TIRANË

Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka ka reaguar për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane ”Bild”, ndërsa i është përgjigjur edhe kreut të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Ajo thekson se media gjermane tregoi ujkun kurse Ulsi Manja vijon të qëmtojë gjurmët e tij. Ish-deputetja pohon se këto përgjime janë skandaloze dhe me siguri prishin imazhin e Edi Ramës, Gjushit, Ulsiut, Artës, Donikës, Sandrit e shokëve të tyre, por kurrsesi imazhin e Shqipërisë.

Postimi i Silva Cakës:

Bild-i i tregon ujkun, ndërsa Ulsiu kërkon gjurmët! Gazeta gjermane Bild, sot provoi me plot 6 përgjime audio, lidhjet e kupolës së Rilindjes në Durrës me botën e krimit. Deputetë, kryetarë bashkish, drejtorë e kriminelë të lidhur aq fort, sa nga dashuria e madhe për njëri-tjetrin, blejnë vota, kërcënojnë qytetarë, mbarojnë pazare…

E gjithë kjo furtunë, në vend që të pasohej me shkarkime, dorëheqje e arrestime, pasohet me deklaratën e trashë të kreut të Komisionit të Ligjeve, i cili shqetësohet se kush i nxorri sekretin e blerjes së votave Rilindjes!? Fjalët e liga thonë që me këtë deklaratë, ai po i paraprin daljes së sekretit hetimor të një dosje tjetër, ku përfshihet vetë ai, dosjes nr. 184…

Këto përgjime janë skandaloze dhe me siguri prishin imazhin e Edi Ramës, Gjushit, Ulsiut, Artës, Donikës, Sandrit e shokëve të tyre, por absolutisht nuk prishin imazhin e Shqipërisë, e aq më pak të policëve të ndershëm apo prokurorëve të cilët, teksa shohin se askush nuk lëviz as gishtin për ndëshkimin e këtyre veprave skandaloze, ndërmarrin vetë veprime, të cilat ndihmojnë Shqipërinë dhe demokracinë.

Për të gjithë ata, të cilëve u ka ngelur ende ndopak ndërgjegje qytetare e që Shqipërinë e shohin si shtëpinë e tyre, apo që kanë dëshirën e mirë për të parë një Shqipëri Europiane, policët e prokurorët që kanë bashkëpunuar me Bild-in, duhet të konsiderohen si heronj, kushdo qofshin ata!

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: