Roger Stone, një mik dhe aleat i hershëm i Presidentit Donald Trump, u shpall sot fajtor nga gjykata federale në Uashington. Stone, konsulent politik amerikan i hershëm dhe ish-këshilltar i Trump, është dënuar për të 7 akuzat që ishin ngritur ndaj tij, në kuadër të hetimit të prokurorit speciale Robert Mueller, mbi ndërhyrjet ruse në politikën amerikane.


Vendimi për zotin Stone u dha në çështjen gjyqësore gjatë së cilës i ishin paraqitur shtatë akuza. Ai akuzohej se i gënjeu ligjvënësit amerikanë për çështjen e WikiLeaks, se përpunoi dëshmitarët dhe se pengoi një proces hetimor të Komisionit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve.


Gjatë gjyqit të tij doli në pah se si bashkëpunëtorët e fushatës elektorale Trump dëshironin të merrnin informacion për emaile-t e vjedhura që dëmtonin kandidaten Hillary Clinton, të publikuara nga faqja në internet WikiLeaks.


Prokurorët thanë se zoti Stone gënjeu përpara Kongresit për shkëmbimet e tij me WikiLeaks me drejtuesin e një emisioni radioeje në Nju Jork, Randy Credico, si dhe me shkrimtarin konservator dhe teoricienin konspirativ, Jerome Corsi.

Ai u akuzua gjithashtu se u përpoq ta frikësonte zotin Credico dhe se madje e kishte kërcënuar se do t’i merrte qenin. Zoti Stone i pati mohuar akuzat dhe e pati denoncuar çështjen si të motivuar politikisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: