Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Aleks Hajdari thotë se vrasjet e fundit në vend janë shqetësuese. Duke iu referuar ekzekutimit të Santiago Malkos, zoti Hajdari tha se këto vrasje po kryhen për zotërim territori dhe për kontrollin e linjave të trafikut të drogës.

“Nëse i referohemi skemës së krimit, kostoja është e lartë. Tregon që është i përfshirë një numër i madh njerëzish. Është shpenzuar shumë kohë. Nga informacionet që unë kam ka pasur 6 muaj që lëvizte me makinë të blinduar, vetëm atë ditë jo. Kjo lidhet dhe me informacionet që marrin grupet kriminale. Ajo që më shqetëson mua është se akoma sot, organizata e policisë vazhdon e kryen analiza sa vrasje janë kryer. Vrasjet e fundit janë vrasje mafioze, për zotërim territori dhe për kontrollin e linjave të trafikut të drogës. Të ndodh një ngjarje e tillë, në Tiranë do të thotë që policia nuk po e bën punën si duhet”, tha Aleks Hajdari më “Opinion”.

“Grupet dhe organizatat kriminale kanë një organizim perfekt. Vlerat e pagesat nuk besoj se janë aq të larta sa thotë Artan Hoxha (300 mijë euro). Është një vlerë shumë e madhe. Ajo që më shqetëson është se numri i vrasjeve me pagesë po vjen duke u rritur. Ka pasur numër vrasjesh dhe më parë të konsiderueshme, por ne duhet të largohemi nga analizat e shifrave”, tha më tej ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb