marrë parasysh. Guzman u bë edhe më i njohur, pasi u arrestua dy herë nga autoritetet meksikane dhe të dyja herët mundi që të arratisej në mënyrë spektakolare nga burgu i sigurisë së lartë. E ky ekstradim, duket se është edhe një lehtësim për meksikën.

“El Chapo” drejtonte kartelin më të madh të drogës të “Sinaloa” dhe akuzohet se “përdorte qytetin e Çikagos si vendin më të përshtatshëm për të tregtuar sasi shumë të mëdha droge, armësh dhe një sërë krimesh të tjera, si dhe shtrihej dhe në shtetet e mesme”.

Sipas komisionit të departamentit të luftës ndaj krimit të organizuar në Çikago, që është krijuar në 1919-ën, Joaquim Guzman kalonte të paktën 1500 – 2000 kg heroinë në muaj nëpërmjet Çikagos dhe akuzohet se “merrte pjesë në rrjetin më të madh të trafikimit të drogës, së bashku me 35 të akuzuar të tjerë”.

Ishte po i njëjti komision i cili i kishte dhënë “titullin” Al Kapones, por që prej asaj kohe nuk ishte shfaqur ndonjë “figurë” i dimensioneve dhe përmasave të tilla që mund të meritonte këtë titull, madje komisioni pohon se Guzman është fajtor edhe për një sërë krimesh edhe më të rënda se ato të kryera nga Al Kapone.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: