TIRANË- Ish-komandanti i Forcës Ajrore, Frederik Beltoja ka folur për rrëzimin e helikopterit të ushtrisë dhe humbjen e 2 pilotëve. Në një lidhje telefonike për News24, Beltoja pasi ka shprehur dhimbjen për humbjen e dy jetëve tha se hetimet do të nxjerrin shkaqet e rrëzimit të helikopterit.

“Dhimbje për humbjen e dy djemve të rinj. Hetimi është në dorë të autoriteteve, s’dihet sa do zgjasë, të presim përfundimet”, ka thënë jo pa emocione, ish-komandanti Beltoja.

Ai ka treguar se kamera regjistruese e helikopterit do të sjellë pozicionin e tij në minutat e fundit.

“Kamera do të riprodhojë në 3-dimensional pozicionin e helikopterit në minutat e fundit. Ka fluturime stërvitore. Edhe kur kam qenë unë komandant kemi bërë mijëra fluturime. Nëse nuk do kishin filluar hetimet, mund të ishin ngritur pikëpyetje. Por këto janë gjëra normale. Të lejohen ekspertët të bëjnë punën e tyre. Unë isha profesionist në atë fushë, nuk mund të them asgjë pa përfunduar hetimi teknik dhe hetimi penal. Janë rregulloret në fuqi që do nxjerrin përgjegjësit. Nuk ma lejon profesionalizmi për të thënë gjysmë llafi më shumë, duhet të pres hetimet. Aty janë gjithë ata djem të shkëlqyer teknikë dhe pilotë, ekspertët janë, helikopteri i rënë është aty”, ka deklaruar Beltoja.

Ai ka theksuar se pajisja që filmon është ndërtuar në mënyrë të tillë që të mos dëmtohet, përballon goditje nga më të mëdhatë. Përsa i përket pezullimit të fluturimeve të helikopterëve të njëjtë të Eurocopter, Beltoja tha se kjo është normale deri në zbulimin e shkaqeve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: