TIRANE

Ish- deputeti i Partisë Demokratike Astrit Patozi përmes një postimi të bërë në rrjetin social “Facebook”, shkruan se  e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga ‘sigurimsat’ është të hapen dosjet.  Patozi duke iu referuar rastit të anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi, shprehet se i takon opozitës të sfidojë qeverinë për këtë çështje. Ish-deputeti demokrat thekson se hapja e dosjeve do ishte në përfitim të shoqërisë.

Reagimi i plotë:

KA NJË MËNYRË PËR TË SHPËTUAR NGA SIGURIMSAT QË KAPIN SHTETIN

Çdo debat për spiunët apo bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit, që gëlojnë ende nëpër institucionet tona edhe pas 27 vjetësh, e bën të domosdoshëm një qëndrim të prerë e shterrues për këtë temë.
Duhet të hapen dosjet për çdo zyrtar apo ish-zyrtar të lartë, deri në një farë rangu, pa përjashtim, për të mos mbetur peng i subjektivitetit politik apo administrativ, që në shumicën e rasteve është i qëllimshëm. Që nga Presidenti i Republikës e deri tek nëpunësi më i ulët, që do të gjykohet se mund të pengojë proceset demokratike në vend, qoftë ky edhe vetëm si mesazh se kjo shoqëri po ndahet me dëshirë të fortë nga e kaluara e vet.
Do të mjaftonte shembulli i shumëdiskutuar i anëtarit të KLP për të ndërmarrë një nismë legjislative përgjithësuese, që t’i mbyllte rrugën një herë e përgjithmonë për t’u ngjitur në piramidën e shtetit të gjithë asaj skote shqiptarësh, të cilët janë përzier në një mënyrë ose në një tjetër me krimet e përbindshme të armës më famëkeqe të diktaturës komuniste.
I takon opozitës që ta sfidojë qeverinë për këtë çështje, sepse për të majtën nuk është ndonjë gjë e rëndë po të kesh qenë oficer apo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, ndaj edhe prej saj nuk mund të pritet ndonjë ndjeshmëri e veçantë.
Dhe ajo mund ta bëjë këtë me vendosmëri dhe pa asnjë mëdyshje, duke vënë në dispozion të publikut të gjithë zyrtarët dhe ish-zyrtarët e vet, si shenjën e qartë dhe të besueshme se lufta me spiunë apo sigurimsa nuk është thjesht dhe vetëm një betejë politike e momentit, ku e keqja zbulohet dhe denoncohet vetëm atëhere kur gjendet në anën tjetër.
Kjo shoqëri vetëm do të përfitonte, nëse do të dinte se çfarë raporti kanë pasur me diktaturën ata që i kanë qeverisur dhe vazhdojnë t’i drejtojnë në këto 28 vjet, presidentë, kryeministra, ministra, deputetë, drejtorë të mëdhenj, kryetarë bashkish e komunash, gjykatës apo prokurorë qofshin.

(BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: